Shendet

Kripa me karar, karari pa zarar…

Anxhela Çelanji – Në mars u asgjësuan 45 tonë kripë sepse autoritetet kishin zbuluar se ajo nuk kishte përmbajtjen e detyrueshme të jodit. Deri atë ditë pak kush e dinte se, ka ligj që i detyron bizneset që tregtojnë kripë me disa kushtet të paracaktuara ligjore. Kur ligji të miratohet në kuvend, është e detyrueshme që kripa në çfarë do lloj produkti që të ndodhet të ketë jodizimin 40 mikrogram. Kur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manstriliu u paraqit të martën në komisionin e veprimtarive prodhuese në kuvend, për të mbrojtur një projektligj të ri “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut,” u mësua se deri tani monitorimi nga autoritet ishte evaziv dhe se ligji i ri e bën të detyrueshëm kontrollin, por përcakton edhe se kush duhet ta bëjë. Fuqizimi i ligjit është bërë i nevojshëm pasi, mungesa e jodit në trupit e njeriut mund të sjellë dëme të mëdha në shëndet.
“Për herë të parë futet në ligj koncepti i gjurmueshmërisë së kripës i cili u kërkon subjekteve tregtuese të ruajnë informacion për të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, jodizimit dhe shpërndarjes së kripës,” u shpreh Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i shpjegoi Gazetës “Si” se ndryshimi i këtij ligjin vjen për të ndarë më mirë kompetencat, për të pasur një kontroll dhe monitorim më të rreptë të të gjithë zinxhirit të prodhimit të kripës në rastet kur prodhohet në Shqipëri, por edhe të rasteve kur vjen nga importimi dhe deri tek pikat e shitjes dhe kur të mbërrijë tek konsumatori.
“Për ne që e shikojmë në aspektin shëndetësor, ka rëndësi që niveli i jodit të jetë sipas standardeve që përcakton Organizata Botërore e Shëndetësisë, sepse ka ndikim edhe në mirërritjen e fëmijëve, por edhe mund të shkaktojë probleme që lidhen me prapambetjen mendore,”shpjegon Ministria
Shqipëria tradicionalisht ka pasur probleme me strumën (zmadhimin e gushës për shkak të gjëndrave tiroide), prapambetje mendore, sigurisht në një përqindje të vogël, por që kanë ekzistuar historikisht në vendin tonë.
“Pikërisht për të përmirësuar këto gjendje, duhet të shtohet kontrolli për kripën e jonizuar,” tha Ministria për Gazetën “Si”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu

Aktualisht rreth 75% e kripës së jonizuar prodhohet në vend.
Në “Raportin Shëndetësor Kombëtar” të vitit 2014 është përcaktuar se prevalenca e çrregullimeve nga pamjaftueshmëria jodike, është ulur në shifrën 55% të fëmijëve në moshën e shkollës, krahasuar me shifrën 93 përqind që ka qenë disa vite më parë.
Endokrinologia Mirjeta Guni Lici në Spitalin Amerikan shpjegon për Gazetën “Si” se, rreth 60 përqind e jodit ndodhet në gjendrat tiroide, të cilat kanë rol kryesor në proceset metabolike trupore, si parandalimi i depozitimit të kalorive të shumta dhe deri te parandalimi i një sërë sëmundjesh të ndryshme si hipotiroidizmi, sëmundja fibrokistike e gjirit, apoptoza e të tjera.
“Mungesa e jodit në organizëm, gjithashtu mund të shkaktojë edhe prapambetje mendore dhe çrregullime të intelektit tek fëmija, nëse nuk merret nga gruaja shtatzënë në sasinë e duhur, deri në zhvillimin e kretinizmit (probleme të zhvillimit mendor). Nevojat ditore për jodin janë 100-200 mcg në ditë. Këto rriten tek gratë shtatzëna deri 250 mcg në ditë dhe tek fëmijët e vegjël, 1/4 e lugës se çajit përmban rreth 95 mcg kripe, ndaj nëse merret ne sasinë e duhur nuk shkakton mungesë jodi në organizëm,” shprehet mjekja.

Mjejeka endrokinologe në Spitalin Amerikan Mirjeta Guni Lici

Jodi gjendet me shumicë në kripën e detit. Ushqime të tjera që përmbajnë jod në sasi të konsiderueshme janë: peshqit (sardelet, peshku ton, salmoni, frutat e detit), gjithashtu edhe hudhrat, bishtajoret, kungulli i verës dhe spinaqi.
Shumica e kripës që konsumojmë, rreth 65-70%, vjen nga ushqimet e përpunuara dhe të shpejta, si dhe ushqimet e mensave dhe restoranteve. Rreth 15-20% e kripës vjen nga shtimi i saj gjatë gatimit apo në tryezë. Vetëm 15% e saj vjen natyrshëm nga ushqimet.
Burimi kryesor i kripës në ushqyerjen tonë të përditshme është buka dhe prodhimet e furrës, të cilat sjellin 40% të kripës në organizmin tonë. Në të vërtetë, produktet e drithërave si biskotat, byreqet, ëmbëlsirat, krakersat, drithërat e mëngjesit, kekrat e ndryshme etj, që konsumohen në mënyrë të përditshme, janë burim i rëndësishëm i kripës sepse ato përmbajnë më shumë kripë nga sa ne mendojmë. P.sh. 50 g bukë apo një fetë përmban 0,4 g kripë; 30 g apo 4 lugë gjelle drithëra të mëngjesit përmbajnë 0,8 g kripë; 20 g biskota ose 2-4 biskota të ëmbla përmbajnë 0,1 g kripë; 1 copë kek 35 g përmban 0,3 g kripë etj.
Mishi dhe nënproduktet e tij si sallamrat, konservat e peshkut etj sjellin 21 % të kripës në organizmin tonë, por ato konsumohen më pak se buka dhe produktet e saj. P.sh. proshuta krudo 50 gr (3-4 feta mesatare) përmban 3,2g kripë etj.
Qumështi dhe nënproduktet e tij, si djathi dhe gjiza, kanë sasi të ndryshme kripe. Disa lloje salcash apo erëzash që përdoren për zëvendësim apo shtim të kripës janë të pasura me natrium. Trupi ka nevojë për rreth 4 g kripë në ditë dhe niveli i pranueshëm maksimal është 6 g ose 1 lugë çaji kripë në ditë. Fëmijët duhet të marrin sasi shumë më të vogël, në varësi të moshës së tyre. Fëmijëve deri në moshën 12 muajsh nuk është e nevojshme t’ju shtojmë kripë në ushqime.

Marrja me tepricë e kripës shkakton :

– Rritjen e presionit arterial
– Rrezikun kardiovaskular, nëse reduktohet marrja e kripës me 3 g në ditë sëmundjet e koronareve ulen në mënyrë të dukshme
– Rritjen e rrezikut me 50% për vdekje nga infarkti i miokardit, nëse merret mbi 6 g kripë në ditë
– Obezitetin
– Kancerin e stomakut
– Gurët në veshka
– Osteoporozën; kockat bëhen më të thyeshme sidomos në moshat e vjetra dhe gratë në menopauzë
– Rëndimin e disa sëmundjeve kronike si diabeti, asthma, insuficienca kardiake etj, kur merret kripë me shumicë

Kripa me karar…

Disa këshilla që duhen mbajtur parasysh:
– Kufizoni gradualisht përdorimin e kripës si në gatim edhe në tavolinë.
– Kufizoni përdorimin e elementeve që përmbajnë kripë, si salcat, kubetat, pluhurat e lëngjeve etj.
– Jepuni shije ushqimeve me erëza aromatike si hudhër, qepë, majdanoz, rozmarinë, rigon, sherebelë, nenexhik, piper, spec djegës etj.
– Shtoni shijen e ushqimeve duke shtuar uthull apo lëng limoni.
– Lexoni etiketat e ushqimeve të paketuara për sasinë e natriumit ose kripës.
– Zgjidhni rregullisht ushqime të freskëta dhe jo ushqime të përpunuara.
– Mundohuni të gatuani në shtëpi. Nëse përdorni ushqime të gatshme, shikoni për ushqime me sasi kripe të reduktuar.
– Mos shtoni kripë në ushqimin e foshnjave ose fëmijëve.
– Përdorni kripë të jodizuar, mbajeni në enë të mbyllur mirë dhe në vende pa lagështirë.
Duke reduktuar sasinë e kripës, në të gjithë botën mund të shmangen:
– më shumë se 1 milion vdekje nga infarkti dhe rreth 3 milionë e vdekjeve nga sëmundje të tjera kardiovaskulare
– 23% e rrezikut për të pasur një goditje në tru
– 17% e rrezikut për të pasur një sëmundje të zemrës.

 

Më Shumë