Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta dhe Kodi Zgjedhor i ndryshuar më 5 tetor që hap pjesërisht listat dhe ndryshon formulën e koalicioneve hyn menjëherë në fuqi. Dekreti u rrëzua me 96 vota kundër, një më pak nga 97 votat që mori në seancën e 5 tetorit, kur u miratuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor për të reflektuar ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.
Ndërkohë, këto ndryshime dhe procesi i ndryshimit të Kushtetutës më 30 korrik janë adresuar për opinion në Komisionin e Venecias nga ana e Presidentit Ilir Meta me kërkesën për t’u shqyrtuar me urgjencë. Meta u ka adresuar atyre tetë pyetje. Venecia ktheu përgjigje duke e pranuar kërkesën për opinion, por refuzoi procedurën e përshpejtuar duke deklaruar se çështja është mjaft komplekse dhe kërkon kohë.
Nisur nga kjo, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi dhe një grup prej 8 deputetësh të Parlamentit Europian i kërkuan mazhorancës që të presë këtë opinion. Thirrja e tyre u refuzua me arsyetimin se nuk ka kohë, pasi Komisioni i Venecias nuk e sjell dot para muajit dhjetor opinionin në fjalë, kur mblidhet në sesionin e radhës të seancave plenare.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se opinioni është i mirëpritur, por nëse do të propozohen ndërhyrje të tjera në Kod, ato do të bëhen pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



