Editorial

A po lind një LSI e re dhe a është Tom Doshi një lloj kloni i Ilir Metës?

Që pa nisur votimet, ditë përpara, në eter qarkullonin parashikimet për një fitore të mirë me mandate deputetësh për Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.  Dhe rezultati së paku deri tani me 3 mandate të fituara, e vërtetoi këtë. Për shkak të kësaj ndjesie nga terreni rezultati nuk është surprizë. Por, sërish  ai mbetet i tillë. PSD deri tani ka marrë pak më shumë se dyfishi i votave në rang vendi në krahasim me zgjedhjet e 2017-ës. Si ka mundësi një parti që i dihet vetëm kryetari, arriti të marrë tri mandate dhe të sfidojë së paku LSI e familjes Meta, ka kaq shumë pushtet dhe fije interesash, e cila ka zbritur nga froni i lojtarit që mund të diktojë rregulla loje dhe madje të përcaktojë siç ka ndodhur se kush do të jetë në qeveri. Tani LSI nuk mundet dot ta bëjë më. Ajo ka një rënie drastike prej më shumë se dy herë nga votat politike të 2017-ës. As PSD duket se nuk e bën dot për momentin se socialistët e kanë shumicën, por sërish ajo me tri deputetët e saj i kaparoi maxhorancën parlamentare PS-së.

A mos vallë po lind një LSI e re dhe në vend të Ilir Metës po vjen në background Tom Doshi?

LSI lindi si një revoltë pakënaqësie e Ilir Metës ndaj Fatos Nanos atëherë kryeministër dhe kreu i PS-së. Ai donte më tepër pushtet madje donte fronin. Përçarja e socialiste solli në pushtet Sali Berishën me demokratët i cili qeverisi për dy mandate për shkak të një “tradhtie” të nisur më parë nga Dritan Prifti, i cili tërhoqi zvarrë LSI dhe e ç’detyroi Metën të lëvizte më shpejt drejt një koalicioni me demokratët. Pakënaqësia e socialistëve u shumëfishua kur 4 prej tyre humbën jetën në dyert e Kryeministrisë në një protestë të agresive për shkak se ish-socialisti Ilir Meta që i kishte tradhtuar dy herë shfaqej në një videoskandal gjatë një bisede për një pagesë të supozuar korruptive, sepse gjykata e rrëzoi, prej 700 mijë euro. Ilir Meta u kthye në një të urryer për socialistët më shumë se vetë Sali Berisha. Por LSI e braktis Berishën, duke i dhuruar atij humbjen, pasi fitoi zgjedhjet me PS dhe Edi Ramën, i cili nis udhëtimin përmes dy mandatesh dhe tani të tretin qeverisës. LSI dhe Ilir Meta sërish mbeten të pakënaqur pas mandatit të parë, megjithëse më të pakënaqur ishin socialistët, të cilin duhet të linin vendet e punës për simpatizantët dhe anëtarët e “lëvizjes”. Mes Edi Ramës dhe Ilir Metës rinisi beteja,  e cila rrugës u pasua nga gjuha e egër e Ilir Metës tanimë president, sapo Reforma në Drejtësi nis të marrë udhë. Deri në ditën e votimeve LSI dhe vetë Ilir Meta  u bënë armiq me të gjithë, përveç PD, por tek e cila tek e cila ende dyshonte nëse lideri i saj, Lulzim Basha do ta mbante fjalën për koalicionin qeverisës. Ditët e fundit Ilir Meta doli nga kostumi i presidentit dhe veshi uniformën e mundjes. Gjuha e tij politike u kthye në sëpatë që donte të priste këdo që i pengonte rrugën. Ai besonte vetëm te Sali Berisha, por ky i fundit nuk u duk as në mitingun përmbyllës së fushatës së demokratëve. Ndërkohë që amerikanët si gjithnjë  vëzhgonin dhe ruanin nga larg që të mos rrëmbente sfurkët.

Tani gjithçka duket e vulosur. Ra LSI dhe Ilir Meta, por u ngrit Tom Doshi.

Ai e ka historinë e marrëdhënies pak më ndryshe me PS. Ishte deputet i saj por u përjashtua nga grupi edhe ky për shkak të një video apo inskenimi skandal për një atentat të mundshëm ndaj tij nga Ilir Meta. Një nga deputetët miliarderë më të mëdhenjtë dhe “beu” në saraje i zonës së Shkodrës ai “blen” PSD dhe bëhet kreu i saj për të pasur një marrëdhënie formale dhe të justifikuar politike me pushtetin. Asnjëherë nuk ka dalë kundër PS dhe Edi Ramës. As nga SHBA - siç gaboi Ilir Meta. Megjithatë, prania e tij afër pushtetit nuk pëlqehej nga amerikanët, të cilët e kanë shpallur non grata dhe hapur kanë kërkuar që të paktën Edi Rama dhe socialistët të mos e mbajnë faktor qeverisës.

Me rezultatin e deritanishëm ai nuk është përcaktues sepse PS e siguron qeverisjen e vetme. Por ama në anijen e saj gjatë udhëtimit në mandatin e tretë, pas mbytjes së LSI qëndron e lidhur si gomone shpëtimi PSD, e cila derisa garantoi fitoren, kishte skafist një të padëshiruar nga amerikanët “për korrupsion domethënës”, pak a shumë si Ilir Meta dhe LSI dikur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë