Lajme

Në pritje të vendimit, Gjykata nuk pranon provat kryesore të Tahirit

Gjykata e Krimeve të Rënda është tërhequr për vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa avokati i tij Maks Haxhia tha se pret pafajësi, pasi ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë. Gjykata do të japë vendimin për Tahirin sot pas orës 16:00.
Pas pretencës më 10 shtator, ku prokuroria kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, Saimir Tahiri shkoi sot te Krimet e Rënda në pritje të vendimit të Gjykatës.

Por seanca gjyqësore u ndërpre pasi mungonin provat në dosjen e ish-ministrit. Gjykata kërkon sqarim nga ish-ministri në lidhje me provat e paraqitura në seancën e parë. Gjykata ka kontestuar disa nga provat e përmendura në seancën e kaluar nga Saimir Tahiri. Më konkretisht, e-maili dërguar prokurorit Dritan Prençi, shkresat e dërguara në drejtim të ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe regjistri i hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme. Sipas gjykatës, këto nuk janë pjesë e dosjes.
“Kam kryer detyrën si ministër i Brendshëm dhe nuk kam lidhje me grupin e strukturuar kriminal”, mësohet të jetë shprehur Tahiri.
Po ashtu ish-ministri i Brendshëm, gjatë seancës gjyqësore ka thumbuar indirekt, Fatmir Xhafën, pasardhësin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme.
“Disa njerëz nuk përgjigjen as për vëllezërit e tyre”, duke iu referuar indirekt çështjes së njohur si “Babalja”, ku pretendohej se ishte i përfshirë vëllai i ministrit Xhafaj.
“E vetmja gjë që më implikon mua është shitja e makinës tek Artan Habilaj, një person i cili nuk është as nën hetim as i dënuar dhe unë po mbaj përgjegjësi për vëllezërit e këtij personi”, është shprehur më tej ish-ministri Tahiri.

Saimir Tahiri, në bankën e të akuzuarve, gjatë seancave të mëparshme. Gazeta Si, 19 shtator 2019

“Unë kam qenë në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën. Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vënë edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetë nëse më vërtetohen akuzat”, ka thënë Tahiri.
Në seancën e kaluar, ku Saimir Tahiri u mbrojt vetë për më shumë se dy orë, e quajti një proces të montuar e të pabazuar në prova duke kërkuar pafajësi.
Ndër provat më të rëndësishme që përdori ish-ministri Tahiri duke pretenduar pafajësinë ishin 6 shkresa dërguar ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli për mosfunksionimin e radarëve, dokumenti sekret në të cilin Jaled Çela njoftonte prokurorinë për aktivitetin kriminal të Habilajve dhe e-maili e zyrtarit të policisë së Vlorës, Gjergji Kohilës për prokurorin Dritan Prençi duke njoftuar për aktivitetin kriminal të Habilajve. Gjykata ka kontestuar disa nga provat e përmendura në seancën e kaluar nga Saimir Tahiri. Më konkretisht, e-maili dërguar prokurorit Dritan Prençi, shkresat e dërguara në drejtim të ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe regjistri i hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme. Sipas gjykatës, këto nuk janë pjesë e dosjes.
Mbi ish-ministrin Tahiri rëndojnë akuzat për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë