Editorial

Ndërprerjet e energjisë elektrike nuk duhet të jenë kurrsesi një opsion

Kufizimet e energjisë elektrike nuk duhet të jenë kurrsesi një opsion në planin e emergjencës së shpallur nga kryeministri. Sado të forta qofshin arsyet, që mund ta shtyjnë qeverinë drejt këtij vendimi, ajo duhet ta ketë të qartë se furnizimi me orare është një e keqe edhe më e madhe, përkundër përfitimeve afatshkurtra që mund të mendohen.

E ka gabim dikush që sugjeron idenë se kufizimet mund të ulin konsumin dhe për pasojë dhe nevojën për të blerë energji me kosto të lartë, mund të ndihmojnë financat publike që të përballojnë situatën derisa nga njëra anë tregjet ndërkombëtare të qetësohen dhe nga ana tjetër basenet energjetike të vendit të mbushen. Është njësoj si të thuash të mbash një të sëmurë në intubim, por nuk ka korrent për të vënë në punë pajisjet.

Publiku e ka të qartë se ç'do të thotë kufizime të energjisë. Edhe politikanët. Brenda dy dekadave ata kanë provuar disa herë situata të tmerrshme me ndërprerje të gjatë të energjisë, e cila solli efekte të mëdha sociale dhe ekonomike, të cilat thanë edhe buxhetet nga pamundësia për t’i rimbushur për shkak të rënies së aktivitetit ekonomik.

Edhe më pas, rikuperimi ka qenë i ngadaltë dhe me fare pak ose aspak efekt në rritjen e mirëqenies përmes rritjes së të ardhurave personale. Rikuperimi pas ndërprerjeve sa na ka siguruar daljen nga gropa, por jo ngjitjen më lart.

Energjia luan rolin kryesor në pjesët më vitale të ekonomisë, që është ajo prodhuesja. Kufizimi i saj do ta fusë ekonominë në reanimacion. Me imunitet të rënë nga pandemia dhe tërmeti, me pak furnizime nga kapitali privat dhe investimet buxhetore, mbajtja e saj do të bëhet jo vetëm më e vështirë, por me kosto shumë më të lartë se kostot që do të krijohen në skenarin që energjia të blihet me çfarëdo çmimi. Jemi ende në fazën, kur edhe pse ka sinjale pozitive rikuperimi post-karantinë, nuk ka ardhur plotësisht. Nëse do të kujtojmë që edhe nga tremujori i fundit, edhe pse pati rritje 18 për qind të PPB-së, bujqësia me gjysmën e popullsisë të përfshirë në të, ishte sektori me rritje negative.

Të dhënat empirike tregojnë se një mungesë e energjisë, apo kufizimi i saj për përdoruesit ekonomikë do të ulë rritjen e ekonomisë kombëtare edhe me 2 për qind. Në disa sektorë siç janë industria, efekti negativ në PPB mund të jetë edhe mbi 10 për qind.

Efekti, më pas zinxhir, i çmimeve të larta për lëndë të parë, reduktimi i kapaciteteve prodhuese do të krijojë një valë të re rritjesh çmimesh që i mbivendoset valës së madhe që ka nisur të prekë brigjet shqiptare e për këtë shkak financat publike e të ardhurat personale do të gërryheshin më tej në vend të efektit të pritshëm të mbrojtjes së tyre përmes instrumentit të kufizimeve të energjisë elektrike.

Opsioni për të ndërprerë sadopak energjinë për të kursyer financat është kurim adhamudhian që për të shpëtuar njërin sy këshillon heqjen e tjetrit e që s’ka përgjigje kur të dhemb koka. Situata e krijuar me çmimet e larta të energjisë në tregun ndërkombëtar dhe problemet e pakuruara të sistemit energjetik brenda vendit janë një dhimbje koke e madhe, për çdo qeveri. Por energjia elektrike si çdo energji ekziston se duhet përdorur, jo për t’u kursyer.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë