Portofol

Ahmetaj urdhëron Mbikëqyrjen të zhvendosë lojërat e fatit

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, nëpërmjet një letre drejtuar Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, kërkon zhvendosjen e kazinove deri më 31 dhjetor 2018.

Ai kërkon që “Sipas parashikimeve në Ligjn nr. 155/2015, “Për Lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”, subjektet  të cilat ushtrojnë aktivitet në fushën e lojërave të fatit, brenda datës 31.12.2018, duhet të marrin masat për: Zhvendosjen e kazinove, nga zonat e banuara dhe respektimin e distancave minimale prej 100 metrash ndërmjet pikave të basteve dhe nga institucionet fetare, institucionet e arsimit parauniversitar dhe institucionet e arsimit të lartë".

Në letrën e Ministrit të Financave citohet se “Duke pasur në konsideratë sensibilitetin e këtij procesi dhe rëndësinë e zbatimit me sukses te tij, Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit të ndjekë e të mbikqyrë me imtësi procesin, me qëllim respektimin me rigorozitet të kërkesave dhe afateve ligjore.”

“Subjektet të informohen për procedurat dhe penalitetet që rrjedhin nga moszbatimi i plotë dhe në kohë i detyrimeve”, përfundon Ahmetaj letrën e tij.

Ligji për lojërat e fatit, është miratuar pak ditë më parë në seancë plenare dhe parashikon që brenda datës 31 dhjetor të këtij viti të gjitha kazinotë elektronike duhet të zhvendosen jashtë qendrave të banuara, ndërsa pikat e basteve duhet të kenë një distancë minimale 100 metra nga institucionet fetare dhe shkollat.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë