Shendet

Kur duhet të flasim me fëmijët për seksualitetin?

Shumica e prindërve shqiptare, e kanë të vështirë të bisedojnë me fëmijët e tyre për seksualitetin, apo të diskutojnë tema që kanë të bëjnë me dëshirat e tyre seksuale. Prindërit dhe komunikimi i tyre luan një rol shumë të rëndësishëm, për sa i përket aktivitetit seksual të fëmijëve.
Psikologja Arta Naçi thotë për Gazetën “Si” se t’u flasësh fëmijëve për këtë temë është e vështirë, por e domosdoshme.
“Arsyet pse ka vështirësi për komunikimin e prindërve me fëmijët për këtë temë janë dy kryesore. E para shumë prindër e kanë të vështirë ta perceptojnë fëmijën e tyre seksualisht aktivë dhe ndjehen në “siklet” po të prekin këto tema që konsiderohen “të nxehta”. Ndërsa tjetra është se kur fëmijët rriten dhe hyjnë në fazën e adoleshencës, nga ana e të rriturve ekziston tendenca e të menduarit që të folurit për seksualitetin është një inkurajim për të pasur marrëdhënie seksuale dhe si rrjedhojë prindërit e shtyjmë këtë temë për një kohë të më vonshme” shprehet ajo.

Psikologja Arta Naçi

Fakti “të mos flasim se është turp” gjithmonë na sjell pasoja të cilat shpesh herë prindërit nuk i mendojnë. Përgjithësisht ata shikojnë sjelljen e fëmijëve në komunitet dhe nuk komunikojnë me ta nëse nuk i’u duket e nevojshme. Zakonisht prindërit shqiptarë janë të prirur të zgjidhin probleme të caktuara dhe jo t’i parandalojnë ato, për sa i përket sjelljes së fëmijëve. Por mos komunikimi për marrëdhëniet seksual në mosha të ndryshme dhe të pambrojtura sigurisht që ka pasoja të mëdha. Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të vajzave që bëhen nëna në moshë të re. Mjekët gjinekologë në vendin tonë herë pas here bëjnë thirrje, për moshën e vogël të vajzave që bëhen nëna dhe kjo vjen edhe si pasojë e mos komunikimit dhe mentalitetit.

Sociologu Gëzim Tushi shprehet për Gazetën “Si” se kjo temë ka shumë dilema dhe pa qartësi në shoqërinë tonë, për shkak të tabusë që qëndron në Shqipëri mbi ligjërimin e seksualitetit.
“Padyshim në kulturën shqiptare tradicionale e moralistike akoma nuk është e lehtë që të flasësh me fëmijët për seksin. Është punë e vështirë. Por është një investim për të mirën e fëmijës, për formimin e drejtë të bazave të kulturës seksuale e rrjedhimisht edhe të personalitetit të tyre integral si qytetarë dinjitozë të shoqërisë tonë” shprehet ai.

Sociologu Gëzim Tushi

Një tjetër problem që hasim në shoqërinë tonë është edhe fakti se prindërit nuk janë të informuar dhe nuk kërkojnë këshillim nga specialistët, për kohën dhe mënyrën se si duhet të flasin me fëmijët për seksualitetin, edhe pse ekspertët mendojnë se nuk ka një moshë të përcaktuar se kur duhet të nisi komunikimi mbi këtë temë në marrëdhëniet prindër-fëmijë. Psikologja Arta Naçi i thotë Gazetës Si se nuk ekziston një recetë që tregon se kur është kohë e duhur për të nisur një dialog në lidhje me seksualitetin, pasi gjithsecili nga të rriturit mund të gjejë momentin e duhur duke përfituar nga momenti që fëmija bën pyetje.
“Hapi i parë është të pranoni fëmijën tuaj si një person me një seksualitet personal. Është e rëndësishme që përgjigjet tona të kenë një përmbajtje reale duke shfrytëzuar dhe shembuj. Përgjigjet duhet të modulohen në bazë të moshës dhe varen shumë nga lidhja komunikuese që prindi ka me fëmijët e tij,” shton Naçi.
Ndërsa, sociologu Gëzim Tushi e shikon kulturën seksuale dhe njohuritë morale, një lloj garancie për të ndërtuar vijën ndarëse të asaj që është e lejuar nga ajo që nuk është. Sipas tij, komunikimi për seksualitetin është pjesë e kujdesit preventin për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet e abuzimit dhe krimit seksual minor. Ai shprehet se komunikimi duhet të nisë që në paradoleshencë.

Të flasësh për seksin shpesh herë konsiderohet si i turpshëm nga prindërit shqiptarë, por pavarësisht se sa e “sikletshme” është ekspertet mendojnë se duhet të bisedoni me fëmijët tuaj për seksin. Duke e bërë këtë, do të ndjeheni të sigurt që ata të kenë qasje në edukimin gjithëpërfshirës të seksit, e kështu do të jenë më të sigurt.
“Ne nuk mund të ecim me moralin e “strucit” në kushtet kur seksi gjendet kudo dhe fëmijët “bien në kontakt” përmes televizorit, pamjeve pa censurë në filma dhe reklama. Prindërit kanë akoma një kornizë të kufizuar për ligjërimin seksual me fëmijët e tyre. Sidomos në periudhën e paradoleshencës. Por kjo “stigmë prindërore” në vendin tonë ka kosto, sepse fëmijët diskutojnë në rrethana të rastësishme dhe me njerëz që jo gjithnjë transmetojnë kulturalisht informacionin për seksin dhe përjetimet moshore të seksualitetit të tyre. Në kohën e sotme paradigmat kanë ndryshuar,” i thotë Tushi Gazetës.

 

Më Shumë