Albin Kurti ka bërë publike sot emrat e qeverisë së tij i vetëm, pa LDK-në. Para takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, kreu i Vetëvendosjes i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje.
Nëpërmjet një dalje në rrjetet sociale, Kurti ka bërë publike edhe propozimet për ministra, duke i kërkuar kreut të LDK-së, Isa Mustafa që edhe ai të propozojë pesë emra.
Ai e ka pranuar se do të shkojë në takim me presidentin Thaçin pa pasur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e përdorur video-mesazhin e publikuar në rrjetet sociale si një ftesë për LDK-në.
“Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen VETËVENDOSJE subjekt e parë efitues. Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me Presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Pavarësisht përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk mu mundësua një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i VV ka thënë se nuk ka kohë për të humbur dhe i bërti thirrje LDK-së që të propozojë emrat e ministrive.
“Të dashur qytetarë të Republikës, Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na gjejë pa qeveri. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike, e të gjithëve e për të gjithë. I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që të më dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”, shton ai.
Lideri i VV-së ka bërë thirrjë që të fillohet puna për krijimin e qeverisë.
“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, përfundoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



