Editorial

Këta nuk duan të mësojnë asgjë!

Lulzim Basha nuk ka thënë se as do t’i njohë dhe as se nuk do t’i njohë zgjedhjet. Deklarata e tij, ndonëse fliste për muzg, errësirë, diell, dritë, beteja e të tjera nuk ishte për zgjedhjet. Kishte si objekt formal zgjedhjet, por ishte në funksion të karriges së tij në parti. Lulzim Basha kërkon të marrë kohë brenda partisë për të kuptuar se nga po i vjen e keqja, duke përdorur refrenin dhe retorikën që e çoi në këtë gjendje atë dhe opozitën në Shqipëri, kur të dielën fliste për përmbysje dhe ndryshim, të hënën për rezultat në kuti dhe të martën për zgjedhje të manipuluara, blerje, shitje, etj.

Në fakt, retë e zeza po grumbullohen mbi godinën e PD dhe ato nuk i vijnë nga Edi Rama, por nga skifterët brenda partisë që kanë nisur të fluturojnë rrezikshëm mbi zyrën e tij. I pari sinjal ishte nga Bujar Nishani, që për të tilla raste, për këdo që e njeh sadopak PD-në dyshon se flet nga mendja e tij. Në të gjithë historinë e debateve politike, Nishani nuk investohet në beteja të mëdha thjesht se ashtu e mendon në atë moment, nuk ka dalë ndonjëherë nga rreshti, por gjithmonë ka përqafuar linjën zyrtare të partisë. Dhe linja zyrtare me sa duket vjen nga zyrat e ABA Center. Kryetari digjital deri tani ka heshtur, por heshtja e tij bërtet më shumë në kësi rastesh.

Po ndërsa në selinë e PD-së ka nisur të konsumohet tragjedia, në selinë e LSI-së po konsumohet tragjikomedi. Partia që ka perceptimin më negativ publik sa i përket tjetërsimit të votës, ajo mbi të cilën janë ndërtuar edhe barsoleta lidhur me përdorimin e pushtetit në administratë dhe parave publike e private në zgjedhje, ajo që këto zgjedhje ka denoncimet më të shumta të shit-blerjes së votës, me zë dhe figurë, akuzon për vjedhje vote qeverinë nga i pari tek i fundit, akuzon jo vetëm PS, por edhe PD se i kanë blerë, marrë, hequr votat në numërim në disa qarqe. Monika Kryemadhi foli edhe ajo për errësirën, dritën, diellin, por në ndryshim nga Lulzim Basha të paktën kërkoi ndjesë për lënien e mandateve, sidomos që nuk dëgjoi fjalën e Presidenti asokohe, si edhe pranoi se do të bëjë opozitën në Parlament duke njohur ndoshta jo zgjedhjet drejtpërdrejt, por pranoi rolin e LSI-së në opozitë, pas 25 prillit.

Në fakt, ndjesa e Monikës duhej, por nuk duhet të ishte aq familjare. Ajo duhet t'u kishte kërkuar ndjesë shqiptarëve për faktin që e degjeneruan opozitën në lëvizje chartiste, duke i lënë pa asnjë alternativë shqiptarët këto zgjedhje, duke i fyer se alternativa ndaj pushtetit është vetëm zarfi javën e fundit të fushatës, që u tallën me shqiptarët për vite me radhë, një herë duke thënë se u vodhën zgjedhjet, një herë se nuk do kishte zgjedhje, pastaj se do kishte zgjedhje para kohe, pastaj duke thënë se morën masat për të mos u vjedhur më në zgjedhje, pastaj se fituan, e pastaj se na vodhën prapë. Gjithsesi, ndjesa e parë, edhe pse brenda familjes, është një hap përpara krahasuar me katër vitet kur ecej vetëm mbrapsht.

Ndërsa në PD konsumohet tragjedia dhe në LSI tragjikomedia, në Presidencë po luhet farsa dhe komedia. Në zyrë vazhdon të jetë ende Presidenti i dy javëve të fundit të fushatës, që u normalizua vetëm ditën e diel kur euforia për përmbysjen e Edi Ramës ishte në një nivel edhe më të lartë se qielli. E sikur asgjë të mos kishte ndodhur, njësoj si atë momentin e parë të orës 7 të mëngjesit të 25 prillit, kur u shkëmbyen te dera e qendrës së votimit, ku bënë sikur nuk e njihnin njëri-tjetrin, vetëm 5 minuta pasi kryetarja e LSI-së mbaroi fjalimin, Presidenti doli përmes një deklarate dhe përshëndeti kryetaren e një partie të vockël tashmë, që në fakt nuk është gjë tjetër veçse bashkëshortja e tij, për qëndrimin, fushatën model, qëndresën para dhe gjatë zgjedhjeve, dhe lajmëroi se do marrë teserën e LSI-së - të cilën nuk e ka dorëzuar kurrë realisht - në vitin 2022.

Që Presidenti nuk do të njihte asnjë rezultat tjetër veç fitores së LSI-së dhe PD-së, kjo ishte në ajër dhe e kuptueshme nga të gjithë. Që nuk do të ndodhte sikur Rama të fitonte 71 mandate edhe këtë e dinin që të gjithë më parë, sepse një mandat më tepër i Ramës nuk do të mjaftonte për të mbajtur fjalën sepse gjithmonë do të ishte justifikimi se zgjedhjet janë manipuluar, vjedhur, shitur, grabitur etj. Por, shqiptarëve u duhet kursyer kjo farsë që vetëm sa shton vota ditë pas dite për mandatin e katërt të Ramës nëse gjërat në opozitë dhe në Presidencë vazhdojnë siç janë.

Sali Berisha dha dorëheqjen formale nga partia pasi doli nga zgjedhjet pas 8 vjetësh në pushtet - katër prej të cilëve me LSI-në e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit - me pothuajse kaq deputetë sa ka sot Lulzim Basha pas 4 viteve opozitë po me partinë e Monika Kryemadhit dhe Presidencën e Ilir Metës. Fatos Nano iku nga kryetar partie duke qenë vetëm 3 vjet kryeministër i mandatit 8-vjeçar të PS në pushtet me Ilir Metën po kaq vite kryeministër socialist në atë kohë. Fatos Nano iku për moral edhe pse zgjedhjet i humbi duke pasur më shumë vota se PD që i fitoi dhe se LSI e Ilir Metës që e goditi pas shpine.

Shqiptarët folën, dhe në një proces zgjedhor dinamik ndoshta as vetë Zoti nuk do të kishte mundësi që të ndërhynte në mënyrë aq kirurgjikale sa të tjetërsonte vullnetin e kutive në kohë reale, në të gjithë vendin, për t’i hequr vota e mandate opozitës e Presidentit për t’ia dhënë Ramës 74 mandatet. Dhe kur sovrani flet, gabimi qëndron tek ata që mendojnë ndryshe nga ai, jo te vota e sovranit. Në këtë moment të gjithë duhet të lexojnë, reflektojnë dhe mësojnë me qetësi dhe dashuri mbi votën e shqiptarëve.

E vërteta është se këta nuk duan të mësojnë. Sepse nëse do të kishin dashur Shqipëria do të kishte qenë shumë herë më ndryshe, shumë herë më mirë se sa është, pasi shumë nga këta nuk do të kishin qenë më në skenën politike. Këta nuk duan të mësojnë sepse nuk duan të heqin dorë nga privilegji i të qenit aty ku janë, përfitimi që kanë marrë nga dominimi i skenës politike dhe pasurisë publike, përmes interesave edhe me ata që i shajnë oligarkë, por që në fakt i kanë pasur vetë më shpesh përkrah. Këta nuk duan të mësojnë, sepse në fakt e dinë. E dinë që nëse do të sillen ndryshe duhet të kishin ikur me kohë. Këta nuk ikin, duan të qëndrojnë aty ku janë, derisa t’ia plasin shpirtin dhe të largojnë edhe shqiptarin e fundit nga vendi. Rrinë për vete, jo për ne të tjerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë