Ngjarje

“Më mirë një abone urbani apo një libër ?”

Anxhela Çelanji – Zgjohem në mëngjes dhe nisem nxitimthi për në shkollë. Marr autobusin e linjës së Kombinatit në Tiranë, e ndërkohë po mendoja të blija një libër të ri, më pas mu kujtua nisma e Bashkisë për ditën e sotme, ku bileta e qytetarëve do të ishte një libër. Që prej kohës së shkollës kisha mësuar se ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit, kishte lindur shumë kohë më parë në zonën e Katalonjës në Spanjë, ku nëse blije një libër do të dhuronin një lule, e ideja se në vendin tonë njerëzit inkurajohen për të blerë libra ishte fantastike. A vlejnë librat sa një biletë urbani? Sigurisht që jo, por nismat e tilla janë të vlefshme për këdo. Eci më tej në barkun e autobusit për të gjetur ndonjë vend ku mund të ulem dhe shikoj që të gjithë njerëzit janë të përqendruar diku, dikush bisedon më mikun e tij, dikush tjetër flet me faturinon duke u ankuar për kushtet e autobusin, e dikush tjetër është shumë i përqendruar në rrjete sociale. Qetësisht i afrohem një studenti, ndërkohë që po paguante biletën e autobusit dhe i them se pse nuk kishte marrë një libër sot, pasi është bileta falas. U kthye dhe më pa çuditshëm e në mënyrë të shpejtë, sikur donte të shpëtonte nga një problem, më pyeti “Është dita e librit sot?”.

Vjen stacioni ku do të zbrisja dhe mendova që ditën time sot t’ia dedikoja mitit se në këtë ditë, bileta e urbanit do të ishte një libër. Në mendjen time vërtiteshin shumë pyetje. A funksiononin këto nisma të institucioneve? Sa të informuar ishin njerëzit për to? Sa e donin shqiptarët librin? Teksa ecja për të shkuar në stacionin tjetër, në çdo centimetër rrugë mendoja se do të kishte një përgjigje. Kalova rrugën dhe mendova të pyes fillimisht në Qendrën e Koordinimit të linjës Kinostudio-Kombinat, linjës Kashar dhe linjës së Sharrës, e cila ndodhet në qendër. Ndryshe nga studenti, punonjësi i qendrës nuk më pa me habi dhe me shpjegoi se të gjitha linjat e urbanëve ishin të informuar për nismën e Bashkisë.
“Ne i kemi njoftuar të gjithë faturinot se është dita e librit sot dhe bileta do të jetë një libër, por a po shikon njeri me libër në dorë ti?,” u shpreh ai.

Nisem për të marrë urbanin e linjës së Saukut, për të shkuar në Fakultetit të Histori-Filologjisë, pasi isha informuar se atje po organizohej një panair libri. Të paktën studentët e letërsisë do të duhet ta vlerësonin këtë ditë, mendova. Teksa hipi në autobus, përpiqem të mbahem fort, pasi ka shumë njerëz dhe tek stacioni i radhës fatmirësisht mundem të ulem në një vend të lirë. Krah meje dëgjoj një zonjë rreth të dyzetave që pavetëdije tha “mirë që nuk kanë orar, por as janë të pastër”.

Në moment kthehem dhe e pyes “zonjë pse nuk keni marrë një libër, sepse e kishit biletën falas”. Më pa çuditshëm, më pas qeshi dhe më tha: “Pse nuk kam marr libër!? Ku ta gjej librin? Mua nuk më dalin lekët për të ngrënë bukë, e ti më thua libër, zgjohu goce je në Shqipëri”. Në atë moment doja të replikoja, por zëri i faturinaos që më pyeti “lekë apo abone” më ndërpreu. “Një libër”, i thashë dhe menjëherë mora vëmendjen e njerëzve që ishin përreth. Në atë moment kuptova se punëtori i qendrës së kontrollit kishte të drejtë: E kush donte t’ia dinte për librin!

Më Shumë