Futboll

Erdhi ora e Superiores…

Kampionati i 81-të i Superiores nis mbrëmjen e së premtes në “Elbasan Arena”, ku Kukësi pret Partizanin kampion në fuqi. Nis kështu gara e gjatë, ku të kuqtë do të mundohen të mbrojnë “kurorën” e fituar pas 26 vitesh. Nis një kampionat që deri pak ditë më parë kishte shumë pikëpyetje sa u takon skuadrave pjesëmarrëse, për shkak të klubeve me borxhe dhe dënimit të mundshëm të Skënderbeut.

Nuk pati ndryshim në 10-shen e skuadrave që marrin pjesë, por ka risi kampionati i ri, ku kthehet Vllaznia, pas një viti në Kategorinë e Parë, por edhe Bylisi, një vizitor i shpeshtë i elitës. Risia e sezonit të ardhshëm ka të bëjë me formulën e re, ku rënien nga Superiorja e rrezikon edhe vendi i tetë në klasifikimin përfundimtar. Dy skuadrat e fundit, vendi i 10-të dhe i 9-të, bien direkt një kategori më poshtë, kurse vendi i 8-të luan një ndeshje shtesë me fituesin e përplasjes me dy vendeve të dyta të Grupeve A dhe B në Kategorinë e Parë. Skuadra që renditet e teta në Superiore, ka avantazhin se këtë ndeshje shtesë e zhvillon në fushën e saj.

Partizani feston titullin kampion në "Selman Stërmasi". Gazeta Si, 22 gusht 2019

Çfarë gare parashikohet për vendet e para? Numri i pretendentëve këtë herë është i kufizuar, sepse me siguri do të mungojnë Skënderbeu dhe Flamurtari për arsye të ndryshme. Korçarët nuk mund të shkojnë në Europë, sepse KAS-i la në fuqi dënimin 10-vjeçar të UEFA-s, kështu që në momentet e fundit po ndërtojnë një ekip mesatar, me Ilir Dajën në stol. Ekipi vlonjat thuajse u shpërbë, madje u vu në diskutim seriozisht edhe pjesëmarrja në garë për shkak të borxheve, por edhe këtë radhë FSHF-ja toleroi, ashtu si dhe për Tiranën, Vllazninë dhe Luftëtarin. Flamurtari po mbush radhët me emergjencë, me lojtarë që kanë mbetur pa ekip, apo që vijnë nga jashtë.

Kukësi shihet si rivali kryesor i Partizanit në garën e titullit, duke iu referuar vazhdimësisë dhe lëvizjeve në merkato. Vërtet kuksianët kanë humbur lojtarë me nivel si Shameti, Cuculi, Frashëri, Kordeiro, Rama, Rexhinaldo e të tjerë, por kanë bërë edhe shumë afrime të rëndësishme, ku i fundit pritet të jetë Kristal Abazaj, që mund të vijë në formulë huazimi nga Anderlehti. Më parë ekipi i drejtuar tashmë nga trajneri Shpëtim Duro ka marrë lojtarë si Gavazaj, Musta, Kitanovski, Kotobelli etj. Megjithatë, në garën e titullit këtë herë mund të kemi edhe Tiranën.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Partizanit sezonin e kaluar. Gazeta Si, 22 gusht 2019

Ndeshjet derbi të sezonit 2019-2020 parashikohet të jenë edhe më të nxehta. Tirana ka rritur ndjeshëm cilësinë në skuadër dhe i ka të gjitha mundësitë të luftojë për titull. Këtë herë trajneri Ardian Mema e fillon vetë gjithçka nga e para, duke e ndërtuar skuadrën sipas shijeve të tij. Kale, Torasa, Vangjeli, Dunga, Batha dhe Osmani janë emrat e goditjeve më të rëndësishme të Tiranës në merkaton e verës. Emra që i kanë dhënë skuadrës bardheblu një tjetër pamje dhe që pritet të luftojë “dhëmb për dhëmb” me Partizanin për titullin kampion, që do të thotë se një pjesë e mirë e tij do të vendoset nga ndeshjet derbi. Edhe Tirana kishte një situatë problematike me borxhet, por ia doli të krijojë një skuadër me profil pretendenti për titull.

Laçi dhe Teuta duket se janë po ato skuadra që pretendojnë Kupat e Europës, si çdo sezon. E kanë ndryshuar kontigjentin e futbollistëve, por jo fizionominë e lojës, madje trajneri i Laçit, Sulejman Starova, nuk ka ngurruar ta konsiderojë skuadrën e tij pretendente për titull. Sa i takon mbijetesës, Flamurtari, Luftëtari, Bylisi e Vllaznia pritet të jenë skuadrat që do të luftojnë në fundin e tabelës, gjithmonë duke gjykuar nga ajo çfarë kanë bërë gjatë verës. Tani është momenti që 10 skuadrat të tregojnë në fushë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Parashikimet edhe mund të thyhen, por e sigurt është se Tirana dhe Partizani do të kenë një llogari të hapur mes tyre ndoshta deri në fund të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë