Politike

Aleatët e PD-së propozojnë një federatë opozitare presin Bashën dhe Berishën

Nga Gazeta Si - Aleatët e Partisë Demokratike, të përfaqësuara nga kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kanë prezantuar propozimin e tyre për krijimin e një federate opozitare, e cila synon të shprehë mendimin e unifikuar të pakicës në Parlament.

Mediu u shpreh në një deklaratë për mediat se opozita vetëm e bashkuar mund të ndryshojë realitetin në vend.

“Opozita duhet të ngrihet në përgjegjësitë e saj. Propozojmë institucionalizimin e federatës se opozitës, e cila do të kthehet në një koalicion opozitar. Me këtë federatë do të krijohet një strategji e koalicionit opozitar”, tha ai.

Mediu theksoi se, opozita duhet të ketë një qëndrim të qartë kundër influencave të faktorëve të tretë, veçanërisht të Rusisë dhe Kinës.

Ai kërkoi marrëdhënie dhe bashkëpunim të ngushtë me BE-në, SHBA dhe Britaninë e Madhe si dhe qëndrim të koordinuar me faktorin institucional dhe politik shqiptar në rajon.

Mediu propozoi krijimin e senatit të opozitës, me figura të rëndësishme qeverisëse të historisë opozitare dhe të shquara të artit nga jashtë, të cilat të bëhen pjesë e mendimit dhe këshillimit të mendimit politik.

“Nëse jemi të ndarë, mazhoranca do vijojë luftën politike siç e ka bërë deri më tani. Duhet të bashkohemi rreth ideve sesi mund ta realizojmë ndryshimin në këtë vend, pavarësisht peshës politike”, u shpreh ai.

Me moton “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”, aleatët kërkuan Institucionalizimin e Federatës së opozitës, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e çmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë.

Federata do koordinohet nga një grup koordinator deputetësh, që pranohen nga faktorët politikë të opozitës.

“Kërkohet përfshirja në bashkëpunim Institucional me organizatat e diasporës, për të garantuar votimim e diasporës dhe kandidimin e tyre. Përcaktimi i rregullave të funksionimit të këtij koalicioni për çështjet që do diskutohen, kohën e takimeve dhe mënyrën e vendimmarrjes. Të synohet vendimmarrja konsensuale ose në të kundërt me 2/3 e votave të deputetëve të opozitës”, tha Mediu duke shtuar se mbledhja është e detyrueshme me kërkesën e çdonjërit nga kryetarët e partive parlamentare apo përfaqësues i grupit koordinator.

Kjo Federatë do të mandatojë një grup deputetësh, përfaqësues për marrëdhëniet dhe diskutimin me partnerët ndërkombëtarë, për çështjet me rëndësi për vendin dhe rajonin.

Aleatët kanë propozuar:

Opozita të zgjedhë me votën e gjithë deputetëve të saj, përfaqësuesit në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Çdo grup parlamentar duhet të jetë i përfaqësuar në këtë komision. Deputetët zgjedhin me 2/3 bashkëkryetarin. Nëse në dy raunde nuk zgjidhet, atëherë në raundin e tretë e zgjedhin me shumicë të thjeshtë.

Komisionet hetimore, në respektim të së drejtës kushtetuese të opozitës dhe Parlamentit, në funksion të kontrollit të qeverisë.

Koordinimi i vendimeve dhe veprimeve parlamentare të opozitës.

Koordinimi i qëndrimeve në Asambletë Parlamentare apo përfaqësimet ndërkombëtare.

Deputetët mblidhen të paktën 1 herë në javë. Çdo grup prej 5-7 deputetësh, ka të drejtë të thërrasë takimin, me detyrimin për të prezantuar me shkrim propozimin apo qëndrimin tek përfaqësuesit e tjerë, me synimin:

Qëndrim i unifikuar i opozitës, për Reformën Zgjedhore dhe respektimin e Kushtetutës.

Në këtë kuadër, të gjitha partitë e Federatës, të paraqesin opsionet për Reformën Zgjedhore, deri në përcaktimin e një qëndrimi të përbashkët. Propozimet të paraqiten me shkrim brenda 2 javëve dhe të paraqitet në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Qëndrimi i partive tona për Reformën; është një sistem propocional kombëtar me lista të hapura, ose çdo subjekt mund të zgjedhë nëse aplikon listat e hapura apo listat e mbyllura.

Reforma Administrative domosdoshmëri për një zhvillim dhe administrim propocional të vendit dhe shmangjen e braktisjes e zonave të tëra të Shqipërisë.

Komisionet Hetimore dhe veprimtari të tjera parlamentare për rikthimin e Parlamentit në binarët kushtetues.

Gjithashtu ato kërkojnë edhe krijimin e një grupi pune për marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë