Politike

Dy beteja në një ditë / Marshimi i fundit i Berishës, devijon kryeministrinë, proteston para PS: Vetëm pa Ramën i fitojmë zgjedhjet (kush mungoi)

Në marshimin e tij të fundit, para se GJKKO të vendoste për kërkesën e SPAK për arrestin në shtëpi, Sali Berisha u ndal para selisë së PS-së, por jo kryeministrisë.

Ai e nisi rrugën e tij për një tjetër vendim të rëndësishëm të lajmëruar po sot.  

Në mëngjes, ai foli para Gjykatës së Lartë, më pas u ul këmbëkryq dhe lajmëroi se vula e PD-së duhet t’i përkasë atij dhe jo Lulzim Bashën për të cilin Berisha tha se askush nuk mendon se mund të bëjë opozitë.

Berisha nuk u pa optimist për një vendim në favor të Rithemelimit kur tha se gjykata ishte kthyer në një vegël të Ramës.   

Më pas, ai iu drejtua selisë se PS. Ai nuk foli, por qëndroi atje disa minuta. Mbështetësit e tij lëshuan tymuese, ndërsa Berisha dha drejtim për të ndaluar tek Bashkia e Tiranës që drejtohet nga Erion Veliaj të cilin Berisha e akuzon si përgjegjësin kryesor për inceneratorin e Tiranës dhe jo vetëm. Veliaj shihet edhe si ‘pasardhësi’ i mundshëm i drejtimit të PS ndaj dhe ndalesa e tij e fundit para Bashkisë pati disa simbolika. As aty nuk foli.

Më tej, Berisha iu drejtua bulevardit ku shumëkush mendoi se po i drejtohej kryeministrisë. Ai e devijoi atë rrugë ne moment të fundit për t’ju drejtuar selisë së PD-së.

Nga shkallet e selisë, në fund të mashtrimit, Berisha tha se protestat do të fillonin para PS-së si partia ‘e të keqes’ me në krye Edi Ramën.

“Sot, protesta jonë para selisë së partisë së krimit, shënon fillimin e betejës sonë kundër kësaj partie, e cila me të gjithë qëndrimet e saj, e udhëhequr nga Edi Rama është përgjegjëse për dramën e madhe të shqiptarëve.

Edi Rama në krye të kësaj partie, kërkon të zhdukë PD-në, por ne do qëndrojmë dhëmb për dhëmb. Ne jemi të pamposhtur.

Protestat tona do përhapen në të gjithë vendin dhe së fundmi do përqendrohen përpara të gjitha institucioneve të krimit, para kryeministrit, do përqendrohen në çdo skaj të vendit për të mbrojtur liritë tona”, tha Berisha.

Vetëm pak minuta para së të merrej vendimi, Berisha premtoi para mbështetësve të tij në shkallet e selisë së PD se sot fillon një kapitull i ri.  

“Ju garantoj ju se forcë në botë që të më ndajë mua nga ju, nuk ka.

Çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, unë do bëj gjithçka që së bashku me ju, të ecim të sigurt drejt fitores.

Ne nuk jemi ata të cilët u themi shqiptarëve se me Edi Ramën mund të fitohen zgjedhjet.

Ne u themi shqiptarëve që të rrëzojmë Edi Ramën që të fitojmë zgjedhjet. Të votojnë shqiptarët të lirë.

Dhe ne do e realizojmë këtë. Kjo kërkon guxim, kërkon sakrifica, kërkon vendosmëri, por ne së bashku të tillë jemi dhe ju garantoj ju se çdo ditë e më shumë do bashkohen shqiptarët rreth nesh”, tha ai.

Sali Berisha kishte në krah Flamur Nokën dhe Luçiano Boçin, ishte Klevis Balliu dhe Luan Baçi  por nuk u panë në rresht të parë anëtarë të tjerë të kryesisë së PD-së së Rithemelimit, madje as deputetja Albana Vokshi apo Ina Zhupa.

Mungoi gjithashtu Jozefina Topalli apo Belind Këlliçi.

 Munguan gjithashtu edhe deputetet e grupit “Bardhi”

 Bashkë me Berishën ishin edhe mbështetësit e tij më të flaktë ndër vite sa kohë që edhe parullat që lëshonin ishin po aq të vjetra të tipit: “Qeveri hajdute”, “Rama ik”  “O Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë