Treg

Bordi rrit ndjeshëm çmimet e karburanteve

Bordi i Transparencës ka vendosur sot që të rrisë ndjeshëm çmimin e naftës pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit.

Bordi e ka çuar çmimin me pakicë të naftës në 245 lekë, me një rritje rekord prej 22 lekësh që nga fillimi i funksionimit të tij në mars të këtij viti. Në vendimin e fundit të datës 1 tetor, nafta ishte ulur në 223 lekë për litër.

Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit.

Gazi do të tregtohet me 77 lekë për litër, nga 78 lekë që ishte deri tani.

Pak ditë më parë OPEC + ra dakord për shkurtimet e tij më të thella të prodhimit që nga pandemia COVID 2020, pavarësisht se tregu nuk ishte shumë i favorshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ishin kundër këtij vendimi, çka çoi në rritje të shpejtë të naftës në bursa.

Gjatë ditës së sotme, një fuçi naftë u tregtua me gati 96 dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë