Katër ndeshje, 6 gola, 2 barazime dhe dy fitore në transfertë. Kjo është Kupa e Shqipërisë në sfidat e para të ¼ finaleve për sezonin 2024-2025 që rezervon emocione të reja në ndeshjet e kthimit që do të zhvillohen në 26 Shkurt. Ekstremet e klasifikimit të Kategorisë Superiore janë me një këmbë në ½ finalet e kompeticionit pas asaj çka bënë në 90 minutat e para mes të mërkurës dhe të enjtes. Egnatia arriti fitoren e 7 rradhazi ndërsa Skënderbeu të 3 në 5 të fundit ku një barazim dhe një humbje plotësojnë serinë. Barazime të bardha në dy sfidat e tjera, Laçi me 10 lojtarë ndali Partizanin në në shtëpi dhe do të provojë të shkaktojë suprizën në “Arenën e Demave”. I njëjti rezultat u fiksua edhe “Elbasan Arena” ku AF Elbasani rezistoi ndaj Vllaznisë në një sfidë që kuqeblutë e shikonin si deçizive për vazhdimësinë në Kupë.

Ajo çka mbetet pas këtyre 180’ është paqartësia e ndeshjeve të kthimit në kryeqytet dhe në Shkodër. Fituesit në fuqi shënuan 3 gola rradhazi ndaj Bylis (2 në pjesën e parë) përpara se vendasit Dedes të shënonin një gol simbolik pas pushimit. Fati i sfidës duket I vendosur tashmë. Dëmtimet e bluve dhe dëshira e bardhekuqve vendosën shumë në sfidën e dytë rradhazi mes Dinamo City-t dhe Skënderbeut. Pas barazimit të pak ditëve më parë në kampionat, korçarët hedhin një hap masiv drejt kualifikimit pas dy golave (i 2 autogol i vendasve) në pjesën e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.