Rend dhe Ligj

Ka ende Reformë në (pa)Drejtësi…

Tre vite më parë Parlamenti do të miratonte me 140 vota pro ndryshimet kushtetuese, pas një presioni të fortë ndërkombëtar, ku më 21 korrik ai votim historik që bashkoi votat e PS-së dhe PD-së, do të sillte nisjen e procesit të reformës në drejtësi.
Dy ambasadorët e asaj kohe Donald Lu i SHBA-së dhe Romana Vlahutin e BE-së këmbëngulën në kalimin e paketës kushtetuese me një konsensus të plotë dhe kjo u arrit më 21 korrik. Lu e Vlahutin ishin në lozhën e Kuvendit në ditën e votimit dhe e duartrokitën fort këtë arritje. Ndërsa me mbarimin e mandatit, ambasadori Lu përpara largimit do të ikte me porosinë e kapjes së peshqve të mëdhenj.

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin në votimin e 22 korrikut në Parlament për ndryshimet kushtetuese

Tashmë kanë kaluar tre vite dhe se procesi me të gjitha pengesat e hasura që nga ankimimet në Gjykatën Kushtetuese, ka arritur të ngrejë Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, dy organet e reja të sistemit të drejtësisë, që cilësohen edhe “policia” e re ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë 800 gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në sistemin e vettingut i nisur në 2018-ën, e që tashmë pritet që të kemi rezultatet e para të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe më pas të zgjedhjes së kryeprokurorit të ri. Të gjitha këto pritet sipas parashikimeve të marrin udhë në shtator të këtij viti.

Opozita pas tre vitesh: Reforma e kapur
Pas zgjedhjeve parlamentare të 2017, si dhe kalimit të 30 ligjeve të tjera si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, opozita shfaqej akoma tepër skeptike duke akuzuar mazhorancën për kapjen e sistemit të ri drejtësisë. Për ish-deputetin e PD-së, Oerd Bylykbashin, e gjithë beteja e opozitës, atë ditë të nxehtë ishte për të zbatuar paragrafin e famshëm 88 te Opinionit te Komisionit te Venecias, i cili garantonte mos kapjen e KLGJ, KLP dhe organeve të vettingut.
“Ligjet që u miratuan më pas me votat e mazhorancës së asaj kohe shkelen, deformuan dhe zhbënë marrëveshjen e 21 korrikut dhe votën unanime të 22 korrikut. Ajo marrëveshje paskësh qenë sa për të kandisur Opozitën që të miratonte ndryshimet Kushtetuese që mazhoranca nuk i miratonte dot pa Opozitën, sepse më pas i kishin votat që u duheshin për të bere ç'të donin me ligjet. A ishte ky mashtrim?”, shkruan Bylykbashi në një status në Facebook.
Por, demokrati shprehet se kurrë nuk e mendonte se edhe sot pas tre vitesh reforma nuk do të kishte prodhuar ende institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, ndërsa sistemi i vjetër po bie me shpejtësi.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/10154321873074909/UzpfSTE1MTcwMzE2NzQ6MTAyMTk2NTI5MDc0MjI2OTY/?__tn__=lC-R&eid=ARCi8KuX-x2j0FrfUVD8zpLDaaIvcZmO9s8gO4FBGaer3iTwb77w2-jsQodI79Jo7YPGhR-c6wWshEx8&hc_ref=ARSoGzZ3-2mfXP7JGiRf8dgKRv0MOZPB3rHTbN_oRvH09qqVWlPCXFHZpboPfTX9AsI&__xts__[0]=68.ARDy7LBa-s-hPlz3gVI6YogMlc9-H1f7JQ8b4O62V2s87fbX2-y6NVMQUZpALosxC-dXRKekeeZ3VM7yQuudwvP6-rFZfo0o8KZ_1ujhIAQnGZIaHae2QekkoPYBS8zyudhQnFI8H2ztGd7EoZWs-fXXGLvV0J3AerYZI_-H7kymG6SScsFSQKi7DJ2wvc-M3OKhV0oK5Y4FRyRNW9iXLWel93aUmqGXRViWVAs8nskw_pO8lwBW_p8jtbur3BqhCMv2oIEKDMrf8PORqjTAf_26ah7yXoxvKZ7kBFcg3vlTMJirrphUtZmGrqazI-SGuStqk1rGIf79fV4b1X3Ia_M_oWn6


“Ky është fruti më i fundit i hidhur i reformës së 2016. Sot nuk kemi më Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë. EuRamalius paska propozuar që mund të emërohen gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë sa për të emëruar tre anëtarët që i duhen Ramës në Gjykatë Kushtetuese. Të përzihen rropullitë vetëm ta mendosh. Me herët kemi parë se si KLGJ dhe KLP u kapën, duke vënë në to persona kryekëput të lidhur me PS. Janë këta që do të caktojnë gjyqtarët dhe prokurorët‎ e ardhshëm që do të zëvendësojnë ata që po ikin nga vettingu. Do të krijojnë gardën pretoriane të Ramës në Drejtësi, që ta ruajnë atë ne 10-15 vitet e ardhshme nga drejtësia për maskarallëqet që po bën sot pa fund. Vettingun e kapën sepse në listën e kandidatëve kishin aplikuar vetëm të majtë ndërkohë që Opozita ishte ne çadër” – shkruan Bylykbashi.
Opozita, siç shprehet më tej Bylykbashi, shpreson se të paktën të mos kapen institucionet e tjera si SPAK, sepse “nëse nuk e kap politika, mund te kemi politikane, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar që shkojnë pas hekurave dhe jo thjesht t'i çojë vettingu në pension të shijojnë pasuritë që kanë vënë”.

Rama: Krenar për PS për reformën
Mazhoranca ndërkaq ka mbrojtur me forcë procesin e reformës në drejtësi dhe se për vijon të sulmojë opozitën duke e cilësuar si armike të drejtësisë së re. “3 vjet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e saj, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane. Krenar për PS dhe mirënjohës për miqtë e partnerët në këtë betejë për të ardhmen”, do të reagonte Rama në një mesazh të Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1153240440289841155

Kuvendi sot me rastin e trevjetorit të miratimit të Reformës organizoi një aktivitet ku u promovua botimi “Reforma në sistemin e drejtësisë”. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi në fjalën e tij u shpreh se reforma në drejtësi është e panegociueshme. “Pavarësisht pengesave, ngritja, plotësimi dhe vënia në funksion të plotë e organeve të reja të qeverisjes së sistemit është drejt përfundimit dhe pritet të realizohet në fillim të sesionit të ri parlamentar. Dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin tim personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Por ritheksoj se as reforma në drejtësi, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të sistemit nuk janë qëllim në vetvete. Sfida e vërtetë e reformës është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit. Për këtë, secili në këtë sallë e jashtë saj, Kuvendi, Qeveria, organet e qeverisjes së sistemit, organet e vetingut dhe të gjithë operatorët e sistemit, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë, duhet të reflektojnë e të zhvillojnë përgjegjësitë e veta”, tha më tej Ruçi.

Gramor Ruçi duke folur në takimin e sotëm


Ndërsa njeriu që udhëhoqi reformën në drejtësisë, socialisti Fatmir Xhafaj, këtë afat trevjeçar e cilësoi si një periudhë tranzitore që do të kalojë shumë shpejt. “Dikush po vajton hallin e drejtësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë çirren se reforma po kapet! Harrojnë që deri dje që gjykata e lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijëra çështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijëra dosje në pritje, me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqësorit dhe për më tepër në një proces ku drejtësia blihej dhe shitej si mall tregu nën presionin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë dhe krimit. Deri dje Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, çdo institucion i sistemit si dhe vet karriera e gjyqtarëve e prokurorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i kartonave të pushtetit të radhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton një sistem të qëndrueshëm karriere të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi bazën e vlerave dhe integritetit, të pandikuar e kushtëzuar nga politika dhe pushteti i saj”, tha Xhafaj.

Takimi i sotëm për trevjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi


Sipas tij, prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtor militant politikë dhe nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me institucionet e reja të drejtësisë penale, me SPAK dhe BKH të formuar me gjyqtarë, prokurorë e polic të skanuar në filtrat e vettingut, të emëruar mbi një proces konkurrimi pa asnjë pikëlidhje me politikën dhe kryesorja nën një monitorim të fortë ndërkombëtar nga misionet e asistencës të SHBA e BE.
Për reformën në drejtësi edhe ambasada amerikane do të mbante një status në rrjetet socialiste duke u shprehur se të korruptuarit duhet të dalin përpara drejtësisë. Me anë të pamjeve nëpërmjet një video, ambasada e SHBA shprehet se reforma në drejtësi do të bëjë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe se procesi i Vettingut është i drejtë pasi po monitorohet nga ndërkombëtarët.

Presidenti Ilir Meta, i cili tre vite më parë ishte në koalicion me PS-në dhe mbante postin e kryetarit të Kuvendit u shpreh se “sot kam një falënderim të veçantë për Komisionin e Venecias, për të gjithë ekspertizën e vyer e të pakursyer, që na dha në atë proces. I lumtur që i qëndrova besnik rekomandimeve të këtij Komisioni për reformën kushtetuese, që garantonin pavarësi dhe paanshmëri të drejtësisë nga politika”.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/1724479084363810/


“Lidhur me çështjen se kur do të çelen negociatat, kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë sovranitetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike, gjithpërfshirëse dhe të gjithëpranuara, për çdo nivel përfaqësimi politik dhe institucional. Fillimi i negociatave do të jetë i mundur kur zbatimi i Reformës në Drejtësi të shkojë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së interesit publik, dhe garantimit të të drejtave demokratike dhe lirive themelore të qytetarëve të Shqipërisë”, thekson Meta, i cili publikon në Facebook videon e seancës së miratimit të reformës.

Boshllëqet në gjykata dhe emërimet e përkohshme
Sot pas tre vitesh institucionet e drejtësisë po mbeten në mungesë funksionimi, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë shkrirë nga procesi i vettingut. Në Kushtetuese ka mbetur vetëm Vitore Tushaj, së cilës i ka mbaruar mandati por qëndron në detyrë. Ndërsa te Gjykata e Lartë, ka mbetur pezull “fati” i kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili pas vendimit për kalimin e Vettingut në fazën e parë, i është në përballjen me shkallët e tjera të procesit të Vettigut.
Gjithsej janë 800 prokurorë e gjyqtarë që i nënshtrohen procesit të vlerësimit kalimtar, i njohur ndryshe me emrin “vetting”. Si listë prioritare iu është dhënë Gjykatës Kushtetuese, së Lartë, Prokurorisë dhe atyre gjyqtarëve që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK apo Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Komitetit Shqiptar i Helsinkit në një raport mbi monitorimin e procesit të vettingut thekson se vonesat e sipërpërmendura kanë ndikuar në mosplotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese, në gjykatat/prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm për shkak të dorëheqjeve të dhëna në kuadër të vettingut si dhe në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë.

Procesi i Vettingut sipas KSHH-së

“Vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese janë tepër shqetësuese dhe kanë paralizuar krejtësisht veprimtarinë e këtij institucioni me funksione të rëndësishme kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, dhe në mënyrë të veçantë për kërkesat për papajtueshmëri të ligjeve me Kushtetutën si dhe ankesat e individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë kushtetuese. Këto vonesa mund të kenë sjellë pasoja ose mund të kenë dëmtuar eficencën e gjykimit dhe drejtësinë e kërkuar nga qytetarët edhe në Gjykatën e Lartë”, thuhet në raport.
Sipas shifrave zyrtare Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që disponon Gazeta SI nga 800 persona në listë për vettigun deri më tani janë dhënë 76 vendime për konfirmim në detyrë, 67 vendime për shkarkime nga deyra.

Ndërsa janë dhënë 14 vendime për ndërprerje të procesit të Vettingut për shkak të dorëheqjeve që kanë bërë subjektet e ndryshme të vlerësimit. KPK ka marrë 8 vendime për pushim çështje për shkak të dorëheqjeve të paraqitura. Ndërsa janë 16 vendime pa një vendim përfundimtar, cilësohet si të tilla për shkak se subjekteve, gjyqtarë apo prokurorë kanë dalë në pension. Janë 181 vendime nga KPK gjithsej, në një kohë që një pjesë e vendimeve të dhëna janë ankimuar në shkallët e tjera në Komisionin Posaçëm të Apelimit, qoftë nga gjyqtarë apo prokurorë të shkarkuar, apo dhe nga ekspertët e huaj si pjesë e Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisonieri Publik. Të gjendur mbi situata të paparashikueshme mazhoranca fillimisht mori vendim për të zgjedhur Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme. Në dhjetor të 2017 u bë zgjedhja e Arta Markut nën kontestime të forta të opozitës. Ajo mori 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim dhe do të qëndronte në detyrë deri sa KLP-ja të zgjidhte Prokurorin e ri të Përgjithshëm.

Betimi i Arta Markut në Parlament nën protestat e opozitës

Po bëhen dy vjet dhe se ende nuk ka një kryeprokuror, ndërsa procedurat kanë nisur ku vetë Arta Marku ka paraqitur kandidaturën e saj. Ndërsa për shkak të vakuumeve të krijuara KLP po emëron prokurorë të përkohshëm. Sot pikërisht në këtë trevjetor, KLP dha vendimet e para për Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar prokurorët e përkohshëm në Prokuroritë e Rretheve, Krimeve të Rënda dhe në atë të Tiranës. Tashmë deri në mbylljen e këtij procesi ku shqiptarët janë me sy për krijimin e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, në sistemin e drejtësisë pritet të ketë sërish vendime për emërime të përkohshme. Ndërkaq për këtë ka edhe një propozim edhe nga misioni Euralius, që ka sugjeruar gjyqtarë të përkohshëm edhe në Gjykatën e Lartë apo dhe asaj Kushtetuese.

Kur të gjithë shpresojnë te drejtësia e re, ende po vërehen akte të çuditshme si ajo e Gjykatës së Durrësit ku u dhanë dy vendime të ndryshme për një të njëjtën çështje, për mandatin e kryetares së Bashkisë së Durrësit. Vendimi i parë rrëzoi kërkesën e kandidates, ndërsa PS-ja riparaqiti edhe një herë kërkesën në emër të kryeministrit Edi Rama, kreut të PS-së, për të njohur mandatin. E njëjta gjykatë dha dy vendime të ndryshme; këtë disa analistë e komentuan si shenjë presioni apo frike që kanë gjyqtarët nga procesin i vettingut.

Mazhoranca mund të mburret për procesin e reformës në drejtësi, por fakt është se Shqipëria po përjeton një epokë të re në sistemin e drejtësisë, atë të caktimit të titullarëve në gjykata dhe prokurori në mënyrë të përkohshme; çka nuk duket aspak ligjore dhe aq më pak logjike!

Shifrat e Vettingut
Në total janë 800 gjyqtarë e prokurorë për t’u vlerësuar KPK ka dhënë 181 vendime deri më 22 korrik
76 vendime për konfirmim detyre
67 vendime për shkarkim detyre
14 vendime për ndërprerje procesi për shkak të dorëheqjeve paraprake të subjekteve
8 vendime pushim procesi sipas nenit 56 te ligjit nr. 84/2016 dorëheqje
16 vendime për përfundim procesi pa një vendim përfundimtar (dalje në pension)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë