Lajme

Shiu zbulon piramidën në Sheshin Skënderbej

Kjo fotografi  zbulon  Sheshin “Skënderbej”  në formën e tij të vërtetë; një piramidë. Shkëlqimi i pllakave të gurit,  duket sikur krijojnë një kreshendo deri në  atë që mund të dukej se  është kulmi i saj.

Koncepti i ri i sheshit kryesor të kryeqytetit, të cilin kryebashkiaku Erion Veliaj e ktheu, pas dhjetë muaj punimesh,  në një zonë pedonale prej 28 mijë metrash katrorë, është ajo e një hapësire e gjitha në funksion të qytetarëve, si një nyjë e rëndësishme për rekreacion dhe pikëtakimi për ngjarje kulturore e artistike. Gurët e mbledhur nga të gjitha trevat shqiptare e po ashtu edhe llojet e bimësisë që rrethojnë këtë shesh, të mbledhura nga flora e larmishme e  krahinave të ndryshme të Shqipërisë,  dizajni i pastër dhe minimalist kanë bërë që ky projekt i Bashkisë së Tiranës të vlerësohet si hapësira më e mirë urbane  në Europë për vitin 2018, në Barcelonë – dhënë nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore -  e po ashtu ka marrë vlerësim edhe nga Bienalja e Çikagos.

Dizajni linear, që pasurohet herë pas here me shatërvanët në formë gejzerësh duke i shkuar më pranë fenomeneve natyrore, e bën më të lehtë për vizitorët kundrimin e godinave të rëndësishme që e rrethojnë si Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i  Kulturës, Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, Teatri i Kukullave apo Banka e Shqipërisë.

Sheshi qendror i Tiranës u konceptua së pari nga arkitektët italianë nën regjimin monarkik të Mbretit  Zog, me një stil arkitektonik neorealist, por nuk emrin e mori vetëm në vitin 1968, pas vendosjes së monumentit të heroit kombëtar Gjegj Kastrioti Skënderbeu, punuar nga skulptori Odhise Paskali. Ky shesh ka parë një sërë transformimesh, ku më të shpeshtat kanë qenë pas viteve ’90.  Megjithëse shumë fotografi,nga kënde të ndryshme janë shkrepur në sheshin “Skënderbej”, prej përurimit të tij, u desh kjo fotografi pas shiut të zbulonte një piramidë, në zemër të tij...Mund të jetë lojë iluzive e vështrimit, ose koncept i arkitektëve, ama efekti është mbresëlënës. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë