Portofol

A e vrau kapitalizmi inflacionin?

Nga Peter Coy - Nëse ekonomiksi do të ishte letërsi, historia e asaj çfarë i ndodhi inflacionit, do të ishte një novelë misterioze me shumë interes për t'u ndjekur. A dha shpirt inflacioni për shkaqe natyrale, si shkak i një ekonomie të dobët, për shembull?

A u vra nga Bankat Qendrore, me armën e normave të larta të interesit? Apo nuk ka vdekur, por thjesht po përvidhet dhe do të kthehet me hakmarrje?

Ashtu si çdo mister i mirë vrasjeje, edhe kjo ka një kthesë. Po sikur humbja në dukje e inflacionit, të ketë shpërthyer te vetë bankierët qendror duke i bërë ata të duken sakrifikues? Shumë larg lavdërimit për një punë të mirë, ata janë nën sulmin populist. "Nëse Fed do të kishte bërë punën e tij siç duhet, të cilën nuk e ka bërë, tregu i aksioneve do të kishte qenë 5000 deri në 10,000 pikë shtesë dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto do të kishte qenë mbi 4% në vend të 3% … me pothuajse asfare inflacion," ka shkruar presidenti Donald Trump në llogarinë e tij në tweeter më 14 prill. Më 5 prill, duke përmendur Freddie Merkuri të Queen, ai tha "ju do të shihni një anije kozmike" në qoftë se banka qendrore lehtësohet.

Ironia kritike e Trump për Rezervën Federale është se sipas standardeve historike, banka është mrekullisht e akomoduar, domethënë e prirur për të mbajtur normat e ulëta. Pas dekadash pune për të ulur inflacionin, madje edhe me koston e nxitjes së recesioneve dhe në fund arritjes së suksesit, bankierët qendrorë në ekonomitë e zhvilluara kanë shpenzuar shumicën e dekadës së fundit në ndryshim të kursit duke u përpjekur ta rimarrin atë, me shumë pak sukses. Në një konferencë për shtyp më 20 mars, kryetari i Fed, Jerome Powell tha se inflacioni i ulët është "një nga sfidat kryesore të kohës sonë".

Ashtu siç pranon Powell, inflacioni i ulët i vazhdueshëm është vështirë të shpjegohet duke përdorur teori standarde makroekonomike. Presionet mbi çmimet rezultuan të dobëta menjëherë pas krizës financiare botërore, sepse pati ngadalësim të ekonomisë, përfshi fabrikat e pashfrytëzuara dhe punëtorët Ajo që tingëllon si e habitshme tani më është se edhe pas një prej zgjerimeve më të mëdha ekonomike në historinë e SHBA-ve dhe me normën e papunësisë që shënon minimumin e rreth gjysmë shekulli, inflacioni akoma mbetet i nënshtruar. Fed ka humbur në mënyrë të përsëritur synimin e vendosur në janar të vitit 2012 për një nivel vjetor prej 2 përqind të indeksit të çmimeve për shpenzimet e konsumit personal. Menjëherë pasi të hiqen çmimet e paqëndrueshme të ushqimit dhe të energjisë, inflacioni në atë masë arriti në 2 për qind vetëm në muajin korrik 2018 gjatë shtatë viteve të fundit.

Ashtu si në janar, Powell deklaronte se ekonomia dukej e fortë për të mbështetur dy rritje të normës së interesit në tremujorin e parë të vitit 2019 me 0,25 pikë përqindjeje, përpos katër që FED orkestroi vitin e kaluar. Por inflacioni përsëri ka ardhur nën pritjet e Fed, dhe të dy rritjet e e vitit 2019 janë anuluar nga parashikimi afatmesëm i politikbërësve të bankës.

Indeksi i Çmimeve të Shpenzimeve të Konsumit Personal
2012 = 100
me të zezë aktuali
me bojqielli, niveli që FED do të arrijë normën e inflacionit të synuar

Inflacioni është i dobishëm për bankat qendrore, sepse i ndihmon ato të luftojnë recesionet. Për të nxitur huamarrjen, atyre u pëlqen të ulin normat e tyre të interesit nën normën e inflacionit. Por ata nuk kanë vend për ta bërë këtë, nëse shkalla e inflacionit mezi mbërrin pak mbi zero. Një rënie e befasishme e inflacionit gjithashtu ndëshkon huamarrësit duke i bërë borxhet e tyre më të rënda.

Pra, kush, ose çfarë, e ka mbytur inflacionin? Ka fakte gjithnjë në rritje se vrasësi nuk ishte Fed, Banka Qendrore Europiane ose Banka e Japonisë, edhe pse bankierët qendrorë janë prirur të besojnë në thënien e Milton Friedman se inflacioni është "gjithmonë dhe kudo një fenomen monetar". Gjetjet e hulumtuesëve po rezultojnë se inflacioni i ulët vjen në pjesën më të madhe si pasojë e globalizimit ose automatizimit ose deunionizimit - ose një kombinim i të trejave - që minojnë fuqinë punëtore për të negociuar për paga më të larta.

Me fjalë të tjera, kapitalistët vranë inflacionin. Në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, ekonomisti polak Michal Kalecki përshkroi inflacionin si një produkt i luftës midis biznesit dhe punës. Nëse punëtorët arrijnë të negociojnë dhe fitojnë rritje të mëdha të pagave, punëdhënësit e tyre i kompensojnë shpenzimet duke rritur çmimet, duke detyruar punëtorët të kërkojnë akoma më shumë, dhe kështu me radhë duke patur para syve një kurbë në rritje të çmimeve dhe pagave. Në të kundërt, nëse punëtorët kanë pak ose aspak influencë, siç është shembulli i shumë industrive, kurba e pagave nuk fillon kurrë. Analiza e Kaleckit mbijeton në Teorinë Monetare Moderne, një aromë e njëkohëshme e ekonomisë për të cilën politikanët liberalë demokratë si senatori Bernie Sanders nga Vermont dhe përfaqësuesi Alexandria Ocasio-Cortez i Nju Jorkut kanë zhvilluar një shije.

Çuditërisht edhe pse Fed ka dhënë një ide argëtuese se inflacioni mund të lidhet me diçka si lufta e klasës. Richard Clarida, një ekonomist i Universitetit të Kolumbias që nisi një mandat katërvjeçar si nënkryetar i Fed në shtator, pëlqen ta vendosë gishtin tek rënia e fuqisë punëtore në raport me të ardhurat kombëtare, në 66.4 për qind në fund të vitit 2018, nga 68 për qind në 71 për qind nga viti 1970 deri në vitin 2010. Argumenti i tij i nënkuptuar është se biznesi mund ta nxisë punën drejt rritjes solide pa ngritur çmimet e mallrave dhe shërbimeve, për aq kohë sa është e gatshme të japë një pjesë të rritjes së saj në pjesën e të ardhurave kombëtare.

Me inflacionin e vdekur ose të fjetur, bankat qendrore po marrin goditje nga e majta dhe e djathta se nuk po bëjnë asgjë për rritjen e inflacionit. Stephen Moore, që Trump ka zgjedhur për një vend vakant në Bordin e Guvernatorëve të Fed, ka thënë se "qindra" prej ekonomistëve të Fed nuk kanë shenjuar dhe duhet të pushohen nga puna. "Do ta them përsëri: Rritja nuk shkakton inflacion", tha ai për Bloomberg Television më 11 prill. "E dimë këtë. Kur kemi më shumë prodhim të mallrave dhe shërbimeve, çmimet bien, "tha ai. Argumenti i Moore është një qasje në anën e ofertës: rritja e rrit kapacitetin prodhues të ekonomisë së paku po aq sa nga ana e kërkesës, kështu që nuk ka presion mbi çmimet.

Sipas pikëpamjes së ekonomistit të Harvardit Lawrence Summers, inflacioni i ulët vazhdueshëm është një simptomë e asaj që ai e quan stanjacion sekular. Duke qenë se normat e interesit janë tashmë të ulëta, një trajtim thelbësor për një gjendje të tillë është një politikë agresive fiskale, sipas Summers, i cili ishte sekretari i Thesarit të Presidentit Bill Clinton dhe drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Presidentit Barak Obama. Ai nuk është një tifoz i shkurtimeve të taksave si Trump, por argumenton se qeveria federale duhet të rrisë investimet publike, edhe nëse kjo do të thotë marrjen e më shumë borxheve.

Gjermania dhe vendet e tjera të Europës Veriore që kanë borxh të vogël janë veçanërisht më të mirëpozicionuar për të shpenzuar më shumë dhe për të ndihmuar që të shpërthejë rritja globale, argumenton Mohamed El-Erian, këshilltar kryesor ekonomik në Allianz SE të Gjermanisë dhe një kolumnist i rubrikës Opinion në Bloomberg. "Fatkeqësisht," shkruan ai, "mungon vullneti politik për të zbatuar një qasje të tillë".

Që do të thotë se mund të ketë zvarritje në kohë. Në një prezantim të 15 prillit në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, Summers tha se ekonomitë e mëdha industriale do të mbesin me inflacion të ulët dhe me norma të ulëta të interesit ", për të paktën 10-15 vjet."

Një arsye për situatën këmbëngulëse inflacioniste të ulët është lidhja me plakjen e shoqërive. "Unë thoja se kjo ishte vetëm një justifikim, por fillova të pyes veten nëse japonezët kanë një ide për këtë", thotë Adam Posen, president i Institutit Peterson. "Ndoshta plakja ndikon në gatishmërinë e njerëzve për të negociuar për pagat, për të ndryshuar punën, për të investuar".

Një pjesë e shpjegimit pse inflacioni ka mbetur i ulët edhe pse papunësia ka rezultuar në nivelin më të ulët është se kompanitë po gjejnë mënyra të reja për të mbajtur linjën e pagave. Juan Salgado, kancelar i Kolegjeve të Qytetit të Çikagos, një rrjet i kolegjeve të komunitetit, thotë se punëdhënësit si Açenture Plc dhe Aon Plc po rekrutojnë njerëz me një diplomë të asociuar për vendet e punës të cilat i kanë rezervuar për ata me diplomë bachelor. Pastaj ata investojnë në trajnime për të forcuar aftësitë e të rekrutuarëve të rinj.

Teoria makroekonomike standarde pohon se pavarësisht sa krijues janë punëdhënësit, tregjet e shtrënguara të punës duhet përfundimisht të shpein drejt pagave më të larta dhe inflacion të përgjithshëm afër objektivit. Joseph Gagnon dhe Christopher Collins nga Instituti Peterson argumentojnë se papunësia është më në fund mjaftueshëm e ulët që mund të ketë "rritje të moderuar të inflacionit gjatë disa viteve të ardhshme". Por autorët shtojnë me kujdes se gjithashtu mund të ketë ndryshime të vogla. Një bashkëstudim i janarit i Olivier Coibion i Universitetit të Teksasit në Austin dhe Yuriy Gorodnichenko dhe Mauricio Ulate i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley ka gjetur se "nuk rezulton asnjë dëshmi se inflacioni është në prag të rritjes".

Një ide e re që po tërheq vëmendjen është se bankat qendrore të sakrifikojnë një pjesë të pavarësisë së tyre duke bashkërenduar përpjekjet me autoritetet fiskale, të cilët janë përgjegjës për taksat dhe shpenzimet. Posen i Institutit Peterson do të thoshte për Bloomberg se nëse qeveria federale hyn në projekte të mëdha në fusha të tilla si energjia e pastër ose kujdesi shëndetësor, kjo mund të nxisë sektorin privat që të ndjekë të njëjtin shembull. Kjo sipas tij, mund ta shpjerë të gjithë ekonominë në një rrugë rritjeje.

FED e di se kredibiliteti i saj është në rrezik, prandaj ka nisur një turne "Fed Listens", që do të kulmojë në një konferencë kërkimore në Bankën Federale të Rezervave të Çikagos më 4-5 qershor. Temat do të përfshijnë strategjinë e politikës monetare, mjetet për menaxhimin e ekonomisë dhe praktikat e komunikimit. (Salgado është në listën e folësve.) Zyrtarët e FED e kanë bërë tashmë të qartë se, pavarësisht thirrjes për ide të reja, ata nuk janë gati të shkruajnë nekrologji në objektivin e inflacionit prej 2 për qind.

*Burimi: Bloomberg, Përshtati: Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë