Arsim

Frika nga COVID mbyt shqetësimet e prindërve për cilësinë e mësimeve

“Nuk e kemi shumë mendjen tek librat por të shifrat e Covid-19 se po rriten shumë. Deri tani e kam sjellë vajzën në shkollë, por e kam problem sepse nuk e di sjelljen e saj në klasë, a kujdeset për maskën apo nuk kujdesen,” i thotë Gazetës “Si”, Dorina, një nënë e re 30-vjeçare pranë shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari”
Më herët në redaksinë e Gazetës, disa prindër kanë shprehur shqetësimin se kurrikulat mësimore të klasave fillore nuk janë të duhurat për sa i përket nivelit të nxënësve. Sipas tyre, në libra ka koncepte që nuk përkojnë me moshën e nxënësve. Gjithashtu, prindërit kanë shpjeguar se në librat me ushtrime nuk ka një rrjedhë logjike të teorisë me ushtrimet, gjë që i ka vendosur nxënësit dhe prindërit në një vështirësi të madhe.
Duke u nisur nga kjo situatë Gazeta “Si” tentoi të fliste me prindër dhe nxënës në shkolla të ndryshme të qytetit, por pjesa më e madhe kishin një tjetër shqetësim më të madh se sa librat, që ishte shëndeti i fëmijëve të tyre.
“Librat do ia shpjegojë mësuesja, po sëmundjes çfare do t’i bëjmë! Ka shkolla me të infektuar e je i të trembur,” tregon Albana, e cila rri pranë derës së shkollës 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani” deri në momentin që djali i saj mbaron mësimin.
Ndërkohë, fëmijët mes tyre po flisnin dhe tregonin se kishin dëgjuar që mësimin shumë shpejt do ta bënin prapë nga shtëpia dhe nuk do të takoheshin më.

Gazeta “Si” u interesua edhe pranë Ministrisë së Arsimit për këtë pjesë, por deri më tani nuk ka marrë një përgjigje shterruese. Prindërit në shkolla të ndryshme treguan se tashmë është një gjendje shumë më e vështirë sa për të folur për librat, sepse nuk janë të sigurtë se çfarë të bëjnë. Pjesa më e madhe e prindërve që pyetëm shprehen se nuk janë të sigurtë as për sjelljen e fëmijëve në klasë dhe as për higjienën e shkollave. Prindër të ndryshëm i thanë gazetës “Si” se kjo gjendje i ka shqetësuar dyfish.
Albana i tha Gazetës “Si” se është e shqetësuar për informimin e djalit të saj, por gjithashtu ka dy të moshuar në shtëpi dhe ka frikë se mos sëmuren të gjithë nga aktiviteti i përditshëm në shkolla.
“Është frikë e madhe për të gjithë. Keq nga të gjitha anët kjo punë,” shton ajo.

Ndërkaq deri më tani Ministria e Arsimit, ka zëvendësuar mësueset dhe sanitarët e një shkolle nëntë vjeçare ashtu siç e kishin parashikuar me protokoll. Më herët është bërë me dije se ka edhe një skenar të dytë nëse ka shumë nxënës të infektuar. Do të zbatohet skenari i dytë që një pjesë e klasave do të bëjë mësim online dhe një pjesë në klasa. Deri më tani nuk ka një vendim të dytë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Nga të dhënat në të gjithë vendin, janë 130 mësues të cilët janë të infektuar, ndërsa ka edhe 60 nxënës të cilët janë në karantinë. Gjithashtu, gjatë kësaj kohë janë trajnuar 19 mijë mësues për funksionimin e mësimit online.
Por as këto masa të përcaktuara nuk e kanë ndryshuar shqetësimin e prindërve. Disa prej tyre kanë menduar që në muajt në vazhdim nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë sepse nuk janë të sigurtë për mirëqenien e tyre.

“Këta thanë që në nëntor do t’i mbyllin shkollat, por edhe po nuk i mbyllën, unë edhe këtë muaj do ta sjell vajzën në shkollë. Më mirë të mësojë nga kompjuteri se sa të infektohet. Plus shëndetit të saj kam problem edhe timin sepse jam me diabet. Çfarë nuk kemi dëgjuar, të them të drejtën. Keq nga Covid-19, keq nga librat, s’dihet si do vejë ky vit,” shpjegon Brunilda, një tjetër nënë e shqetësuar pranë shkollës “Sabaudin Gabrani”, e cila edhe ajo po merr të bijën, të cilën menjëherë e kontrollon nëse ka mbajtur maskën si duhet.
Ndërkohë asnjë mësues nuk pranon të komentojë për situatën në shkollat ku punojnë, ndërsa për Ministrinë e Arsimit edhe gjatë këtij viti pjesëmarrja e nxënësve ka qenë më e lartë se sa vitet e tjera. Ministria thekson vetëm faktin se "situata është gjatë gjithë kohës nën kontroll".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë