Editorial

Ministrja e Shëndetësisë duhet të na tregojë strategjinë!

Në fillimet e pandemisë së Covid-19, në Shqipëri, madje, jo në fillim, por shumë përpara se të shfaqej rasti i parë në vendin tonë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu këmbëngulte duke thënë se qeveria ishte e përgatitur për të gjithë skenarët, kishte një strategji dhe një plan se si vendi do të përballej me pandeminë. Edhe kur u shfaq rasti i parë dhe erdhën me radhë rastet e tjera, ministrja na qetësonte duke na treguar se ishim të përgatitur deri edhe për skenarin më të keq. Në mendjen dhe vizionin e shumë shqiptarëve, skenari më i keq ishte Italia. Vendi fqinj po përballej me një pandemi që kishte dalë jashtë kontrollit dhe kishte thyer në mes deri edhe spitalet dhe mjekët, po i raskapiste në punë dhe orare të pafund, fizikisht dhe psikologjikisht, po i sëmurte dhe nxirrte jashtë funksionit dhe po i detyronte që për shkak të mungesës së shtretërve të zgjidhnin pacientët që duhej të vdisnin dhe ata që kishin shans për të mbijetuar.
Fatmirësisht Shqipëria nuk shkoi në asnjë moment tre muajt e parë të pandemisë në atë situatë. Përkundrazi, masat e izolimit – ndoshta më të fortat në Europë – i dhanë kohë sistemit tonë shëndetësor të merrte frymë, të njihej me virusin dhe me sëmundjen, të përshtaste mjekimet dhe të mësonte të gjurmonte një pandemi. Instituti i Shëndetit Publik deri në fillim të marsit nuk ishte përballur asnjëherë me një sëmundje të tillë tek njerëzit, por kishte situata epedemiologjike më të vogla. Kjo jo për të ulur apo mos vlerësuar mjekët dhe epidemiologët tanë – këta të fundit janë të pakët në numër – por për të dhënë të kuptohet se ishim një vend pa eksperienca gjurmimi dhe trajtimi të një sëmundjeje që përhapet në mënyrë të tillë në popullësi.
Tre, katër muaj më pas, shumë prej nesh po përballen me makthin që menduam se e kishim lënë pas ditët dhe javët e marsit dhe prillit dhe po shohim se si shtretërit e spitaleve po mbushen plot, se si virusi po depërton edhe tek ajo që duhet të ishte vija e fundit e mbrojtjes, mjekët dhe spitalet. Prej më shumë se një muaji shifrat po rriten frikshëm dhe luhaten në një mesatare prej 70-80 rastesh në ditë. Edhe kjo me aq pak tamponë sa bëhen. Fatkeqësisht.
Fatkeqësisht sepse nuk ka asnjë justifikim që mund të shfajësojë Ministrinë e Shëndetësisë që periudhën e mars-maj nuk arriti ta shfrytëzojë për të përmirësuar kapacitetet mjekësore në funksion të Covid-19. Ministrja e Shëndëtësisë nuk mund të thotë që ka ngritur spitalet Covid, ato që kishte lajmëruar që në shkurt se ishin gati në përshtatje të skenarëve. Spitali Infektiv ka ekzistuar edhe para Covid-19, “Shefqet Ndroqi” po ashtu, ata thjesht janë përshtatur për të përballuar panikun e valës së parë. “Covid 3” – ish-kirurgjitë e QSUT-së – filluan të ndërtoheshin në muajin qershor, kur u pa se situata kishte filluar të dilte jashtë parashikimeve rozë se virusi do të vritej në verë nga moti i ngrohtë. “Covid 4” që u përurua me aq bujë është veçse një spital karantinë. Nuk mjaftojnë vetëm përshtatja e sallave të një ish-universiteti në pavijone dhe dhoma për të sëmurët, apo të vendosësh shtretër për të thënë që ke ndërtuar një spital. Një spital ka nevojë edhe për aparaturat e nevojshme, por mbi të gjitha ka nevojë për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor të nevojshëm.
Shqipëria nuk ka mjekë, nuk ka infermierë, nuk ka as epidemologë që të përballojnë mesa duket daljen jashtë kontrollit të pandemisë. Prej gati pesë muajsh janë po të njëjtët njerëz që me gjithë mangësitë e tyre, punojnë çdo ditë pa pushim në të gjitha drejtimet e kësaj pandemie, me orare të zgjatura. Dhe është normale që ndjehen të mbingarkuar, të lodhur fizikisht dhe emocionalisht dhe të rraskapitur. Ky është një problem i madh dhe do të ishte gjithashtu edhe më i vogli, nëse ata nuk do të fillonin të çedonin edhe në në shpresën se kanë qenë duke bërë diça për të minimizuar pandeminë dhe përhapjen e virusit në popullsi, kur po ndodh e kundërta.
Ashtu sikundër edhe ne, masa e gjerë e mjekëve dhe epidemiologëve ka besuar vërtetë se Shqipëria ka pasur një strategji përballjeje me virusin, një plan për t’u përballur me virusin dhe anëtarët e komitetit teknik janë shprehur të sigurtë se do ta mposhtin virusin. Pa i hyrë analizës nëse vërtetë këta anëtarë të Komitetit Teknik që dalin më shpesh se spikerët e lajmeve në TV e mendojnë vërtetë se mund të mposhtin një virus që ekziston tashmë në të gjithë botën, pa e mposhtur e gjithë bota – gjë që nuk ka të ngjarë të ndodhë shpejt – një pjesë e atyre që kanë marrë rol drejtues në atë komitet dhe vetë ministrja e Shëndetësisë, ndoshta duhet të kërkojnë falje për ndonjë gabim që kanë bërë dhe të mos fajësojnë vetëm qytetarët që nuk po respektojnë masat. Pastaj Komiteti dhe ministrja duhet të thonë edhe se cila ka qenë dhe cila është strategjia që kanë menduar sot. Ministrja e Shëndetësisë tha së fundi se strategjia po funksion.
Në të vërtetë ne nuk e dimë ende se për cilën strategji ka folur ministrja e Shëndetësisë, ose shumica e shqiptarëve ka mendim ndryshe për strategjinë nga ai i ministres. Nëse do të flasim me termat e luftës me armikun e padukshëm të fillimit të pandemisë, strategjia në këtë luftë duhet të ishte ajo e kalimit me sa më pak pasoja. Nëse i përshtasim termat e luftës me situatën aktuale, ku pasojat (të plagosurit dhe viktimat) po rriten dita-ditës për më shumë se një muaj, strategjia është se si të dalim nga kurthi ku jemi futur apo na ka futur virusi, për të ulur numrin e të prekurve dhe të viktimave. Deri tani, tha ministrja e Shëndetësisë, strategjia po funksion. Deri tani ne nuk po shohim asnjë tendecë të uljes së numrave dhe vendi po shkon drejt një piku të ri. Për të mos bërë replika të tepërta, ka ardhur ndoshta koha që ministrja e Shëndetësisë të na thotë se cila është kjo strategji sot. Se për planin e masave për plotësimin e kësaj strategjie, atë (nuk) po e shohim përditë në terren. Të shpresojmë që strategjia nuk është ajo e rënies së lirë dhe mbushjes së rezervuarit – siç e përdorin infeksionistët rëndom termin për të dhënë të kuptohet plotësimin e ciklit nga vetë virusi. Çdo i sëmurë ka një koeficient infektimi (që njihet si R) dhe kur ky koeficent kalon në shifrën 1.1, edhe sistemi shëndetësor gjerman, siç tha kancelarja gjermane Angela Merkel hyn në krizë. Me këtë strategji dhe me këtë koeficent, në tetor e nëntor, qeveria rrezikon të vendosë sërish mbylljen dhe karantinën e rreptë për shkak se nuk do të ketë mundësi më të përballojë fluksin në spitale. Një masë që është konsideruar e fundit, por që mund të ishte fatale dhe me pasoja politike për Edi Ramën që do të paguante mosmarrjen e masave dhe strategjinë e gabuar, në mos të munguar të ministres së tij.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë