Ekspozite

Anna Ehrenstein: Civilizimi gjithçka e ka artificiale, të fuqishmit e diktojnë

Sabina Veizaj- Ajo ka një buzëqeshje të madhe. Kur të flet e të buzëqesh në të njëjtën kohë picëron sytë.

E veshur thjesht, në mënyrë bashkëkohore, e palyer, natyrale.

Por Anna Ehrenstein nuk është dakord me këtë qasje që unë kam për të përshkruar atë, apo ndonjë tjetër individ.

Anna Ehrenstein

Ehrenstein është një artiste e re shqiptaro-gjermane. Ajo ka lindur në Gjermani nga dy prindër shqiptarë, të cilët, më rrëfen ajo gjatë bisedës interesante, me shqipen me theks gjerman, do të divorcoheshin shumë shpejt.

Ehrenstein ka studiuar fotografi dhe media art. Mandej ka përvijuar studimet për kuratore, të cilat i ka përmbyllur me titullin master në Maltë.

Ajo është kërkuese shkencore në fushën e vetë.

Mes 20 ekspozitave në disa vende të botës dhe Europës, dhënies së programeve mësimore mbi artin në Bienalen e Berlinit dhe kurimit të ekspozitave, ajo ka gjetur kohën të sjellë në Tiranë një punë shumë të rëndësishme për të “Tregime me Virtyt e Buzëkuq”.

Ekspozita e çelur në 24 tetor e që do të mbahet e hapur deri më 20 dhjetor është e vendosur tek “Bazament” në Zonën e Ish Bllokut.

Një skulpturë e një vajze me gërsheta e parë nga mbrapa, fotografi “reklamash” të veshjeve të markave të njohura, mandej disa duar të varura në litar të bardhë, duart më në majë kanë tek- tuk thonjë të bërë me xixa.

Në njërën nga videot ekspozohen pamje nga dyqanet e rrobave të përdorura në Tiranë.
Me Annën ulemi tek shkallët e ndërtesës, të veçuar pak nga njerëzit që mbajnë radhë të shohin punët e saj, e ndërsa gjerbin birrë, tymosin e bisedojnë në oborr.
Anna më shpjegon se e tërheq koncepti i autenticitetit, se si ai lëviz aq shpejt në ndërlidhje me teknologjinë.

Njëkohësisht është e interesuar per identitetin që zbulon nga dekonstruksioni i feminizmit, gjithashtu i bën përshtypje të zbulojë se si objektet egzotifikojnë vendin ku janë krijuar.
Gjithmonë më ka interesuar, më tregon Anna, të studioj konstruktin femëror në vende të ndryshme. “Më ka intriguar që në Gjermani ka një mitologji që veshja femërore është pjesë e patriarkales. Unë kisha interes që të dija pse femra shqiptare e kanë kuptimin e femërores ndryshe nga femrat gjermane”- më thotë ajo duke marrë si shembull veshjet me leopard.
Një veshje me leopard, më tregon Anna, në Gjermani do ishte shumë femërore, nuk do të vishej. Në Shqipëri vëren ajo, edhe fëmijët e vegjël e veshin.

Kam lexuar historinë e Sufragetës, vijon Anna rrëfimin, kur feministet e para të Gjermanisë dhe Amerikës kanë hequr korsetë e para për të çliruar femrën nga patriarkalja e më pas thoshin që kur femra nuk vishej më femërore është emancipuar, por në të njëjtën kohë femrat që ishin skllave, visheshin në mënyrë natyrale, por nuk ishin të emancipuara.

Në të njëjtën kohë në Shqipëri, vazhdon të më tregojë Anna, femrat kishin më shumë të drejta në kohën e komunizmit se në Gjermani, psh, në vitet ’60-’70 si mësuese gjermane nuk kishe të drejtë të martoheshe, kurse në Shqipëri femrat kishin të drejtën të bëheshin inxhiniere, mësuese, të martoheshin.

“Femra e kishte mundësinë, por jo individi për individualitet. Pra gjatë gjithë kohës së komunizmit njerëzit nuk visheshin siç dëshironin. Por, nga radikalizmi i komunizmit, erdhëm në radikalzimin e demokracisë. Një popull në diktaturë për 50 vjetë nuk ka mundësi të vlerësojë individin, të ketë individualitet, të bëhet glamur, kur kalon në sistemin tjetër shpërthen dhe i përfiton ato që nuk ka patur me bollëk në një kohë të shkurtër”- më shpjegon Anna konceptin mbi të cilin ka ndërtuar ekspozitën.

Tek e pyes çfarë domethënie kanë instalacionet me duar e thonj, më shpjegon: “Për mua ishte shumë interesante të kuptoja dyqanet e thonjëve. Kam takuar shumë vajza në këto qendra, që janë vende publike dhe jopublike. Kur ti i beson një femre të huaj estetikën tënde, afrohesh. Unë u bëra mike me disa që kishin sallon estetike e më pas bashkëpunuam. Në këtë kohë mësova se sa interesante është dyqani i thonjve për femrat. Kur nuk ke shumë mundësi punësimi, bën një kurs dhe e kryen zanatin në shtëpi, e më pas, hap dyqanin tënd. Kjo krijon një lloj emancipimi”- më shpjegon Anna duke më sqaruar më tej se “Nga jashtë të duket që thonjtë janë shumë sexy, shumë femërore, por nga ana tjetër ka përmbajtje, histori, po bën biznes, po pavarësohesh nga varësia financiare e të tjerëve.”


Për të kuisentenca e ekspozitës është autenticiteti.

Shumë herë kujtojmë se diçka është origjinale, thotë ajo, për arsye se është e fuqishme, por të gjitha firmat prodhojnë kryesisht në të njëjtën fabrikë si produktet origjinale dhe ato fake, një shitet ditën, tjetra natën.

Ajo beson se në qytetërim nuk ka gjë që nuk është artificiale.


“Kur një femër që bën operacion estetik dhe ndryshon hundën, gjoksin a buzët themi se nuk është natyrale, po për një femër që shkon në palestër çdo ditë, mban pesha dhe ndryshon trupin e saj pse thuhet që është natyrale dhe e shëndetshme”- pyet Ehrenstein.
Ajo gjykon se ajo çfarë duket natyrale apo jo diktohet nga njerëzit e fuqishëm.
Në të vërtetë, kjo çështje për të është shumë e komplikuar. Ky, më thotë ajo, është koncept kulturor.

Që të jesh e emancipuar, shpjegon Ehrenstein, nuk ka lidhje me se si vishesh, por fuqia që ti ke për të zgjedhur atë që do.

“Edhe në fillimin e ekspozitës është një thënie nga një shkrimtare indiane, Lufta në Europë bëhet me Burka ose me botoks. Kështu që edhe Burka edhe botoksi perceptohen si fenomene negative nga feminstët, por kjo është pa kuptim, se të dyja janë ok. E rëndësishme është të kesh fuqinë të zgjedhësh vetë nëse të pëlqen hixhabi apo botoksi”- më shpjegon artisja 26 vjeçare.

Në fakt ajo më thotë se nuk i duket vetja kaq e madhe për të thënë që “je e emancipuar apo jo, por më duket një gjë shumë komplekse dhe çdo njeri të zgjedhë të jetojë sipas dëshirës së vetë.”

Kjo ekspozitë është paraqitur në Paris, Londër, Berlin, Los Angelos.
Tema është sa shqiptare, aq dhe internacionale.

Në videot që kam ekspozuar, më tregon Anna, disa njerëz e kanë kuptuar që është temë globale, të tjerët e kanë kuptuar që është temë shqiptare.

“Kam publikuar edhe një libër me këto punë në Paris dy vite më parë. Këto fenomene intesifikohen më shumë në Shqipëri pas ndryshimeve sepse ne kishim hapësirë bosh konceptesh dhe i pranuam më shpejtë çfarë vinte nga bota.”

Kritika, më tregon Anna ka qenë shumë e mirë sepse zakonisht kritika nga Shqipëria pret tema si gjakmarrja, komunizmi, burrnesha, etj, “por unë erdha ndryshe”.

E kam filluar këtë projekt gjatë studimeve, vijon mandej bisedën Ehrenstein, dhe një profesor i imi më thoshte, pse nuk po tregon Shqipërinë, si duket. Por mua më duket e pavlerë sepse mund të shkosh në google dhe të shikosh si duket Shqipëria.

“Por më pëlqeu ta sjellë në mënyrë kontemporane që të ishte edhe globale. Të njëjtin projket mund ta kisha bërë edhe në Berlin ku po jetoj. Ka të njëjtat femra, marka, imitacione. Është projekt interesant për identitetin tim që po merrem me diçka që jam pjesë e nuk jam pjesë tamam”- më shpjegon e mandej gjatë bisedës tek e pyes se si ndikon të jesh në mes kulturash të ndryshme, më thotë se “në adoleshencë është e vështirë, pasi të gjithë duam ti përkasim një grupi të caktuar, kurse si artiste e ndjen si dhuratë se nuk i përket një grupi mirëfilli dhe i shikon fenomenet në distancë”.

Kritika është shprehur për “Tregime me virtyt e buzëkuq” se është shumë interesante përsa i përket lojës me fuqinë e fotografisë dhe instalacionit. Sepse tek sheh fotografitë, ti nuk je i qartë nëse është fotografi apo reklamë produkti që vetëm konteksti ta tregon të vërtetën dhe limitin që ke me fotografinë.

Arundthati Roy, Fitues i Çmimit Booker Prize do të vlerësonte ekspozitën maksimalisht.
Anna Ehrenstein, do të thoshte Roi, adreson kushtet social-ekonomike të autentikes analizuar në kufirin ndarës mes kulturës së masës dhe asaj të lartë (high culture).

Fotografitë, videot dhe instalacionet portretizojnë gratë ‘hiper-femërore në Shqipëri, si dhe produktet e imituara të dyqaneve të Tiranës. Protagonistet dhe produktet e punës janë bazuar në stil dhe pozim në imazhe të ndërlidhura mes rjeteve sociale dhe të drejtave të autorit, duke shpërbërë kështu kufijtë mes personales, ekonomikes dhe autenticitetit kulturor.
Nëpërmjet mjedisit të saj shoqëror mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, vijon ai. Anna Ehrenstein, e lindur në 1993 në Gjermani, ka zhvilluar një këndvështrim ndërkulturar mbi parametrat gjithnjë në ndryshim të moralit dhe etikes. Në punën e saj, mantra komuniste e “dobishmërisë dhe kërkesa feministe për natyralitet” janë shkartisur me nevojën individuale per vetërealizim, eksperimentim e performancë.
Lëvizja e grave feministe e ka kthyer feminizmin liberal Perëndimor (bazuar ne virtytin e të qenurit ndër markat më të financuara) në standardin që përcakton çfarë është feminizmi sot. Betejat, si githnjë, janë mbajtur mbi trupat e grave, mes Botoksit nga njëra anë dhe Burkës nga ana tjetër. (E më pas janë edhe ato të cilat i përjetojnë të dyja ekstremet, edhe Botoksin, edhe Burkën.)
E kur ndërmerren vendime institucionale për ndalimin e burkës, siç ndodhi së fundmi në Francë, më shumë se të ofruarit një rrethanë çliruese ku një grua zgjedh vetë mbi çfarë vendos të bëjë, ky akt nuk konsiston në çlirim, por në një zhveshje publike. Kthehet në një akt poshtërimi dhe në imperializëm kulturor.
Detyrimi i heqjes së burkës për një grua, është po aq i gabuar sa detyrimi për ta veshur atë. Diskursi nuk është mbi burkën, është mbi të detyruarit. Vendosja e gjinisë në këtë këndvështrim, të zhveshur nga konteksti social, politik dhe ekonomik, mbetet në thelb një problem mbi identitetin, nje betejë skenike midis kostumeve dhe objekteve.
Nuk po hamendësojmë që nuk ka ndryshim mes një materiali të mirë dhe një materiali të keq. Por nëse një çantë prodhohet në të njëjtat rrethana dhe me të njëjtin material – çfarë e bën kaq të vlefshme një çantë Louis Vuitton?

Arundthati Roy

Anna e tërhequr nga autenciteti dhe raporti i njeriut me botën material, ka krijuar një punë për vendet që kanë qenë orientale, për objektet ekzotike. “Kam qenë në Kinë për të intervistuar njerëz që prodhojnë imitacione atje, por kam shkuar edhe në markete në Egjipt si po ndërtohen objektet turistike. Si ka mundësi që një objekt ekzotifikon vendin ku është prodhuar”- pyet ajo.

Tek më tregon për projektet e kryera, më thotë se ka patur edhe një ekspozitë të madhe në Zvicër që merrej me autenticitetin.

“Kishte një skulpturë ku isha skanuar vetë nën hixhab printimi ishte 3D. Kishte telefonin brenda në hixhab. Në Berlin, në distriktin ku jetoj është lagje arabe. Kam parë që shumë femra bëjnë punë të tjera teksa flasin në telefon duke e mbajtur atë nën hixhab. Thosha sa interesante tekonologjia na ndryshon autenticitetin kulturor”- më tregon Anna duke iu rithyer sërish ekspozitës “Tregime me virtyt dhe buzëkuq”.

“Edhe në këtë ekspozitë kam skulptura që kanë influencë nga kultura afro-amerikane. Gërshetat. Është interesante, sepse 2-3 vite më parë thoshin që është përshtatje kulturore nga Hollivudi që merr nga afro-amerikanët dhe kur ti je femër afro-amerikane nuk mund të gjesh punë, kurse Hollivudi bën lekë me të njëjtën gjë. Në Shqiëpri është përshtatje nga poshtë. Gërshetat i bën një parukier që merr një tarifë shërbimi, por jo kushedi. Nuk është përshtatje, por një term që quhet kreolizacion, hibrid i kulturave. Ndryshon koncepti i autenticitet. Tani ndryshon shumë shpejt. Bëhen pjesë e kulturës”- më thotë Anna tek mbërrin kuratorja që kërkon ndjesë sepse duhet ta rrëmbejë, të ftuarit po e presin.

 

Më Shumë