Editorial

Lutuni për Infermierët!

Ka një shifër interesante për t’u marrë në konsideratë: Gati gjysma e të infektuarve zyrtarisht çdo ditë nga COVID-19 shtrohen në spital. Pjesa tjetër mjekohet në shtëpi.

Minimalisht kjo shifër na tregon se jo pak qytetarë kanë nevojë për ndihmën e një infermieri. Është e vështirë të llogariten saktë se sa, por Gazeta ka folur shpesh me infermierë, të cilët jashtë turnit zyrtar, kryejnë shërbime të mbingarkuar nëpër familje.

Sot në të gjithë Shqipërinë ka vetëm 15 mijë infermierë. Është lehtësisht e imagjinueshme që me këto rimte infektimi, sikur të gjithë infermierët të shërbenin edhe në shtëpi pas pune, ata nuk mjaftojnë. Nëse këtë numër do ta zhveshim se shumë pak prej tyre kanë përfituar një eksperiencë me COVID dhe plot të tjerë nuk kanë cilësitë e duhura profesionale aq sa dhe spitalet COVID janë të paplotësuar me stafe, rezultati i dhimbshëm është i pashmangshëm: Ne kemi nevojë urgjente për më shumë infermierë.

Ata janë më të kërkuarit sot, po më të pavlerësuarit dhe të patrajnuarit. Për ta mungon respekti.

Megjithëse pandemia do të jetë e përkohshme, ne do të kemi gjithmonë nevojë për ta. Tregu është i uritur dhe Shqipëria që sot në dukje duket sikur ka mbiprodhim infermierësh, do të mbetet gjithmonë në nevojë emergjente për ta.

OBSH ka parashikuar se të paktën 10 vitet e ardhshme e gjithë bota do të ketë nevojë për të paktën 6 milionë infermierë shtesë. Vendet e pasura i kanë të gjitha mundësitë dhe mjetet për të thithur nga vendet e varfra si Shqipëria këto kategori.

Imagjinoni çfarë krize ështe aq sa edhe India e Filipinet që janë eksportuesit më të mëdhenj të infermierëve në botë, pritet që të paktën dekadën që vjen të kenë një deficit infermierësh prej rreth 250 mijë infermierësh për secilin vend, sipas OBSH-së.

LEXO EDHE:
Tregu i varfër, botës i duhen më shumë infermierë

Shqipëria, e cila që para pandemisë është në krizë të  cilësisë dhe numrit për infermierë të kualifikuar për shkak të emigrimit të lartë të tyre, do të jetë në një krizë e cila edhe kur pandemia të kalojë, ajo do të na shoqërojë gjatë.

Në Shqipëri prodhohen me diplomë 800-1000 mijë infermierë në vit. Duket sikur shëndetësia furnizohet bollshëm. Por në fakt kërkesa për këtë produkt është e injoruar për vetitë e tij dhe çmimi i tij është rritur. Vetëm tani u kujtuam se sa i rëndësishëm është shërbimi i infermierëve, por në fakt prej kohësh këtyre njerëzve iu kemi dhënë në këmbim çmim të nënvlerësuar.  Presidenti i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jacaj i tha gazetës “Si” disa ditë më parë në një intervistë se  infermierët janë të keqtrajtuar që në auditore dhe orët e praktikës. Ai dyshon për marrëveshje okulte, punësimi e praktikash për ta. Infermierët janë të keqpaguar.

Kur ujërat të qetësohen nga furia e pandemisë, sërish ata do të harrohen. Dhe shumë prej tyre do të emigrojnë. Tregu i uritur botëror dhe në nevojë urgjente për infermierë do të rritë fuqitë tërheqëse dhe Shqipëria sërish do të jetë në një krizë. Pandemia na dha një mësim të mirë, i cili duhet të jetë shumë i vlefshëm për të ardhmen. Duhet të mendojmë për më shumë infermierë dhe me integritet profesional, status dhe të mirëpaguar. Sot ata, së bashku me mjekët, janë zotat e luftës ndaj koronavirusit. Por nuk duhet t’u lutemi zotave vetëm atëherë kur kemi nevojë, pa besuar më parë tek ata.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura

Më Shumë