Mendim

Kë ndihmoi Yuri Kim?

Nga Gjon Libohova - Më 30 korrik, Yuri Kim doli nga zyra e Lulzim Bashës dhe tha përpara gazetarëve, “Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës. Nuk ka dyshim për rolin historik që Partia Demokratike ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim, është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në parlament në shtator” Më tej, “Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”

Pas këtyre deklaratave, që do pranuar ishin të forta dhe të drejtpërdrejta, vërshuan komentet, në Facebook, në Twitter dhe në gjithë mediat e portalet me radhë. Një grup thoshin që SHBA i tregon vendin Sali Berishës. Grupi tjetër ishin të ftohtë kur thoshin: SHBA rrit presionin; SHBA i kërkon Bashës të ndahet nga Berisha; SHBA lëshon ultimatum. Pastaj ishin dhe një grup që mendonin: ambasadorja i shërben Edi Ramës; i shërben rilindjes; diplomate e dobët; problemi i Shqipërisë është Edi Rama, jo Sali Berisha; të shpallet non-grata ambasadorja amerikane; nga politika të largon drejtësia dhe zgjedhjet, etj., etj. Madje disa nga këta mendonin që Sali Berisha duhet të kishte ikur me kohë, por prapë Yuri Kim po ndihmonte Edi Ramën. Me fjalë të tjera, ishte një rreshtim i pritshëm.

Me pohimet e saj, Yuri Kim këmbënguli për ta ndarë Partinë Demokratike nga Sali Berisha, për të treguar se PD është më e madhe se 1 person. I njohu PD-së rolin e saj pas komunizmit dhe rolin në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Dhe i kujtoi PD-së shohë interesin e vet dhe, për rrjedhojë, atë të Shqipërisë para se të shkojë në parlament në shtator. Domethënë, të shkojë atje pa Sali Berishën, të cilin e shpalli non-grata Sekretari i Shtetit për “përfshirje në korrupsion madhor; përfitime për familjen dhe aleatët, dëm ndaj hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion, dhe llogaridhënies; ndërhyrje në procese publike; pengim të drejtësisë.” Shqiptarët e dinë shumë mirë se çfarë ka bërë Sali Berisha (pavarësisht se ky përgjërohet ditë e natë për fakte) dhe e treguan në zgjedhjet e 2013, kur votuan për atë vetë, për stilin e tij të qeverisjes, si dhe për çfarë nuk donin më. Votuesit e treguan qartë mendimin e tyre për të edhe në zgjedhjet e vitit 2021, kur në rang kombëtar u rendit i 40-i me 6766 vota.

Interesi i SHBA është një demokraci e fortë në Shqipëri, me institucione të forta, me më pak korrupsion, me më shumë investime të huaja, e pandikuar nga palë të treta jo fort dashamirëse. Çdo vit, SHBA nxjerr disa raporte: raporti për të drejtat e njeriut; raporti për klimën e investimeve; raporti për drogat dhe pastrimin e parave; raporti për lirinë fetare; raporti kundër terrorizmit. Po të lexosh hyrjen në të gjitha këto raporte, do shohësh të shkruar qartë se janë raporte që Kongresi i SHBA ia kërkon Departamentit të Shtetit. Raportet, siç dihet tashmë, përgatiten nga Ambasadat e SHBA dhe bëhen publike nga Departamenti. Pra, nuk do shumë mend që janë ambasadat, të drejtuara nga ambasadorët, që i prodhojnë këto raporte. Të duartrokasësh raportin e fundit për klimën e investimeve që kritikon prokurimin publik, PPP-të, mungesën e konkurrencës, korrupsionin, mungesën e transparencës nga një anë, por t’i përvishesh ambasadores duke thwnë të njëjtat gjëra që thotë raporti ka pak sens. Në fakt, nuk ka sens fare.

 Yuri Kim i tha ‘bravo’ PD që do kthehet në parlament, sepse tani Edi Rama nuk do mund të bëjë çfarë të dojë; nxiti punën për zgjedhjet e ardhshme, pra që Edi Rama të mos mund të bëjë dot siç bëri në 2020 dhe 2021 për zgjedhjet; këmbënguli që Shqipëria të qëndrojë në rrugën drejt BE, pra të vazhdojë me reformat që duhen kryer dhe ato mund të bëhen vetëm me opozitën në parlament; i kërkoi PD tërthorazi që të përdorë për Sali Berishën minimumi të njëjtin standard që vetë PD kërkoi (në KQZ) në rastin e Tom Doshit; i kërkoi PS-së të ngrihet mbi interesat partiake të saj në sjelljen me PD; kërkoi të ecet përpara, nga të gjithë.

Një ish-politikan, për “t’i treguar vendin ambasadores amerikane,” kish thënë se nga politika të largon drejtësia (të cilën Sali Berisha e ka penguar) dhe zgjedhjet (se sa vota mori i 40-i në listë e panë të gjithë). PD ka kuptuar se do të mund të vijë në pushtet vetëm me anë të zgjedhjeve dhe vetëm duke qenë në parlament. Dhe nëse problemi kryesor është Edi Rama, tani është mundësia e PD-së për të qenë opozita që i duhet vendit, në parlament. Nëse PD mendon se do ta mundë Edi Ramën me Sali Berishën, është e drejta e saj. Por duket se shqiptarët janë shumë të qartë në këtë drejtim. Me sa duket, edhe Yuri Kim e ka kuptuar dhe tashmë e shprehu qartë më 30 korrik se, ashtu si shqiptarët, edhe ajo mendon që PD nuk do të vijë dot në pushtet me Sali Berishën. Dhe, duke qenë kështu, nuk do shumë mend për të thënë, me bindje madje, se Yuri Kim nuk i shërbeu Edi Ramës. Përkundrazi, një opozitë e fortë i shërben shqiptarëve dhe, për rrjedhojë, edhe PD-së, partisë që pretendon të vijë në pushtet. Yuri Kim i shërbeu qeverisë së vet dhe, tërthorazi, edhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë