Art dhe Kulture

Ilire Vinca: Kurrë mos iu gëzo asaj që di!

Ilire Vinca ne rolin e Thelma "Naten Ma"

 

Një nga 20 aktoret femra më të mira në botë për 2017-ën dhe një nga aktoret më të rëndësishme të skenës teatrore e të kinemasë në Kosovë, Ilire Vinca flet plot pasion për profesionin që e dashuron dhe rolin e saj si nënë në jetë dhe se si ajo nuk ndalet asnjëherë tek bagazhi që mbart mbi supe. Por vazhdon gërmon ende toka të reja…

Ilire Vinca

Ishte një mesditë prilli, muaj gjatë të cilit Iliren e patëm në Tiranë me veprën e Marsha Norman “Natën Ma”.

Më kishte ftuar në banesën e saj me qira që ndodhej në katin e 14-të të një pallati mbrapa Kafe Europës. Erdhi me flokët e lagur, e kuptova kur iu avitëm njëra-tjetrës për tu takuar.

“Në mëngjes flokët e lagura, në mbrëmje mi lag Egla (parnerja në shfaqje). Mbeta me flokë të lagura gjithë ditën” – bëri batutën tek qeshte dhe vetë.

Ilirja më tronditi që herën e parë që e pashë në skenën Shakespeare të Tetarit Metropol tek luante Thelmën. Një nënë e sëmurë, një grua që kishte pranuar ta jetonte jetën pa dashuri. I ishte përshtatur një jete modeste dhe ishte kënaqur me të. Skena zhvillohet në dhomën e ndenjies së saj ku në mënyrë të beftë mëson nga e bija e divorcuar që jetonte me të, se për dy orë vajza do të vetëvritej me pistoletën e të atit të vdekur.

Vepra e Pulitzerit të 1983-it, tronditi publikun e kryeqytetit me mjeshtërinë aktoriale të Ilire Vincës.

Humor, autoironi, sarkazëm, dhimbje, ngulfatje, ulërima, qetësi, dashuri, sekrete, të vërteta, protestë, konflikt, gjithçka mbart ajo dramë dhe Thelma në vetvete.

Ilire Vinca, Thelma ne “Naten Ma”

Tek ngjisnim 14 kate me ashensor, Ilirja vijonte me batutat dhe rrëfimet e saj.

“Kujtoj si e kemi kaluar fëmijërinë në Strugë. Babi na çonte për piknik. Shtronim batanijen dhe nisnim të flisnim, recitonim. Më pëlqente shumë të imitoja”, thotë Ilirja.

Tek flisnim për “Natën Ma”, gjenim ngjashmëritë me realitetin e secilës. Ilirja është bijë e poetit, shkrimtarit dhe përkthyesit Nuhi Vinca. Ajo kujtonte se edhe nëna e saj bëhej xheloze si Thelma në shfaqje për marrëdhënien aq të ngushtë të sajën me të atin.

“Doja shumë që im at të vinte të shikonte shfaqjen. Ia kërkova. Por nëna ime po ikën ngadalë. Është me Alzaimer. Baba më tha se nuk mundet. Nënën do ta merrte malli për të”, –tregonte e emocionuar.

Kur hymë në banesë më tregoi se ishte shumë e kënaqur, ngjante shumë me banesën e saj në Prishtinë. Ndërkohë që në sfond këndonte Luciano Pavaroti, Ilirja më tregoi pianon dhe mjediset e shtëpisë plot shije. Ishte shtëpia e Besa Myftiut.

Nuk ishte një intervistë ajo e jona. Ishte një bisedë dhe rrëfim i ngrohtë, një hapësirë herë-herë transhendentale ku treteshin të qeshurat, mendimet, trishtimet dhe idea rreth së ardhmes…

Në “Natën Ma” unë vura re në lojën tënde një lëvizje të natyrshme të trupit që shkonte në sinkron me mendimin, botën e brendshme, emocionet dhe krijonte imazhe të ndryshme. Ilirja ishte krejt në gjumë, ndërsa Thelma ishte plotësisht Thelma. Është e rrallë një lojë e tillë në skenat shqiptare të teatrit. Çfarë teknikash ushtron për lëvizjen e trupit në mënyrë që të jetë në harmoni me gjithçka tjetër?

Faleminderit! Nuk e dija që isha kaq e mirë. Më duket sikur nuk jam unë.

Më vjen mirë që ka ardhur kaq mirë. Nuk e di. A mund të them nuk e di?

Për mua është shumë organike, unë nuk e dekonstruktoj deri në këtë pikë. Nëse ti mendon, përjeton diçka në skenë, trupi yt është shumë i gatshëm të reagojë në mënyrë organike dhe ti nuk ke pse e bllokon, duhet me e lënë të lirë. Ai ka me shku bashkë me fjalën, bashkë me gjendjen, bashkë me qëllimin. Gjithçka është aty.

Dhe thjesht jam njeri që në skenë edhe në jetë jepem deri në fund, ndoshta s’ka qenë ide e mirë në jetë.

Unë ushtrohem me disa teknika. Por duke qenë se u bë kohë e gjatë që bëj këtë gjë,  kam adoptuar një mënyrë timen në lidhje me ushtirmin e trupit përmes disiplinave. Yoga, Tadashi Suzuki edhe pse është shumë e vështurë. Jo se jam ndonjë njohëse e thellë e këtyre disiplinave, por gjatë punës kam patur mundësi ti njoh. Në varësi të çfarë shfaqje punoj, i përshtas sa minuta në ditë do ti kushtoj një disipline të caktuar ose miks disiplinash. Ushtrimet janë të lidhura me gjendjen psikologjike. Është e domosdoshme gjetja e një balance mes jogës, meditimit Këto i ushtroj më së shumti. Njeriu transformohet gjatë jetës. Nuk jam tipi i fitnesit. Jam tek diçka e krijimit të një hapësire të mendimit ndryshe; ta sjellë trupin, mendimin dhe shpirtin në një nivel që ti mundesh të krijosh më shumë. Pak më shumë dritë. Edhe joga këtë filozofi ka. Aty ku ke dyert e mbyllura, ajo ti hap e të jep më shumë dritë.Kur lidhen këto të dyja.. trupi yt ëshrë si instrument, duhet të jetë i tillë. Sepse ndryshe nuk mund të krijosh.

Po në lidhje me teknikat aktoriale? Cilat përdor?

Ilire Vinca dhe Egla Ceno ne “Naten Ma”

Edhe këto janë të kombinuara. Si bazë studimi kemi patur Stanislavskin, por gjatë rrugës kam përqafuar vazhdimisht gjëra të tjera pasi jam shumë e apasionuar dhe kurioze se çfarë ka të re. Jam ende një studente shumë e zellshme. Kam një ndjenjë që duhet ende të mësoj. Arti zhvillohet shumë dhe ne nuk guxojmë të rrijmë në një vend e të jemi të kënaqur me ato që dimë. Së fundi po punoj me “Fieë Point and composition” të dy autoreve Anne Bogart dhe Tina Landau, të cilat lidhin aktrimin me koreografinë. Kanë 9 pikëvështrime. E kam punuar këtë teknikë në disa shfaqje. Të krijon mundësi shumë për tu inspiruar nga hiçi, nga kurrëgjëja. Krejt ideja është që nga ato 9 këndvështrime depërton në atë masë saqë ti mund të krijosh vetë. Me atë që të rrethon, nëse je në një skenë të errët dhe ka një rreze drite, ti krijon me atë. Mund të krijosh një duet të bukur, sjell një imazh të ri. Shumë shpesh kur imagjinata shkon aty, ose shikuesi kur e sheh ka për të përjetuar diçka shumë të bukur. Pak Breht, janë të gjitha nga pak. Vetë vepra të orienton se me çfarë metode duhet të punosh. Është si një lloj kutie me mjete them unë, shumë shpesh në varësi të punës i përzgjedh veglat dhe i kombinon.

Cila ka qenë vështirësia më e madhe gjatë procesit të punës për veprën ‘Natën Ma”?

E pëlqeva dramën menjëherë. E bukura dhe vështurësia ishin parallel në këtë shfaqje. Që nga kontakti i parë që pata me veprën dhe leximi me një frymë. Kështu duhet, ta lexosh me një frymë e të ruash përshtypjen e parë. Ishte shumë tronditëse kur e lexova, njëkohësisht mahnitëse se si ishte shkruar. Dhe sa shumë jetë kishte brenda fjalëve. Harrova që po lexoj, por sikur pashë, sikur pashë edhe veten aty. I pashë disa anëtarë të familjes, disa njerëz që i njihja. Nuk e di. Gjithë njerëzimin. Është aq Universale. Është shumë e afërt me atë çfarë kalojmë ne si jerëz. Kështu që ishin të dyja paralelisht. Kjo ka qenë edhe vështirësia e parë. Unë isha aq e përfshirë sa kur bënim prova me Emën edhe me Eglën, në fazën e parë të provave unë kam qarë shumë. Nuk mund ta bëja Thelmën sepse Ilirja ma kishte zënë rrugën. Dhe dikur thashë; ok,ok, në rregull, tash boll. Aty filloi gjithçka të marrë një dimension tjetër, për shkak se ne nuk duhet të përjetojmë në skenë, ne duhet të luftojmë në skenë, duhet të veprojmë në skenë, duhet të shkojmë drejt fundit. Ashtu si në jetë, pa e ditur çfarë na prêt në çdo moment. Duke synuar të duam atë që duam të arrijmë. Ashtu e kam luajtur edhe shfaqjen, pa e ditur se çfarë do të ndodhë deri  në fund. Ajo luftë që bëhet aty është një dimension krejt tjetër dhe është shumë, shumë e bukur.

Është luks me pas një regjisor që të jep mundësinë me gabu. Kemi qenë shumë të lira në skenë unë dhe partnerja ime Egla. Ema ka bërë një punë të shkëqlyer. Të jesh e lirë është shumë e rëndësishme për procesin. Të mos kemi ego, të mos përpiqemi të tregojmë veten që jemi të mirë dhe të pagabueshëm. Kemi bërë shumë gabime gjatë procesit dhe e dija.  I thosha Emës “e di, e di, e di”.

Gabime të cilës natyrë?

Gabime në kuptimin e zgjedhjeve se si duhet luajtur personazhi, psh: Unë kisha dy momente; një moment që thashë që Ilirja qante, pjesën e dytë gjatë provës unë e kam bërë duke qarë sepse nuk doja të ndalja provën, nuk është mirë të ndalësh provën. Dua të jem e disiplinuar deri në fund. Regjisori duhet të thotë stop, jo aktori. Unë vazhdoja, më dridhej mjekra, lotrët binin, fshija lotët, ëëë. U kënaqa për vete si spektatore dhe në fund i thashë Emës “më fal, s’kam çfarë me bo”. Nuk munda të duroja. Një javë përpara premierës nuk i kishim objektet. Unë edhe Egla vuanim. Ndërkohë Ema e kishte gjithë imazhin shumë të qartë se çfarë do të kishte në skenë. Edhe ne, por na mungonin kavanozat, elemntet e tjerë të rekuizitës. Unë po pi në shkallë thoshte Egla, tani po zbres, ndërkohë që i thonim thjesht me fjalë sepse nuk i kishim. Unë një moment u bllokova pasi tërë kohën ishin objektet e imagjinuara, unë vazhdoj dhe Ema thotë:”Ilire harrove këtë, edhe një herë, edhe një herë, u bënë shumë harresa. Dhe thashë “më duket sikur nuk jam për këtë punë, kurrgjë s’po mbaj mend”. Më kapi një ngulfatje, ishte e tmerrshme. Teksti është me shkëputje të mëdha që veprimi i jep kuptim mandej se ç’ka po ndodh. Por gjithçka u zgjidh.

Ke përjetuar emocione në skenë?

Ilire Vinca, Egla Ceno ne “Naten Ma”

Nuk ndodh gjithmonë, por është shumë e bukur kur ndodh. Ndonjëherë e ndjejmë veten që nuk jemi më enrgji të mjaftueshme, psh; ka momente që në skenë mendon për diçka që do të vijë më vonë, por nuk është mirë hiç. Po ja që vijnë ndonjëherë. Truri është shumë interesant, shumë kompleks. Ose psh: ka momente që mund të jenë më teknike, ka momente ku mund të jenë vërtet emocionale dhe ato janë të një dimensioni tjetër, shumë të bukur. Ndodhi edhe në këtë shfaqje. Është diçka transhendentale ku koha dhe hapësira e humbin kuptimin. Është e mrekullueshme. Kjo krijohet kur është një punë e mirë, kur ke besim tek partneri. Kur je e lirë. Nuk ke si ta përjetosh ndryshe. Për këto momente duhet me falenderu Eglën, ishim gati për njëra-tjetrën. E kemi dëgjuar shumë dhe e kuptonim me sy njëra-tjetrën.

Thelma mund të vinte në një mënyrë tjetër?

Thelma mund të jetë gjithçka tjetër, më e vjetër, më e ngathët, por për mua kjo është Thelma, ajo që kam bërë. Të njëjtën do bëja pas 6 muajsh, 6 vitesh.

A mund t’ia ndryshonte Thelma Fatin të bijës po ti mbërrinte shkallët?

Jo. Është një moment në skenë kur Thelma thotë: “Kujt po i flas, ti ke ikur. Ti nuk je këtu. Po shoh përtej teje. Dmth, edhe nëse njeriu fizikisht është aty, nuk është nëqoftëse mendjen e ka të ndarë ashtu siç Xhesi. Lufta është e madhe, por shkallët kanë edhe një metaforë. “Asnjëherë nuk kam mbërri me i ngjit ato shkallë në jetën time. Po e dua atë jetë që e kam aty poshtë. Aq nuk kam patur kërkesa për të shkuar më lart.”

Ilire Vinca, Egla Ceno ne “Naten Ma”

 Ky ka qenë fati i Thelmës. Është jeta e saj, zgjedhja e saj, mënyra se si ajo do të jetojë. Përpiqet ta shpëtojë, por nuk mundet. Por është e bukur që zbulon shumë ato dy orët e fundit për jetën, të vërteta për arrëdhënien mes tyre. Si në jetë; jo gjithmonë jemi duke bërë mirë e kjo ndodh pa dashje. Ndodh që i ngulfojmë me dashuri njerëzit që duam më shumë. Është e bukur që është pozitive, por i bën keq tjetrit.

Kam një rrëfim që e tregoj gjithmonë; unë i dua kafshët shumë prej gjithmonë, kur kam qenë e vogël, kam pas një zog pule të verdhë, të vogël. Duke e mbajtur në dorë e duke e puthur ai ngordhi. Nga atëherë kam një traumë, por më duket sikur e kam mësuar atë leksion. Mos i mbaj shumë ngushtë ato çfarë do . Duhet me e liru. Është pak e dhimbshme , pak qesharake. Por duhet ‘let go’. Shumë shpesh në jetë edhe fëmijën kur mendon se nuk është gati për jetë duhet ta lësh, le të rrëzohet, le të shohë se si është, nuk mund të na kenë ne prindërit për jetë. Siç nuk i kam as unë në çdo hap.

Mund të jetë nëna me fëmijët shokë?

Po. Unë e kam këtë raport në shtëpi dhe mendoj se është shumë e lehtë. Nëse doni të dukeni edhe më të rinj, ky është një sekret.Është rezultat i pamenduar, jo një qasje egoiste. Është e mrekullueshme dhe shumë e thjeshtë. Është përjetim transhendetal. Kur ti ke mundësi të çlirohesh nga skemat, modelet se si duhet të jesh, çfarë duhet të jesh, ti tregosh fëmijëve se je njeri perfekt dhe i di krejt. Jo, as unë nuk i di krejt. Jam një njeri normal, edhe ti do të jesh nesër normal nëse bëhesh nënë. Pak rëndësi ka, rritesh bashkë. Sepse kjo botë nuk ndalet. Është metafizika. Gjërat vijnë. Vajzat e mia mësojnë, I kam mësuar deri në një moment, tani mësoj unë prej tyre. Kam mësuar unë me to. Njëjtë ndodh edhe me studnentët. Kur unë i pyes çfarë mendon për diçka të caktuar, ata më shohin me habi, dyshim se mos po i pyes sa dinë. Jo, jo. Unë i pyes me të vërtetë çfarë ka shpirti i tyre, si e kanë botën, çfarë mendojnë. Çfarë nuance ka talenti i tyre, sepse ajo është shumë me rëndësi.

Në fakt ddhe edukata në familje, edhe kultura e tradita janë jo të lira. Kemi kulturën e mosit. Jo këtë, mos këtë.

Ajo që më shqetëson është kur etiketohet kjo është e mirë, pra i përmbush caqet, modelin që i ka dhënë shoqëria. Po doli nga kjo kornizë, nuk bën.

Kjo ndodh nga dëshira për të qenë dhe ti ndryshe, por mandej të zë frika dhe të detyron të tregosh me gisht. Kjo është ikja më e lehtë.

Po të shohim diçka më të komplikuar, do të ishte diçka më mirë dhe më e bukur.

Sa e vështirë është të rrisësh dhe edukosh tre vajza?

Ilire Vinca me dy prej vajzave

Të rrisësh dhe edukosh një fëmijë nuk është e lehtë. Është përgjegjësia më e madhe që ekziston. Aty nuk ka prova, nuk ka shans të dytë, nuk ka reprizë dhe as premierë. Çdo moment është shumë i rëndësishëm. Prapë është diçka shumë e bukur. Nuk kam ndonjë sekret, përveçse i kam kënduar shumë vajzave. U kam kënduar jashtëzakonisht shumë.Kur mendoj për fëmijërinë e tyre, janë këngët që i kanë dëgjuar, mësuar. Edhe momentet më të vështira në jetë i kam kaluar me këngë. Jam munduar që ti mësoj të jenë të lira. Mos  ta gjykojnë veten. Të gabojnë e të tregojnë. Mos ti japin vetes  një trysni të madhe për të qenë modeli perfekt. Ashtu jam munduar duke i dhënë modelin tim. Në të njëjtën kohë i kam mësuar që edhe kur qajnë, edhe kur lëndohen, edhe po të rrëzohen, janë pjesë të jetës. Kanë të bukurën e tyre. Është si ajo vazoja japoneze; e ngjyrosin me ar kur thyhet. Aty ku ka çarje ka edhe dritë. Çfarë do të përjetojmë nëse ruhemi shumë?! Jeta është shumë e bukur nëse mëson ta jetosh e lirë, pa patur frikë. Frika është ndalesë shumë e madhe drejt lumturisë. Mendoj se vajzat e mia janë bërë më të mira se ç’duhet për rrethin ku jetojnë. Megjithatë kjo është frika ime si nënë. Jam e lumtur që janë rritur tre vajza shumë të pjekura, që mund të bisedoj me to për orë të tëra për tema të ndryshme dhe asnjëherë nuk na mjafton koha e bëjmë luftë se si të qëndrojmë më gjatë bashkë. Është një prej ndjenjave më të bukura që ekziston. Jam rritur me to. I kam kaluar fazat e tyre pa i gjykuar në asnjë çast. Përkundrazi, i kam inkurajuar.

Si i ke ruajtur nga mjedisi i egër, mediokër, sipërfaqësor?

Kam kaluar shumë kohë me vajzat. Kam patur kohë kur nëpër duar më ishin shumë vepra, por ka patur vite me heshtje totale. Ka patur rrethana; lufta , para luftës e faza të tjera të jetës që jam marrë vetëm me fëmijët, me familjen. Jam munduar të rri afër e tu jap çfarë ju duhet. Nuk kam dalë ti mbroj në shkollë nëse janë grindur me shoqet e shokët. Më kanë kërkuar tu shkoj pasi nënat e tjera kanë dalë. “Jo, atë problem duhet të zgjidhësh vetë, jo mami.”- u kam thënë. Kam ditur të jem larg duke qenë afër. Çelsi është komunikimi. Me fol për gjithçka, por të mos japësh mendime si prind. Ka patur momente që kam dashur të bërtas, deri në kup të qiellit, jo kështu. Por gjatë kohës që kam dëgjuar se çfarë po më thotë vajza , kam thënë mos e gjyko, nuk është e jotja. Është jeta e vetë. Nëse mendon se është e jotja, mund të reagosh shumë keq prej frikës. Gjithmonë kam marr kohë për ta përfunduar informacionin. Jam munduar ti shoh nga lart dhe me vëmendje. Nuk u kam dhënë zgjidhje. I kam treguar, por vendimet u kanë takuar dhe u takojnë atyre. Nuk mund të vendos askush për jetën tënde, qoftë nëna.

A kanë ndonjë talent?

Kanë shumë talente. Ato janë rritur me këngë edhe libra. Më kujtohet Rozafa kur ka qenë e vogël. Është çuar një herë në tre të mëngjesit duke qarë. Maaaaami….Kishte marrë me vete Shakespeare-in dhe thoshte ma lexo. Ku e dinte ajo kush ishte Shakespeare.Unë kisha simestrin në fakultet që duhet të punoja mbi pjesët që kishin zgjedhur studentët për ti prezantuar. Nuk kisha kohë tu lexoja fëmijëve librat e tyre me përralla e pastaj të merresha me librat e mi. Merrja Moglierin dhe bëja spektakël nëpër shtëpi. Krijoja karaktere. Unë merrja çfarë më duhej dhe ajo kënaqej. Kështu jam kombinuar, se në të kundërt nuk do tia kisha dalë. Është punë e madhe, Të treja kanë kryer shkollën e muzikës. Luajnë në instrumente; piano, violinë, çelo. Unë këndoj. E kemi një band në shtëpi. Bardha 23 vjeç ka kryer psikologjinë. Rozafa është regjisore filmi, diplomohet tani. Dy vite më parë kemi patur deputimin e parë nënë e bijë në filmin e Lendita Zeqiraj. Një nënë që e rreh çikën e vetë për shkak që ajo do një njeri me ngjyrë. Një nënë tradicionale, raciste, është një nënë bishë. Kam luajtur diametralisht të kundërtën e asaj që jam. Më shqetësonte shumë. Ishte one shot filmi dhe duhej ta luaje gjithmonë prej fillimit deri në fund. Nuk kishte prerje. Ishte një skenë që unë vërtet e rrihja, ia shkulja flokët. Më dridhej krejt trupi. Sepse nuk jam natyrë e tillë. Nuk jam rrahur me kërkënd, ndërsa në film e kam rrahur vjzën 28 herë. I thashë; mami për gjithë jetën të ka rrahur; që më ke prishur gjumin, që nuk ke hequr pelenën…

Edhe Flutura ka konkuruar për aktrim, jashtë. Ka kryer shkollën e mesme në Hong Kong. Ishte hapi im më i madh, rritja ime si prind që vajzën e lashë me stduime në Hong Kong në një moshë aq të vogël. Duke iu referuar këshillës time; nuk është e imja, është jeta e saj, është jeta e saj. Ajo fitoi një bursë me United Ëorld College. Ishte shans shumë i mirë. Të njëjtën bursë fitoi edhe vajza e madhe, por me të gabuam. Nuk isha gati ta largoja. E kam peng. Por edhe ne prindërit njerëz jemi dhe nuk marrim përherë vendimet e duhura. Në atë komunikim edhe vetë Bardha tha duhet ta lësh. Isha atje, pashë kampusin, mënyrën si funksionon. Pashë se si është rritur në këto dy vite. Unë nuk do tia kisha dhënë atë  përvojë si nënë duke e mbajtur afër. Ishte një përjetim i mirë për mua. Ka konkuruar në universitetet e disa vendeve të botës. Është në lsitë pritje në LËU në Neë York. E bëri vetë audicionin. Unë nuk isha ta ndihmoja dhe shumë mirë kështu që pa veten se ku mbërrin.

Ilire Vinca dhe Flutura Celaj, vajza e vogel

Një herë më tha: “më fal që po e zgjedh këtë profesion.”  Im atë, i thashë më ka inkurajuar të bëhem aktore, nuk mund të veproj ndryshe me ty. Është shumë bukur. Kemi plot artistë në shtëpi, aktorë, muzikantë. Mund të krijojmë një band ‘Ilire’s girls’.

A të dëmton psikologjikisht ky profesion?

Kisha qejf me pas një psikiatër afër që të më tregonte sa e dëmtuar jam. E ç’mund të bëj nëse e di. Çdo rol ka shumë ndikim. Çdo gjë që unë punoj, ka përjetime shumë të thella, shumë netë pa gjumë. Shumë kërkime, pakënaqësi, kam disa bllokada ndonjëherë. Por edhe me teori thuhet se ku ka bllokada aty gjenden edhe zgjidhjet e mira. Sakrifikoj shumë nga jeta sociale; gjithçka është jashtë kësaj pune. Jam shumë e disiplinuar në punë. Jam si një sportist i cili për tre sekonda hedhje duhet të përgatitet shumë gjatë. E bëj me shumë pasion. E marr me përgjegjësi të madhe. Nëse ti vjen për të më parë, unë nuk dua të të zhgënjej. E respektoj shumë shikuesin.

Si e ke arritur këtë marrëdhënie me veten dhe botën që të rrethon?

10 vitet e fundit e kam gjetur një mekanizëm se si të mbroj veten dhe se si të ruaj pastërtinë krijuese. Të ruaj botën time që të kem mundësi për të reflektuar pasi mjedisi ynë ku jetojmë është shumë i egër. Një jetë tejet e politizuar dhe si artist ti nuk mundesh të jesh në flusk e të jesh në flusk është gabim. Kur them që jam duke krijuar filtra, nuk do të thotë fluska. Çdo padrejtësi, spektakël me jetët e njerëzve, çdo gjë që më rrethon, më ndikon në kuptimin e keq të fjalës. Vlera e vërtetë dhe jeta   e njerëzve luhet si në kumar. Varfëria, pasuria e paskajshme e një kategorie që e shfaqjin si me qenë një spektakël tjetër. Jeta private e njerëzve që bëhet lajm. Injoranca.. Unë e kam një zë që duhet ta përdor drejt. Dhe zëri i artit është shumë i fuqishëm. Kam kohë ti pasqyrojë këto ende.

Në 20 vite akademike, si kanë ndryshuar brezat e studentëve që ke kaluar nëpër duar?

Kur ka shumë studentë, ka zgjedhje më shumë. Ka rënë numri, ka rënë edhe cilësia. Është problem edhe social. Kemi probleme shumë me artin, kulturën. Në vendet tona të varfra, jo të varfra për ku dhe çafrë kemi kaluar nuk ka qenë prioritet arti dhe kultura. Fëmijët kur shkojnë në teatër përballen me godinën e varfër, çfarë leksioni po ju japim fëijëve? Aktorin kur del në pension gati na vjen gjynah për të. Kjo është e dhimbshme, mjerim. Është mjerim edhe kur i shikon gjithë ata profesionistë që presin një rol. Pastaj fillojnë pakënaqësitë, urrejtja, dyshimet. Hapësira nuk është e duhur. Nuk ka mjaftueshëm punë. Kjo krijon një imazh të keq, ndërkohë që kultura dhe arti duhet të jenë në piedestalin e një shoqërie. Studentët janë të ftohtë dhe indiferentë. Ata jo se nuk duan, por janë të zhgënjyer dhe mosbesues. Ata nuk besojnë se nesër do të kenë punë, qasje në Teatër Kombëtar. Indiferenca e tyre është protest. Kjo është shumë e dhimbshme. Nuk është zgjidhja do të iki jashtë. Nuk është lehtë. Pse duhet ti krijosh ëndrrat jashtë? Unë si aktore nuk mund të bëj një vepër më të madhe se problematikat e popullit itm, me gjuhën time, botën që më rrethon me kënaqësitë e pakënaqësitë e protestat bashkë.

Si e vlerëson shkëmbimin artistik mes Tiranës dhe Prishtinës?

Ka disponim për shkëmbim, bashkëpunim. Qëllimi është i përbashkët. Të dy palët mezi presin. Por këto bashkëpunime nuk vijnë vetë. Duhet të ketë inisiativa siç pati Ema dëshirë për të më patur në shfaqje dhe kësaj dëshire iu përgjigj Jonida me shumë lehtësi. Por nëse Jonida nuk do të kishte pranuar, do të kishte mbetur vetëm dëshirë e Emës. Nëse je në institucion dhe ka pak hapësirë është mirë. Sjell një freski edhe për publikun. Njihemi më shumë. Duke shkëmbyer në art rritesh më shumë, zhvillohesh më shumë. Unë kam marrë gjëra të reja, me koleget, publikun. Duhet më shumë. E falenderoj shumë Jonidën për hapjen e dyerëve të zemrës dhe teatrit.

Intervistoi Sabina VEIZAJ

 

Më Shumë