Teknologji dhe Inovacion

Blogeret e krijuara nga AI po mbizotërojnë rrjetet sociale me një qëllim: Të mashtrojnë burrat e dëshpëruar

Me sasinë e informacionit që ka në rrjetet sociale, është bërë më e vështirë se kurrë që të dallosh se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.

Një hetim i Daily Mail ka zbuluar se shumë nga blogeret në rrjetet sociale janë të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe po mashtrojnë burrat e dëshpëruar.

Blogeret kanë emra të rremë dhe histori e të dhëna plotësisht të rreme por që duken si të vërteta.

Këto blogere që janë vetëm në rritje, të cilat kanë qindra mijëra ndjekës, po admirohen nga burrat të cilët u japin edhe para.

Andrea është një blogere me flokë kafe me më shumë se 30 mijë ndjekës në Twitter të cilët komentojnë fotot e saj. Ajo ka të shënuar në profilin e saj llogarinë PayPal dhe kushdo që dëshiron foto nudo të saj mund të paguajnë aty.

Ajo gjithashtu ka një llogari edhe në Patreon, një aplikacion ku përdoruesit mund të japin një shqërbim të caktuar në bazë të një shume të caktuar mujore.

Andrea ofron në Patreon opsione si ‘e dashur në internet’, një shërbim që e jep për 300 dollarë në muaj.

Krijuesit njerëzorë të këtyre blogereve të inteligjencës artificiale janë fytyra të panjohura në ueb.

Milla Sofia është një modele e krijuar nga AI që poston fotografi të saj në Bora Bora, Greqi dhe duke punuar në një zyrë.

Si Sofia ka shumë të tjera të cilat në fotografi duken reale dhe jeta që ato tregojnë në rrjetet sociale e largon dhe dyshimin më të vogël se mund të mos jenë reale.

Por ka dhe nga ato blogere që nuk e mohojnë faktin se nuk janë njerëzore dhe përsëri nuk ngurojnë tu marrin para fansave të tyre.

Deanna Ritter është një prej tyre. ‘Krijuesi’ i saj ka krijuar një faqe dhe aplikacion ku fansat mund të dhurojnë para për të.

Deanna shkruan se është nga Seattle, Washington dhe ka mbi 92,000 ndjekës në Twitter.

Ndërsa disa përdorues të mediave sociale kanë hamendësuar se portretet mahnitëse janë shumë të bukura për të qenë të vërteta, të tjerë kanë rënë pre e bukurisë dixhitale..

Burrat u kërkojnë foto  blogereve, madje shumë prej tyre kërkojnë një kontakt apo një takim me to.

Çdo gjë është bërë më e vështirë pasi shumë prej blogereve janë tashmë të verifikuara në Instagram dhe Twitter.

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë