Lajme

Misioni “Frontex” në Shqipëri, nesër nis operacioni. Rama: Jemi të besueshëm për BE-në

Frontex, Agjencia Europiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, do të nisë operacionin e saj të parë të përbashkët në Shqipëri duke shënuar një fazë të re për bashkëpunimin kufitar midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor.
Objektivi i FRONTEX, që do të nisë që nesër, është kontrolli i fluksit të emigrantëve, lufta ndaj krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Kjo është hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së.
Në këtë ceremoni nisjeje të këtij misioni të BE janë të komisioneri Dimitris Avramopoulos, Drejtori Ekzekutiv i Frontex-it Fabrice Leggeri, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm të Shqipërisë Sandër Lleshaj. Marrëveshja i mundëson Frontex-it, Agjencisë Europiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, të kryejë operacione të përbashkëta dhe të vendosë ekipe në kufijtë e përbashkët të Shqipërisë dhe BE-së.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh se operacioni me FRONTEX do të forcojë sigurinë në kufi për ndalimin e emigrantëve që synojnë të përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-së.

“Fillimi i operacionit shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Operacioni ka për qëllim rritjen e sigurisë së kufijve tanë. Çdo investim për më shumë siguri duhet të prodhojë më shumë liri. Angazhimi në fazën e parë të operacionit nga 11 vende të BE-së shpreh rëndësinë e madhe që i kushtohet atij. Rojet do të patrullojnë bashkë me shqiptarët për të arritur nivelin më të lartë. Personeli i shtuar, teknika moderne, standarde të reja në pikat e kalimit kufitar.
Ndër të tjera ministri u shpreh se numri i emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri është rritur në vitet e fundit. Lleshaj tha se në vitin 2018 numri i emigrantëve të paligjshëm është rritur 6 herë në krahasim me 2017.
“Është shënuar edhe rritje e emigrantëve të parregullt që duan ta përdorin Shqipërinë si vend tranzit, në 2018 ky numër u rrit mbi 6 herë, edhe gjatë këtij viti fenomeni ka vijuar të mbetet prezent. Me FRONTEX besojmë se do të forcojmë kapacitetet në krimin ndërkufitar. Ministria e Brendshme dhe policia janë të angazhuar për suksesin e plotë të operacionit që nisim sot dhe të interesuara për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit në luftën kundër krimit”, deklaroi ministri Lleshaj.

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë e cilësoi nisjen e këtij operacioni si një hap historik, pasi do të shërbejë për afrimin e rajonit të Ballkanit me BE.

“Me vendosjen e parë të ekipeve europiane të kufirit dhe roje bregdetare jashtë BE, ne po hapim një kapitull krejtësisht të ri në bashkëpunimin tonë për migracionin dhe menaxhimin e kufirit me Shqipërinë dhe me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky është një ndërrues i vërtetë i lojës dhe një hap me të vërtetë historik, duke e afruar këtë rajon me BE duke punuar së bashku në një mënyrë të koordinuar dhe reciprokisht mbështetëse për sfidat e përbashkëta, si menaxhimi më i mirë i migracionit dhe mbrojtja e kufijve të përbashkët”, u shpreh Avramopoulos.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij ka falënderuar Komisionerin e BE-së për Migrim dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos. Rama deklaroi se pa përkushtimin e Avramopoulos nuk do të ishte arritur ky projekt i rëndësishëm.
“Ndihemi vërtet krenarë që bëhemi pjesë e një projekti të rëndësishëm për Europën. Arsyeja tjetër është për faktin se jam këtu sot me një mik shumë të vjetër, që në disa role ka treguar me vepra një miqësi shumë të sinqertë ndaj Shqipërisë, Komisionerin e BE, Avramopoulos. Pa të edhe ky projekt zor se do të ishte imagjinuar dhe jo më realizuar. Do të doja ta falënderoj për praninë e tij dhe dedikimin ndaj një fushe që kur e mori detyrën m’u duk sikur i kishin lënë një detyrë të minuar të BE. Por sot është bërë një progres i madh. Prania e të gjithëve ju në Tiranë për Patrullimin e kufijve shqiptarë nga FRONTEX është një tregues i mbështetjes së BE ndaj Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë vuri në pah rëndësinë e këtij projekti dhe vetëdijen për të pasur sukses.

“Nisja e zbatimit të këtij projekti një marrëveshje që e bën Shqipërinë të jetë vendi i parë në Ballkan që do të monitorojë të gjithë perimetrin e jashtëm, përbën një arsye për të qenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të kemi sukses në këtë projekt.
Më këtë marrëveshje, në kthehemi në një kontributor të drejtpërdrejtë, por dhe në luftën kundër krimit të organizuar, e vendos në një pozicion më të veçantë, në aspektin e dhënies së kontributit por dhe përfitimet nga pjesëmarrja në këtë projekt”, tha ndër të tjera ai.
Kryeministri tha se kjo marrëveshje ka shumë përfitime sepse i hap rrugë bashkëpunimit të mëtejshëm me BE. Rama po ashtu tha se Shqipëria e vogël u bë i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore.
“Përfitimet janë disa, marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit të shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut, dhe përballimit të fluksit migratore nga vendet e tjera.
Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve të migracionit 6.7 herë më shumë në 2018 krahasuar me atë 2017, dhe 26.5 % më shumë këtë vit, janar-prill, krahasuar me një vit më parë.
Nuk jemi një vend ku ata që vijnë, shihen si rrezik apo si problem, për arsye të traditës sonë, dhe nuk jemi një vend ku janë dëgjuar ndonjëherë klithma për shkak të prurjeve nga vendet e tjera. Jemi një vend që jo shumë larg në kohë, ka strehuar gjysmë milioni refugjatë lufte në këtë vend të vogël, pa i kërkuar askujt asgjë, dhe siç e shikoni jemi këtu, jemi gjallë, shumë më mirë seç ishim në atë kohë. Jemi krenarë edhe për një faqe tjetër kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para luftës.
Shqipëria u bë streha nga ku asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë hebre nuk ju dorëzua nazistëve”, tha Rama.
Rama gjithashtu u shpreh se numri i shqiptarëve të paligjshëm në vendet e BE-së ka rënë me 27% sipas raportit të fundit të institucioneve të Brukselit, po ashtu edhe azilkërkuesit me 32%. Kreu i qeverisë theksoi se falë bashkëpunimit të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem emigrimi është minimizuar në shifra të papërfillshme.
“Nga ana tjetër na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në BE vazhdon të bjerë në mënyrë të ndjeshme, në raportin e 2018 të BE shkruhet se e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 27% shqiptarë më pak se një vit më parë dhe kërkesat për azil janë ulur me 32 % krahasuar me 2017 dhe falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit për këtë temë të vendeve partnere që u përballën me këtë fenomen, migrimi i paligjshëm i shqiptarëve është ulur në shifra të papërfillshme”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.

Në fund të fjalës së tij kryeministri Edi Rama u shpreh se shqiptarët janë të dashuruar me BE-në, por jo naivë në këtë dashuri të verbër për BE-në që sot kërcënohet nga verbëria ndaj historisë së BE-së.
“Ata që kanë ardhur nga jashtë sot dua t'u them që 93% e njerëzve mbështesin integrimin në BE. Nuk është arsye për të buzëqeshur me çudi se ne nuk jemi naivë në këtë dashuri të verbër për BE-në që sot kërcënohet nga verbëria ndaj historisë së BE-së. Ne jemi thjesht dhe vetëm pjesë e një territori që luftën nuk e ka parë thjesht në TV arkivat bardhezi apo përmes filmave, por e kemi pasur këtu. 500 mijë shqiptarë nga Kosova këtu i solli lufta, ashtu si në gjithë këtë rajon viktima të panumërta ka bërë lufta në kohën kur në BE-në lufta konsiderohej një çështje e zgjidhur e të shkuarës falë BE-së”, përfundoi Rama.

Kjo marrëveshje me Shqipërinë është nënshkruar në tetor 2018 dhe hyri në fuqi më 1 maj 2019. Është marrëveshja e parë e tillë që bëhet operacionale me një partner të Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshje të ngjashme u iniciuan me Maqedoninë e Veriut (korrik 2018), Serbi (shtator 2018), Bosnje dhe Hercegovinën (janar 2019) dhe Malin e Zi (shkurt 2019) dhe janë në pritje të finalizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë