Njerez

Lira është e verbër, por nuk do të ketë as para

Mes të verbërve që protestonin sot në Tiranë, përpara Kryeministrisë ishte edhe Lira Qose. Zonja 54-vjeçare nga Durrësi, gjysmën e jetës e ka kaluar në verbëri dhe e sëmurë nga zemra e diabeti. Me sytë që nuk i shikojnë por të përlotur, ajo thotë për Gazetën “Si” se nga kjo protestë pret që të paktën të sigurojë një fish (letër) më shumë në ditë për të matur diabetin edhe pse asaj i duhen tre të tilla.
“Unë jetoj vetëm se burri më ka vdekur dhe marr pension invalidi, 11.900 lekë që nuk më dalin as për të blerë letrat e diabetit”, thotë ajo. Një letër diabeti kushton 50 lekë dhe Lira duhet të shpenzojë vetëm për to 150 lekë në ditë ose gati gjysmën e pensionit mujor.
“Po kush e di sa do të rrojmë ne mosha e tretë,” thotë ajo e përlotur, ndërkohë që teksa largohej disa mikesha të saj i thanë “pse fole moj?!”.

Fotografi nga protesta e të verbërve, ku mes tyre është edhe Lira. 15 tetor 2019, Gazeta “Si”, Foto Arben Çeli

Sot ishte dita ndërkombëtare e të verbërve që ndryshe quhet “Dita e Shkopit të Bardhë”. Përpara kryeministrisë ishte edhe Tosi (emri i plotë nuk bëhet i ditur për arsye personale) sëbashku me gruan e tij Mira. Ai tregon për Gazetën “Si” se bën pjesë në grupin e parë të të verbërve, që është totalisht i verbër. Ai e ka humbur shikimin në punë dhe prej 20 vitesh ka mbetur në shtëpi pa punë, edhe pse ka mbaruar shkollën e lartë për Drejtësi.

Fotografi nga protesta e të verbërve, 15 tetor 2019, Gazeta “Si”, Foto Arben Çeli

Tosi tregon se jeton në një prej banesave sociale, ku paguan edhe qira. Ai merr 12 mijë lekë, ndërkohë që paguan 11.1 mijë lekë qiranë.
“Jam tepër i zhgënjyer nga politika e 30 viteve të fundit. Politikanët asnjëherë nuk i kanë marrë parasysh të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe nuk kanë shtuar asnjë lekë në pagesën e tyre, përveçse i kanë përgjysmuar,” tregon ai.
Ai jeton në katin e pestë të një pallati në Shkozë dhe del shumë rrallë nga shtëpia, pasi nuk mundët të zbresë pesë kate për ditë.
“Pallati nuk ka ashensor dhe e kam të pamundur të dalë për ditë vetëm sepse mund të bie nga shkallët,” i tha Tosi Gazetës.
Gjatë muajit mars Ministria e Shëndetësisë, referuar shifrave të Shërbimit Social, njoftoi se do të ndërrmarë një reformë në skemën e trajtimit financiar të personave me aftësi të kufizuar, duke synuar kursimin e fondeve në vitet e ardhshme, por Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë e kundërshtoi reformën sepse sipas përllogaritjeve të tyre, rezulton që personat me aftësi të kufizuar të marrin një tarifë të përgjysmuar.

Fotografi nga protesta e të verbërve, 15 tetor 2019, Gazeta “Si”, Foto Arben Çeli

“Unë marr 12 mijë lekë si person me aftësi të kufizuar dhe 12 mijë i merr gruaja si shoqëruese, së bashku na bie të marrim rreth 24 mijë lekë në muaj(ndërkohë që vajza e tyre eshtë ende në shkollë dhe e papunë, pagesa e të dyve bashkë është më pak se pagesa minimale për një person në vendin tonë). Me kaq lekë ne mbahemi, ushqehemi, vishemi, dërgojmë dhe fëmijët në shkollë. Si mund të na dalin kaq lekë, mendo pastaj të përgjysmohet edhe tarifa e shoqëruesit, që sipas këtyre do shkojë 6 mijë lekë ne i bie të marrim në total vetëm 18 mijë lekë, e për ca na del?,” shprehet i revoltuar Tosi, ndërkohë Mira, bashkëshortja e tij tregon se hera herës përpiqet, që ta lejë bashkëshortin e saj vetëm dhe të kërkojë ndonjë shtëpi për të pastruar.
Leonard Agalliu, kryetar i shoqatës së të verbërve në Tiranë shpjegon për Gazetën se qëllimi i kësaj proteste është për të anashkaluar goditje e pagesës së verbërisë.
“Qëllimi është të informojmë të gjithë opinionin për t’u njohur me situatën aktuale sepse ka edhe grupe të tjera ë aftësisë së kufizuar që janë mes nesh, por punojnë kundra nesh. Nëse një person merr aktualisht 120 mijë lekë të vjetra tani, me përllogaritjet që vijnë nga reforma i bie të marrin 105 mijë lekë për një të verbër, ndërkohë që reforma prek edhe pagesën e kujdestarëve të grupit të parë,” shprehet ai.

Edhe pse në shesh ishin një grup shumë i vogël, statistikat tregojnë se në vendin tonë 12.330 persona kanë statusin e të verbrit dhe i vetmi përfitim që kanë nga ky status është vuajtja e tyre. Një ditë më parë qeveria shqiptare ka marrë një raport nga OKB, ku kritikohet për shkak se personat me aftësi të kufizuar janë të përjashtuar nga jeta publike, duke përfshirë privimin e lirisë, shtrimin e detyruar dhe trajtimin e detyruar të personave me aftësi të kufizuar.
Ardjan Hysa, Presidenti i Shoqatës së të Verbërve, tregon për Gazetën “Si” se që prej prillit të këtij vitit, kur shoqata ka ngritur shqetësimin për reformën e prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nuk është bërë asnjë ndryshim.

Fotografi nga protesta e të verbërve, 15 tetor 2019, Gazeta “Si”, Foto Arben Çeli

“Asnjë gjë nuk është marrë parasysh, por falë përpjekjeve tona, falë mbështetjes që kemi pasur nga dashamirësit tanë ndërkombëtarë, kemi arritur që t’i dërgojmë ankesat tona në OKB dhe ata e kanë materializuar me dokument për qeverinë dhe kjo e fundit, duhet t’ia shpërndajë institucioneve si gjykatës, prokurorisë, bankave, bashkive”, thotë ai.
Tosi dhe Lira janë të vendosur për të çuar deri në fund qëllimet e tyre, edhe pse rruga deri në Bulevard ka qenë shumë e vështirë për ta sepse nuk ka asnjë infrastrukturë rrugëve që i lehtëson kalimin të verbërve.
“Gjë tjetër nuk na ka ngelur dhe nuk do të jetë çudi nëse ne do të përshkallëzojmë protestën.. Ky është vetëm fillimi”-thotë Ardjan Hysa.

 

Më Shumë