Futboll

Burg, sherre dhe thumba, 49 vitet e çmendura të Uli Hënes te Bajerni

Data 15 nëntor 2019 do të kujtohet si dita kur Uli Hënes doli nga skena e Bajernit, të paktën zyrtarisht. Siç kishte vendosur që në verë, presidenti i bavarezëve ka hequr dorë nga të gjitha detyrat në klub dhe asamblea e ortakëve ka zgjedhur sot në vend të tij Herbert Hainer, 65 vjeç, ish-drejtues i lartë i Adidasit, sponsorit historik të Bajernit, me 8,33% të kuotave.

Hënes do të thotë 49 vjet te Bajern Mynih. Hyri në klubin e madh gjerman në 1970-ën si lojtar, u huazua në 1978-ën te Nurembergu dhe u kthye shpejt, pasi problemet fizike e detyruan të tërhiqej nga futbolli në moshën 27-vjeçare. Në atë moshë, saktësisht më 1 maj 1979, u bë drejtor sportiv në Mynih dhe pastaj president 30 vjet më pas. Në rrugëtimin e tij të gjatë nuk duhen llogaritur 2 vjet e gjysmë, 2014-2016, kur la çdo detyrë për të shlyer dënimin me burg për evazion fiskal në shumën e 28.5 milionëve. Por numri 1 i Bajernit praktikisht mbeti në klub, sepse bavarezët e kaluan te sektori i të rinjve për t’i dhënë mundësinë të ishte gjysmë i lirë, pas 6 muajsh burg.

Uli Hënes, drejtuesi karizmatik i Bajernit, i larguar tashmë nga posti i presidentit. Gazeta “Si”, 15 nëntor 2019

Për të thënë se sa protagonist është në historinë e Bajernit, mjafton të thuhet se Hënes, 67 vjeç, ka marrë pjesë si lojtar dhe drejtues në të 5 sukseset në Kupën e Kampionëve apo në Champions. Ka fituar 27 kampionate, duke marrë në konsideratë ata që ka fituar në fushë, por edhe ata të periudhës së burgut, që ai e ka përkufizuar si “gabimin më të madh të jetës”. Ka shpëtuar mrekullisht në shkurt të 1982-ës, duke qenë i mbijetuari i vetëm i një incidenti ajror, ku humbën jetën 3 nga miqtë e tij. Po shkonte për një ndeshje në Hanovër në atë kohë.

I identifikuar si komponenti agresiv i triadës që përbëhej prej tij, Bekenbauerit dhe Rumeniges, Hënes e ka filluar gjithçka i vetëm, sepse dy ish-shokët e skuadrës u futën në klub me detyra drejtuese në vitin 1991. Në vitet ’80, Bajeni nuk po notonte në ujëra të qeta dhe ishte pikërisht shitja e mikut të tij Rumenige tek Interi për 5.5 milionë euro (vlera aktuale) në 1984-ën që e shpëtoi klubin nga borxhet. Në 40 vjet ka shpenzuar 1.1 miliard për 206 lojtarë, duke arkëtuar 530 milionë. Është djali i një kasapi, pronar i një fabrike “würstel”-i. Hënes është parë teksa lëvizte fshehurazi kartonët e produkteve të tij në një supermaket, sepse nuk dukeshin mjaftueshëm.

Hënes dhe Rumenige. Gazeta “Si”, 15 nëntor 2019

Po ashtu, Hënes kujtohet edhe për polemikat e panumërta, aq sa është quajtur edhe si “titullari i sulmit”. Ka larguar një trajner si Kristof Daum, duke e akuzuar si përdorues kokaine. Ndër të shënjestruarit e tij kanë qenë edhe Mateus (sa të jem unë nuk do të kthehet te Bajerni as si kopështar), Klinsman (nuk duhet të drejtojë kombëtaren e Kalifornisë dhe të lërë këtu gjithë këtë m**), si dhe Luis Van Gal (mendon se është Zoti dhe se para se të krijohej njerëzimi, ai ka qenë këtu). Ka sulmuar gjithashtu edhe një sërë drejtuesish, trajnerësh, federatash dhe gazetarësh. “A mendon se Bajerni pati fat?” – e pyeti një gazetar pas një fitoreje të komplikuar. “Ju, i cilit televizion jeni? Bajern-tv? I kanalit të klubit? Po kërkon një punë të re?”- iu përgjigj Hënes. Sinjali më i qartë i inatit të tij ishte koka, që i bëhej e kuqe si fytyra.

Edhe në fundin e mandatit, Hënes ka pushuar nga puna një trajner, Niko Kovaç, më 3 nëntor. Edhe pas fitores së fundit si drejtues, 4-0 ndaj Borusia Dortmund, nuk e ka ulur vigjilencën. Të nesërmen, kur një televizion po kritikonte drejtorin sportiv të Bajernit, Hasan Salihamixhiç, Uli telefonoi në lidhje direkte i tërbuar dhe akuzoi një nga të pranishmit se nuk kuptonte asgjë nga futbolli. “Do ta vëzhgoj gjithmonë klubin”, – ka thënë ditët e fundit. Është e pamundur t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet, edhe pse e ka liruar zyrën e tij. Do të ketë një post honorifik në këshillin mbikëqyrës, por mbi të gjitha, nuk do ta humbë vendin e tij në tribunë, pranë Rumeniges, edhe ai në ikje e sipër dhe që do të zëvendësohet nga Oliver Kahn. Dyshja që e bëri Bajernin të madh, do të vëzhgojë përsëri nga lart.

Hënes dhe Salihamixhiç. Gazeta “Si”, 15 nëntor 2019

 

Më Shumë