Biznes

Krutania që shiti qilimin e pajës

Sabina Veizaj – Ajo kujton se qilimin e pajës ia ka shitur ambasadorit amerikan të akredituar në Shqipëri në vitin 2000. Atë vit zë fill edhe biznesi i saj i punimit të qilimave në tezgjah me motive tradicionale të trevave shqiptare.

Zotit Joseph Limprecht as ia mban mend emrin, aq shumë ujëra kanë rrjedhur qysh atëherë, por Dallëndyshe Tabaku është shumë e kënaqur me punën e saj, edhe pse thotë se artizanati me vështirësitë dhe orët e pagjumë, nuk të bën të pasur.

Dallëndyshja pak më shumë se 50 vjeç është një prej 3000 punonjëseve që kishte Ndërmarrja Artistike e Krujës që u mbyll në 1993-in.

Ajo çfarë ka mbetur prej asaj miniere të Trashëgimisë së Vlerave Kulturore të Vendit janë vetëm 7-8 gra, të cilat pavarësisht se e rizgjuar profesionin për çështje mbijetese, sot kanë mision ta zhvillojnë e ta trashëgojnë pavarësisht se iu duket një mision gati i pamundur.

“Kam mbi 30 vite që e ushtroj këtë profesion. E kam mësuar në ish ndërmarrjen artistike të Krujës. Nuk e kam të trashëguar, e kemi mësuar në regjimin komunist. Ka qenë një politikë e mirë për afrimin e brezit të ri për të mësuar zanatet në atë kohë për të zhvilluar dhe ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore dhe traditën. Traditat i kemi të bukura.”- më rrëfen Dallëndyshja teksa i dëgjoj të bijën në krahë të komunikoj në gjuhën angleze me një turiste të huaj që i shpjegon për cilësinë e lartë të argjendit shqiptar.

Dallëndyshja duke punuar në tezgjah

Jemi në panairin e Grave sipërmarrëse. Dallëndyshja dhe e bija studente e stomatologjisë kanë mbërritur në Tiranë nga Kruja me punimet e tyre dhe të disa prej kolegëve të tyre.

“Pasi përfundova gjimnazin, nuk pata mundësi të vazhdoja ekonomikun e lartë, u detyrova të mësoja këtë profesion. Nuk më ka pëlqyer në fillim, kisha prioritet të vazhdoja shkollën e lartë, por pamundësia financiare më bëri që ti futesha punës. Kemi qenë të varfër dhe u detyrova të mësoja këtë profesion. Në fillim jo me dëshirë, por siç themi ne shqiptarët që oreksi vjen duke ngrënë, avash- avash nisi duke më hyrë në gjak.”- vijon të më tregojë Dallëndyshja duke më shpjeguar se profesioni ia ka vlejtur dhe se me të ka rritur fëmijët e ka mbajtur familjen.

Dallëndyshja ka ngritur një biznes familjar. Ka një mjedis me qira në pazarin e vjetër të Krujës. Ajo thotë se punon çdo ditë, 360 ditë të vitit dhe kryesisht me orar të zgjatur deri në 16 orë.

Pazari i Vjetër i Krujës

“Konkurrenca luftohet me korrektësi dhe ndershmëri”- më thotë e bindur e kujton vështirësitë e fillimit.

“Kur e nisa në fillim biznesin e hapa me vullnet dhe dëshirë të madhe. Nuk kisha para të investoja. Kam marrë qilimat e pajës që kam hapur dyqanin. Qilimi i parë është blerë nga ambasadori amerikan në vitet 2000. Kur e shita qilimin e pajës më pikoi, por isha e ndërgjegjshme që duhet të vetësakrifikohesha.”

Ish Ambasadori Limprecht që u nda nga jeta në vitin 2002 në veri të Shqipërisë, ia bleu qilimin e pajës Dallëndyshes për 300 $. Klientët e Dallëndyshes janë 50% të huaj e 50% shqiptarë. Por siç më vëren ajo, të huajt veçanërisht e vlerësojnë shumë punën e dorës, “e dashurojnë” – thotë Dallëndyshja.

“Turizmi shqiptar po nxit që artizanati të jetë trend dhe ti afrojë njerëzit me traditën. Traditë që kishte humbur, por që po kërkohet sepse sillesh nga sillesh do shkosh sërish tek vetja.”- më shpjegon Dallëndyshja.

Produktet që ajo prodhon janë qilimat tradicionalë me motive të të gjitha trevave shqiptare brenda dhe jashtë kufijve si Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Çamëria.

Përpos qilimave, Dallëndyshja provon për herë të parë që prej dy vjetësh të prodhojë portofol e çanta po me motive popullore tradicionale të trevave të shqiptarisë.
Ajo i jep një meritë të veçantë vajzës dhe bashkëshortit që e ndihmojnë.

“Kam futur çantat dhe suveniret si produkte të reja, me qëllim që turisti kur të vijë në Krujë të mos largohet pa marrë diçka nga artizanati im; Artizanale Tabaku. Edhe kur nuk mundet të blejë një qilim apo rrugicë”- më sqaron Dallëndyshja.

Qilimat që prodhon Artizanale Tabaku kushtojnë 6000 lekë/m2. Qilimat e vegjël nga 600 lekë – 2500 lekë. Produkti më i shtrenjtë është qilimi 3X4 dhe kushton 70000 lekë .
Portofolat kushtojnë10-15 euro në varësi të përmasave, kurse çantat nga 25 – 80 euro.

Dallëndyshja këmbëngulë të më bëjë të ditur se të gjitha produktet në çdo kohë janë 100 % artizanale. Madje, më thotë ajo “ në mjedisin që e kemi me qira ku shesim, aty edhe punoj. Në këtë mënyrë turistët zgjedhin fijet dhe shohin që unë i bëj 100 % me dorë produktet që ata dëshirojnë. Gjithashtu ata kanë mundësi të pyesin dhe të informohen për kulturën dhe historinë”.

Në panair në Tiranë për 100 vjetorin e Pavarësisë

Ajo më flet me krenari jo vetëm për punën e saj, por për artizanatin në përgjithësi e veçanërisht për atë të Krujës. Ajo mandej gjatë bisedës do të më tregojë se me marketingun e shitjen merret i shoqi, por nuk e kupton se sa e zonja dhe sa mirë e bën edhe vetë marketingun.

“Kruja është njohur për zeje dhe vazhdon të njihet; që nga bakri, veglat muzikore, çiftelia për të cilën na njeh e gjithë bota, qilimat. Këto produktet që kam marrë në panair janë nga kolegët e mi artizanë në Krujë; çorape të leshta, me lëkurë, papuçe për kostumet popullore, druri, argjendi, kostumet popullore., etj”

Dallëndyshja më tregon se puna në Krujë është sezonale, nuk është vjetore.
Por në sajë të rrjeteve sociale, ajo sëbashku me familjarët që punojnë për këtë biznes artizanal, kanë arritur të punojmë gjatë gjithë vitit me porosi.

Klientët e saj që porosisin përmes internetit janë trupat diplomatike, bashkëpatriotët që punojnë e jetojnë jashtë, vendas që i duan motivet popullore tradicionale dhe vendas që duan të bëjnë dhurata për brenda e jashtë vendit.


“Të them të drejtën e kam menduar eksportin dhe e kam si dëshirë, më rrëfen Dallëndyshja tek e pyes nëse e ka shpënë ndonjëherë nëpër mend t’i eksportojë produktet e saj jashtë meqenëse janë shumë të kërkuara, por është shumë e vështirë, më thotë. “Jemi biznes i vogël dhe eksporti ka kosto marramendëse”

Pavarësisht se tezgjahu i ka falur një dashuri të madhe në mbi 30vite punë me të, pamundësia ekonomike për të eksportuar e bën atë që të rri brenda kufijve.

“Të them të drejtën e kam menduar eksportin dhe e kam si dëshirë, më rrëfen Dallëndyshja tek e pyes nëse e ka shpënë ndonjëherë nëpër mend t’i eksportojë produktet e saj jashtë meqenëse janë shumë të kërkuara, por është shumë e vështirë, më thotë. “Jemi biznes i vogël dhe eksporti ka kosto marramendëse”

Ajo ka marrë shumë ftesa për panaire në Shtutgard të Gjermanisë, Itali, etj, por më tregon se nuk ia mban xhepi. “Po ta marr këtë mall nuk e kam 100% të sigurt që do ta shesë të gjithin dhe do të paguaj doganë. Hoteli, ngrënia. Kam marrë pjesë vetëm në një panair në Maqedoni, pjesë e një projekti.”

Përpos kësaj, ajo sheh si shqetësim trashëgiminë e artizanatit ndër breza. Dallëndyshja ndjehet e ligështuar dhe e frikësuar se zejet po vdesin. “Po shkon drejt humbjes. Unë jam brezi i fundit. Ka 32 vite që ai zinxhir është këputur. Si do të rikuperohet?”.

Ajo më tregon se në çdo tavolinë që ka marrë pjesë në diskutime e ka ngritur shqetësimin e trashëgimisë kulturore veçanërisht për sektorin ku bën pjesë, atë të artizanatit.
Dallëndyshja mendon se duhet qeveria të bëj politika nxitje dhe stimuluese për të afruar të rinjtë kah zejeve, “ndërsa ata që interesohen të ngrenë projekte për trashëgiminë kulturore të vendit janë të huajt”- thotë ajo.

Brezi i ri nuk afrohet pa vlerë monetare, më tregon Dallëndyshja. Ajo kujton se në kohën e komunizmit është paguar ndërsa mësonte profesionin. Ajo kishte edhe privilegjin se kishte mbaruar gjimnazin sepse “shkolla vlerësohej shumë në atë kohë.”

“Unë ëndërroj që të mos humbë kjo traditë e bukur. Vajza ime e ka mësuar. Ajo tani studion për stomatologji, por fëmijët e mi janë rritur me punën time dhe e vlerësojnë sepse e dinë mundin e gjakun e atij leku.”- rrëfen Dallëndyshja duke vazhduar të më flasë me krenari për ndihmën që i jep e bija si me idetë për modelimin e produkteve, ashtu edhe për shitjen përmes rrjeteve sociale.

“ Pasi përfundoj tezgjahun ajo edhe sot më ndihmon në të gjitha proceset, kur ka pushim kuptohet sepse studion. Pasi i kam kaluar në tezgjah mandej e gjithë vula është e vajzës.”
Dallëndyshja ripërsërit ëndrrën e saj që ta mbajë gjallë traditën sepse “gjeografia e shpërndarjes së produkteve artizanale në Krujë është nga të 5 kontinentet. Vijnë nga Zelanda e Re dhe Australia dhe i blejnë. Pyesin për të ditur të informohen për kulturën, historinë. Ndërsa zhvillimi teknologjik ka arritur kulmin dhe çdo gjë është automatizuar, artizanati mbetet një atraksion i madh turistik, prandaj vlerësohet nga të huajt sidomos.”- më thotë ajo duke këmbëngulur që përderisa ka treg, duhet të ketë investime dhe dëshirë për ta shpënë përpara artizanatin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

 

Më Shumë