Editorial

Koha që u ble për karantinim po mbaron

Duhet një plan gradual që t’u japë mundësi njerëzve që përmes punës së tyre të garantojnë ushqimin e familjes dhe shëndetin.

Data 1 prill do të jetë një ditë e vështirë për të gjithë. Punëtorët e mbetur pa punë për shkak të Covid-19 kanë shpresa të pakta se mund të marrin pagat e plota edhe pse bizneset ku ata punojnë janë të mbyllura. Por kjo është diçka e vështirë të ndodhë me shumicë rastesh, pasi shoqatat kanë thënë prej kohësh se as nuk munden plotësisht dhe as nuk duan t’i paguajnë punëtorët, kur ata janë të detyruar të mbyllin sipërmarrjen. Qeveria ka premtuar se do të paguajë përmes një llogaritje të pagës minimale, por kjo pagë sa më shumë të zgjasë karantina, aq më e vogël do të bëhet.
Zoti Arben Ahmetaj, i cili është zgjedhur në krye të Komitetit për të menaxhuar situatën, parashikoi se 40 mijë shqiptarë do ta humbasin punën që në muajin e parë. Kjo shifër me shumë probabilitet do të jetë edhe më e madhe jo vetëm në numër, por edhe humbje si vlerë page për secilin sepse ekonomia shqiptare, gati gjysmën e saj e ka të zezë dhe gjithnjë ka pasur mospërputhje mes numrit të të siguruarve dhe tatimeve apo të dhënave të punësimit të gjeneruara nga INSTAT.
Edhe sikur të mundej biznesi thotë se nga “dhjami i tij” mund të ushqehet deri në tre muaj. Por nëse ai do të harxhonte të gjithë këtë rezervë, do të mbetej krejtësisht i pambuluar ndaj çdo rreziku dhe detyrimi kontraktal apo fiskal në të ardhmen. Edhe kreditë e garantuara nga qeveria nesër do të jenë një barrë afatgjatë për t’u shlyer.
Fillimi i prillit do të fryjë erërave të diskriminimit e pakënaqësisë sociale. Të papunët apo gjithë të tjerët që nuk mund të krijojnë dot të ardhura për shkak të karantinës do të shohin se si një pakicë, p.sh në administratën shtetërore prej 174 mijë vetash, do të marrin pagën e plotë. Ata kanë punuar nga distanca sepse zyrat e puna e shtetit mund ta krijojë këtë mundësi, por një punëtore fasoni, një sipërmarrës restorantesh, një menaxher fabrike birre nuk mund të punojë nga shtëpia. Kjo kategori e dytë që përfaqëson rreth 5125 mijë veta, e cila i garanton vendin 80 për qind të mira nga prodhimi kombëtar do të gjendet e pamundur që përmes punës së saj të jetojë, kurse pakica në administratë, e njohur me cilësi të dobëta, është një përfitues i pacënuar. Ky është një prag diskriminimi social, ekonomik, por edhe kushtetues. Ndaj java që vjen do të krijojë një moment të nxehtë për politikë që zoti Rama nuk mund t’i shmanget dot plotësisht.
Ndërkohë, ekspertë të familjarizuar me financat publike në vite llogarisin se në muajin e parë dëmi i buxhetit të shtetit nga mosmbledhja e të ardhurave për shkak të ndërprerjes së biznesit mund të arrijë në 7 miliardë lekë dhe në dy muaj kjo shifër bëhet e njëjtë me aq sa humbi buxheti i shtetit gjithë vitin 2019 nga mosmbledhja e të ardhurave dhe që ishte viti më i keq fiskal. Është njësoj sikur në dy muaj karantine të humbasim një vit normal. Megjithëse Zoti Rama premtoi mbështetje buxhetore, që edhe sikur të ishte në proporcionin hiperbolik me aftësinë buxhetore, sërish nuk do të mjaftonte. Në këtë situatë çdo gjë që të bësh, nuk mjafton. SHBA do të jepte 1 trilion, por të gjithë pyeten po 1 trilion të tjera nëse karantina shkon gjatë ku do t’i gjejmë?
Nëse karantina do të zgjatet shumë, kostoja njerëzore do të jetë më e madhja. Literatura e shkencës ekonomike dhe shoqërore është e mbushur me studime që dokumentojnë dëmin që pësojnë njerëzit nga recesionet dhe vështirësitë ekonomike – duke përfshirë edhe rastet me më shumë dhunë në familje, përdorimin e alkoolit, etj. Gazeta tregoi me raste që ditët e para disa fenomene të tilla po shfaqeshin veçanërisht te më të varfrit. Një studim i vitit 2019 tregoi se “individë që kishin përjetuar qoftë edhe një pasojë të vetme financiare të lidhur punën ose strehimin gjatë recesionit, kishin ende shanse më të larta për të pasur simptoma të depresionit, ankthit të përgjithësuar, panikut dhe përdorimit të substancave problematike edhe pas 3-4 vitesh, pasi recesioni kishte përfunduar”. Edhe një studim i Federal Reserve në 2013 zbuloi se nivelet e abuzimit të drogës ishin 10 pikë më të larta në mesin e të papunëve.
Fillimi i prillit është fundi i 14 ditëve të distancimit social apo izolimit të detyruar. Koha që qeveria bleu për të pasur në kontroll përhapjen e virusit po mbaron. Siç po shkojmë drejt fundit të karantinës aq shpejt po i shkojmë edhe kulmit të shpërthimit siç kanë treguar të dhëna krahasimore edhe më vende si Italia. Nuk ka asnjë dyshim kjo masë duhet për të shpëtuar jetët njerëzore, duke mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit si dhe për të mos çuar drejt kolapsit shërbimin spitalor. Por, pas kësaj dite, shqiptarët kanë nevojë të dinë më shumë se si kjo skemë mund të parandalojë më tej përhapjen. A është i mjaftueshëm sistemi dhe infrasktruktura spitalore që pas kësaj kohe të përballojnë çdo skenar të sëmundjes? Qeveria e zotit Rama duhet të jetë më shteruese e shpjeguese për atë që pritet të ndodhë pasi karantina teorike e 14 ditëve të mbarojë.
Shqipëria është një ndër vendet me normë të lartë të të dypunësuarve veçanërisht te të rinjtë, për shkak të pagave të ulëta. Një punëtor i sëmurë do të ballafaqonte të paktën dy biznese në vështirësi pune për kapital human, sikundër edhe një biznes i prekur i “infektuar” nga karantina mund të prekte më shumë se dy punonjës, duke i lënë pa të ardhura.
Por, megjithëse asgjë ende nuk ka përfunduar, njëfarë shkalle e distancës sociale dhe vetëizolimit duhet të vazhdojë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për të moshuarit dhe gjithë të tjerët që kanë shëndet të dobët. Ndoshta edhe arsimi mund të qëndrojnë ende në një regjim online pa u zhvilluar në shkolla.
Por punëtori ka nevojë që biznesi të rinisë, ashtu dhe siç qeveria ka nevojë të rritë shpenzimet buxhetore për shëndetin përmes taksave pa rënë në shifrat vrasëse të borxhit dhe deficitit. Dilema drejt një qasjeje të re ndaj karantinës nuk është më e largët, sepse koha që u ble është harxhuar.
Tani jemi në momentin kur kemi një dëm të madh në shëndetin publik si nga virusi, ashtu edhe nga papunësia masive dhe recesioni.
Çështja nuk është që zoti Rama të zgjedhë mes vendimit për të mbrojtur shëndetin apo financat, as mes një ekonomisti dhe një mjeku. Por patjetër do t’i duhet një plan gradual që t’u japë mundësi njerëzve që përmes punës së tyre të garantojnë ushqimin e familjes dhe shëndetin. Sfida për liderët politikë është që të marrin në konsideratë të dyja dhe të marrin vendime për një çështje që mbetet e madhe. Kjo mund të ndodhë duke dhënë arsye të forta dhe bindëse se si nga një pozicion radikal i vetëizolimit të shkohet drejt një hapje graduale.

Bordi Editorial i Gazetës “Si”


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë