Editorial

E nise keq zonja ministre e re e Arsimit

Zonja Kushi e nise gabim që në hapin e parë. Ti ende nuk e ke kuptuar se je aty si ministre Arsimi që duhet të nxjerrë mbi 50 % të fëmijëve nga analfabetizmi funksional. Sot ne kemi nxënës që edhe pse dinë të lexojnë, nuk arrijnë dot të përkufizojnë me 2-3 fjali thelbin e pjesës që kanë lexuar, kjo edhe për shkak të kurrikulës me bazë kompetencën e MASR. Raporti ndërkombëtar vjetor “Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve” (PISA), që mat dhe vlerëson aftësitë e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë, e rendit Shqipërinë nën nivelin mesatar të dijeve. PISA 2018 nuk prodhoi asnjë risi nga PISA 2015. Ndër 79 vende të botës, Shqipëria renditet në vend të 61-të, nën nivelin mesatar në matematikë, lexim dhe në shkencë.
Ti je aty që, nëse mundesh, të përmirësosh përmes politikave renditjen në nivel arsimi të fëmijëve shqiptarë, që ata të mos jenë më në grupi e vendeve me nivelin e dytë në matematikë me 437 pikë; apo poaq në nivelin e dytë në shkencë me 417 pikë.
Ti gjithashtu nuk e ke kuptuar që je aty për të ndryshuar edhe fenomenin e braktisjes së shkollës. Të dhënat e ministrisë që sapo morët në dorëzim raportojnë çdo vit mbi 1 mijë fëmijë braktisin shkollën kryesisht pas mbylljes së ciklit të detyrueshëm 9-vjeçar. Por të dhënat e UNESCO-s për arsimin shqiptar deri në 2018 janë mbi 4000 fëmijë dhe adoleshentë që braktisin shkollën.
Aq më pak e ke kuptuar se shkolla shqiptare u godit rëndë këtë vitin e fundit nga tërmeti dhe pandemia e krijuar nga Covid-19, duke nxjerrë në pah problematika të reja që iu mbivendosën majisjes së problemeve edhe ashtu të rënda të arsimit.
Nësë të pranojmë si ministre Arsimi nuk të vuri kush të nderosh shqiptarët. Ata sa herë kanë mundësi, e nderojnë veten e tyre. Ka plot. Ti je aty të punosh që t’u japësh mundësi arsimi dhe me cilësi fëmijëve shqiptarë, që ata të mos përfundojne si ty që falenderon partinë se kape një post pune. Se ministër është punë, jo ofiq, apo dekoratë partie. E nise keq që në deklaratën e parë në FCB, sepse fjala jote tingëlloi zhurmshëm si betim i pionerit të Enverit. Megjithë arsimin tënd perëndimor, u shfaqe si një komunist i vjetër që në këto kohëra të millenian-sve ata nuk të kuptojnë. Ndërsa ne më të rriturve na zgjove krupën. Ti fole si militante ndaj shumë nuk do të të besojnë. Zoti qoftë me ty! Do të dëshironim me gjithë shpirt që ti të arrije suksese, që do t’u shërbenin shqiptarëve, pasi aty ku ti do të punosh sot, lidhet fati i gjeneratave; nëse nuk e ke kuptuar ende dhe jo fati yt politik dhe i partisë tënde. Ato janë përfitime në këmbim kur ta kesh merituar. Sot ti erdhe e papërgatitur. Ndoshta kë ngatërruar klasë e duhet të zbresësh ca nivele me poshtë. Gjuhën që ti përdore sot e kuptojnë prindërit, por jo të rinjtë. Ndaj ti je shumë larg tyre.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë