Portofol

Çfarë fshihet pas vendimit për largimin e lojërave të kumarit në janar

Ligji i ri që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të largojë jashtë qendrave të banuara vetëm gjysmën e aktivitetit të kumarit, atë që zhvillohet nga kazinotë elektronike. Kazinoja Kombëtare dhe pikat e basteve do të vazhdojnë të mbeten sërish brenda qyteteve dhe fshatrave të vendit duke nxitur qytetarët të luajnë miliona euro në vit.

Neni 71 i ligjit për lojërat e fatit parashikon që " Organizatorët e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2018."

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar shqiptarët luajtën 130 milionë euro në bixhoz. Nga këto 69 milionë euro u arkëtuan nga kazinotë elektronike, ndërsa 61 milionë euro të tjera u luajtën në bastet sportive, bingot dhe Kazinonë Kombëtare.

Gati gjysma e aktivitetit të kumarit nuk preket fare nga masa shtrënguese e ligjit të ri, përjashto disa kufizime të vogla mbi pikat e basteve, ku më kryesori është detyrimi për të qenë 100 metër larg njëra tjetrës.

Kazinoja kombëtare

Regency është kazinoja e vetme me licencë kombëtare në Shqipëri e licencuar në prill të vitit 2005 për një afat 15 vjeçar. Aktiviteti i kësaj kazinoje rregullohet me ligj të veçantë që është miratuar nga Parlamenti, ndaj ajo nuk preket fare nga kufizimet e parashikuara në ligjin e ri për Lojërat e Fatit.

Aktualisht Regency Casino zë rreth 13.7 për qind të tregut të kazinove në Shqipëri. Vitin e kaluar kompania pati një qarkullim vjetor prej  11 milionë euro nga 80 milionë euro që ishte i gjithë tregu I kazinove në vend duke përfshirë dhe ato elektronike.

Të dhënat tregojnë se biznesi i kazinosë kombëtare është dyfishuar në katër vitet e fundit. Sipas bilanceve zyrtare të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, xhiroja e Regency Casino International Tirana në vitin 2012 ishte vetëm 5.3 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ajo arriti në rreth 11 milionë euro për vitin e kaluar. Për të njëjtën periudhë fitimi i kompanisë është rritur me 25 herë, nga 145 mijë euro që ishte në plot 3.5 milionë euro.

Bastet Sportive

Përveç kazinosë kombëtar, një tjetër kategori që nuk preket nga detyrimi për t'u larguar jashtë qendrave të banuara janë bastet sportive. Aktualisht në Shqipëri operojnë tre kompani bastesh sportive, që janë Lotto Sport, Top Start dhe ITSGA.

Sipas të dhënave nga bilancet zyrtare të tre kompanive, vitin e kaluar shqiptarët luajtën 45 milionë euro në baste sportive. Por shuma reale mendohet të jetë dukshëm më e lartë se kaq, pasi një pjesë e madhe e pikave të basteve vlerësohet se janë krejtësisht informale, duke mos qenë fare të regjistruara në organet tatimore.

Pikat e basteve janë një nga aktivitetet më të përhapura të biznesit në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, tre kompanitë e basteve që operojnë në Shqipëri kanë rreth 4500 pika bastesh të shpërndara në të gjithë territorin e vendit. Kjo do të thotë se aktualisht Shqipëria ka 1 pikë bastesh për rreth 640 banorë, çka përbën një nga shifrat më të larta në Europë.

Në Angli, vendin që ka shpikur bastet, në fund të vitit të kaluar ekzistonin 8.500 pika bastesh, ose rreth 1 loto për 6.500 banorë. Italia, një tjetër vend me traditë në bixhoz, sipas të dhënave zyrtare numëron 13.500 qendra bastesh. Në raportin me popullsinë i bie 1 pikë basti për rreth 4.500 banorë.

Krahasimi tregon se numri i lotove në Shqipëri është dukshëm më i lartë edhe sesa vendet e ngjashme të rajonit. Sipas të dhënave nga Bordi serb i Bixhozit, në Serbi aktualisht numërohen 1.850 pika bastesh në të gjithë vendin. Për një popullsi prej 7 milionë banorësh, kjo do të thotë se Serbia numëron 1 pikë basti për 3.800 banorë.

Pikat e basteve do të vazhdojnë të mbeten forma më e përhapur e biznesit në Shqipëri edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, i cili të vetmin kufizim që parashikon për lojërat e fatit është ai I distancës 100 metra nga njëra tjetra. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë