Gazeta Si – Një nënkomisar policie në sektorin antidrogë në Tiranë, është arrestuar këtë të diel i dyshuar për akuzën “korrupsion pasiv ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Mësohet se Sokol Canamati, i kishte kërkuar një të riu 2 mijë euro në këmbim të lirisë, në të kundërt, do ta procedonte penalisht për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Polici, në kundërshtim me ligjin, akuzohet se ndërhynte tek gjyqtarët për lehtësimin e procedurave ligjore kundrejt pagesës.
Gjithashtu për dy shtetas të tjerë është caktuar detyrim paraqitje. “Gjithashtu, është ekzekutuar vendimi penal për caktimin e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për shtetasit F.K., 51 vjeç dhe E.K., 22 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim”, njoftoi AMP.
Sipas hetimeve, Canamati, Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Policisë e Tiranës, kundrejt ryshfetit ka premtuar lehtësimin e pozitave procedurale penale të një shtetasi ndaj të cilit zhvillonte hetime për prodhim dhe shitje narkotikësh.
SPAK njofton se Canamati ka ushtruar presion ndaj të arrestuarit E.K., duke i kërkuar shumën prej 2 mijë eurosh në këmbim të lënies të lirë, duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë.
I arrestuari ka vënë në dijeni të atin, 51-vjeçarin F.K., i cili nëpërmjet njohjeve ka gjetur 235.000 mijë lekë dhe ia ka dhënë nënkomisarit të policisë. Kjo shumë është dorëzuar rreth orës 17:30-20:00 të datës 10 tetor 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



