Njerez

Suksesi i Briseidës, që lekët e masterit i bëri udhëtime

Ajo la gjithçka dy vite më parë, mori kursimet e punës katërvjeçare prej 10 mijë eurosh dhe u nis drejt Amazonës. Sot punon si menaxhere e një kompanie në Shqipëri dhe mendon se aftësitë e biznesit që fiton duke u përballur vetëm me jetën, larg zonës së sigurisë, nuk t’i mëson asnjë master apo kurs.

Sabina Veizaj – Në vend që të investonte në një master a doktoraturë, ajo e pa të udhës “të zhgënjente” pritshmëritë e të gjithëve ndaj saj. Besoi në dëshirat, intuitën dhe qasjen e vet për jetën.

La gjithçka që kishte ndërtuar deri atëherë, mori një çantë shpine 10 kilogramshe ku futi disa pako dhe sende personale dhe u nis krejt e vetme drejt Amerikës Latine. Jo si turiste, por si udhëtare për të eksploruar atë vend magjik sipas saj dhe veten larg vendit ku ajo ndjehej e sigurt.
Briseida Gjoza ishte vetëm 28 vjeç në atë kohë kur u nis drejt Kolumbisë.
“Nuk e di nëse prindërit e mi ende sot pas dy vitesh e kanë kuptuar se me çfarë unë jam përballur. Ata patën frikë, por më mbështetën dhe më lanë të lirë të ndiqja dëshirën time. Unë i respektoj prindërit e mi që nuk kundërshtuan nismën time për të prekur kontinentin tjetër”- më tregon më vonë gjatë bisedës Briseida.

Ne u takuam në një bar tek rruga e ish-Ekspozitës duke kërkuar pak qetësi për të biseduar shtruar, edhe pse të dyja qemë nën presionin e kohës.

Takimi ynë nuk ishte për të dëgjuar prej Briseidës rrëfimet nga një udhëtim ekzotik në fundbotë, por për të kuptuar ngasjen e saj që ai udhëtim prej 10 mijë eurosh ishte një investim.

Vajtja drejt Amerikës Latine, më shpjegon Briseida gjatë rrëfimit, nuk ishte një gjë e beftë. Ishte e dëshiruar dhe arsyet të qarta. Mandej kaloi një proces i gjatë deri në realizim.

Deri tek ky udhëtim, ajo kishte shëtitur shumë vende të botës, por si turiste dhe në grup.
“Ishte diçka krejt tjetër, sepse isha me njerëz e në rastin më “të keq”, kur kam udhëtuar vetëm, në anën tjetër ka qenë dikush që më priste. Gjatë atyre udhëtimeve unë e dija se çfarë do të ndodhte. Isha me pushime dhe bëja turisten”, më tregon me ton të qartë.
Natyrën pozitive dhe të gjallë të Briseidës e kupton që në telefon. E qetë dhe intensive, pa ankth që na karakterizon shpesh ne shqiptarëve.

Ajo të krijon ndjesinë se ka uri për të bërë gjëra vazhdimisht.
Briseida ka studiuar Administrim Biznes dhe Studime Europiane në Univeristetin Amerikan të Bullgarisë.

Me një projekt të UNESCO-s shkon në Barcelonë të Spanjës, ku iu mundësua realizimi i një projekti të propozuar prej saj në Senegal të Afrikës.

Aty ajo pa që njerëz nga të katërt anët e botës vinin për t’u certifikuar në një aspekt të caktuar e mandej shkonin në Kinë, Vietnam, Panama për të dhënë mësim, por në thelb ishin për ‘tu përballur me jetën larg komfortit dhe për të fituar disa aftësi që jeta në vendin tënd apo vende të ngjashme me vendin tënd, nuk t’i ofron dot. “Çdo gjë është e mundur nëse ke qëllime”, më thotë e bindur Briseida.

Projekti i Senegalit nuk qe i gatshëm. Briseidës iu desh të rindërtonte marrëdhëniet me jetimoret, me një shkolllë që ishte në rindërtim, me bashkitë.

“Duhet të shkoja dhe të zbuloja unë se çfarë duhet të bëja. A mundem të flas me doktorë, me shkolla, jetimore, bashki. Emburgu ishte një qytet dhe Goreja një ishull nën mbrojtjen e UNESCO-s. Atje kam dhënë edhe mësim. Nuk mund të shkosh e përgatitur se nuk di çfarë të pret. Kam bërë çdo gjë vet, çdo ditë nga e para”, më tregon Briseida e cila kujton atë periudhë me emocion të jashtëzakonshëm.

Ishte shumë e lehtë për të të kuptohej me njerëzit e një kulture tjetër, të një tjetër kontinent. Sepse, sipas saj, jemi të ngjashëm; të gjithë qeshim, qajmë. Ka një gjuhë të brendshme, thotë Briseida, që t’i kuptohesh me tjetrin. “Është energjia, emocioni.”
Pas asaj eksperience, Briseida punoi në Prishtinë. Kishte një kontratë 2-vjeçare në një kompani sllovene si menaxhere, e cila përfundoi pas 4 vitesh. Vetëm 24 vjeç, ajo u bë drejtoreshë e kompanisë.

Briseida më tregon se nuk sheh asgjë si permante në jetë, pasi jeta për të është një udhëtim i gjatë me udhëtime të vogla brenda saj. Edhe Kosovën e shihte si tranzicion. Udhëtimin e “madh” drejt Amerikës Latine më thotë se nuk e kishte planifikuar, por ishte brenda saj, për shkak të mënyrës se si ajo i qasej jetës.

Analiza e saj ishte e thjeshtë; provoi një karrierë, sado të shkurtër (4-vjeçare), por të suksesshme. Iu ngarkua të çelte 8 dyqane, hapi 12. Nga menaxhere, u bë drejtoreshë e departamentit të shitjeve në kompani. Kishte një skuadër prej 40 vetësh që i drejtonte, dy asistentë. Ishte një moment vetëkënaqësie përtej natyrës së saj që beson në krijimin dhe ruajtjen e vlerave të qëndrueshme në jetë.
“Po pastaj? Kështu qenka jeta, thashë? Pse duhet t’i jap arsye dikujt për të bërë gjërat që dua. Pse duhet të isha e portretizuar si një grua serioze në fushën e biznesit? E mora gjithë kënaqësinë që të jep puna e suksesshme. Po pastaj? Doja të shkoja përtej kësaj dhe isha e bindur që mundesha. Përderisa janë gjëra që dikush në botë i bën, edhe ti mundesh”, më rrëfen Briseida reflektimin e asaj periudhe. Në atë çast e mori vendimin për të eksploruar Amerikën Latine. Iu desh 5 muaj që të organizonte udhëtimin në termat e marrjes së vizave. Asgjë nuk kishte të qartë se ku do të shkonte, përveçse mbërritjes në Kolumbi si fillim dhe kthimit nga Rio de Janiero në Brazil.

Udhëtimi në Amerikën Latine zgjati nga 4 prilli i 2017-ës deri në shtator të 2017-ës.
Në Bogota të Kolumbisë ajo kishte gjetur një projekt ku do të rrinte dy javë në mal për të pasur kohën e mjaftueshme që të vlerësonte se si do të vazhdonte më tej.

Shtëpia ku Briseida qëndroi në Bogoda ku kreu projektin dy javor

Ajo më tregon gjatë bisedës se përmes një website “work away” zbuloi një njoftim se një zonjë do të ndërtonte një super fermë në Bogota. Projektit me të i ishin bashkuar një çift nga Argjentina, një gjerman, një anglez. Dikush mbillte bimë, dikush ndërtonte gardhe, banjo ekologjike, hapësira të tjera, dikush pastronte barin. “Unë kam mbjellë bimë, kam pastruar bar, kam ndërtuar gardhe. Shtëpia ku qëndroja ishte në majën e malit. Ishte një mrekulli e vërtetë; e rrethuar nga të gjitha anët me natyrë. Kishte 5 qen”.

Më pas shkoi në Karaibe me autobus. Aty nisi aventura dhe problemet.
Briseida e dashuron ushqimin. Teksa po hante në autobus, çantën e dokumenteve ku kishte edhe paratë, e lë ngjitur pak larg vetes. Mandej e zë gjumi dhe kur zgjohet gjithçka kishte mbaruar. Ishte pa pasaportë, pa viza, pa para.

Me një kamionçinë ka shkuar në një rajon ku ka qëndruar në një hostel dhe e ka ndihmuar shumë një vajzë.

Përmes një varke, që shërbente për kolumbianët si mjet transporti lokal për të shkuar në fshatra të ndryshëm, Briseida niset drejt Amazonës.

“Kam veshur jelekun e sigurimit, lumi ishte tejet i pistë, varka ishte përplot me kolumbianë. Ishte pa pikë sigurie. Aty kam pasur shumë frikë sepse ishte rajon shumë i pasigurt. Ka qenë rajon konflikti për vite me radhë. Vetëm prej një viti ishte shpallur paqja. Amazona shërben si rrugë arratisje për gjithëfarë trafiqesh. Por në çast vendosa të shijoja natyrën. Zbrita në fshatin e parë. Qëllimi ishte të arrija tek trekëndëshi Brazil-Kolumbi-Peru, e prej aty të shkoja në Brazil sepse ëndrrës argjentinase i kishte ardhur fundi tashmë”, rrëfen Briseida.

Megjithëse pa dokumente, ajo vendosi ta vijonte udhëtimin e saj ashtu siç e kishte menduar.
Në kufi i ofruan dokumente false, por nuk i pranoi. Mandej qëndroi në Ipjalas për të gjetur pasaportën. Shkuan në radio, TV dhe rajon të policisë. Paskëtaj edhe në Kishë. Por dokumentet nuk u gjetën kurrë.

Për Briseidën çdo hap në 6 muaj në Amerikën Latine qe vendimmarrje përballë çdo situate të beftë, qoftë të bukur, qoftë të shëmtuar.

Përmes një hidroplani udhëtoi mandej në Ikitos, Peru. Briseida qëndroi do ditë tek familja e pilotit. Më pas mori anijen për të vijuar udhëtimin drejt trekëndëshit të Amazonës që qe shumë ekzaltues.

U përball me kontrollin policor dhe arriti t’i bindte pse duhej të vazhdonte udhëtimin edhe pa dokumente. “Kur je vetëm, bëhesh shumë e mençur, shqisat i ke të mprehura, je shumë empatike dhe vigjilente. Trurin e vë shumë në punë dhe ia del”, më tregon Briseida.
Pas tre ditësh udhëtim me anije në lumin e mrekullueshëm të Amazonës, e rrethuar nga një natyrë e magjishme ku sytë i shihnin delfinët rozë që kërcenin jashtë ujit, zogjtë, gjelbërim total; mbërrin në trekëndëshin e Amazonës.

Aty nisi udhëtimin drejt një fshati të largët 3-4 orë më këmbë për t’iu afruar një fisi indigjen. Atë natë ajo e kaloi në kasollen e kryeplakut të fshatit, i cili jetonte me të shoqen.

Fis indigjen

“Aty jam afruar më shumë tek kafshët, – më thotë Briseida – kam parë gjarpërinj, piranja, kam dëgjuar ulërima tigri, zogj pa fund. Kam prekur Sllofin, kafshën përtace. Ata binin nga pemët. Kur i kap, të ngjiten në trup.”

Habia më e madhe – vijon ajo të më tregojë – është se në kontinentin e largët e njihnin Shqipërinë prej filmit “Taken”. “E di Shqipërinë, prej Markos nga Tropoja”, thoshin vendasit.

Ajo çfarë Briseidës i ka bërë përshtypje nga udhëtimi 6-mujor (një muaj e pak në Kolummbi, 2 javë nëpër fshatrat e Amazonës, një javë nga trekëndëshi i Amazonës në Brazil, Peru një javë, 2 muaj e gjysmë Brazil) qe një gjysh rreth të 70-ave.

“Gjyshi më ka bërë përshtypje. Ishte i mençur, i qetë, edhe doktor, edhe mësues; të shpjegonte edhe besimin e vet. Ata besojnë në natyrë; tokë, gjethe. Kanë një qasje ndaj jetës pozitive dhe të thjeshtë. Kolumbianët dhe peruanët ishin të thjeshtë, në paqe me veten, e merrnin jetën më lehtë dhe kryenin rite të ndryshme për t’u pastruar, detoksifikuar si fiziologjikisht ashtu edhe shpirtërisht.”

Prej ushqimeve, frutat ekzotike janë ato që i kanë mbetur në mendje dhe prej kafshëve, përtaci, por edhe majmunët që teksa hante, kërcenin e i vidhnin ushqimin. Natyra ekstreme me biodversitet të jashtëzakonshëm për të është e papërsëritshme kund tjetër. Mes shpellave, ujëvarave, kafshëve dhe shpendëve, ajo jetoi për 6 muaj me radhë duke mësuar disa aftësi që, sipas saj, nuk do t’ia kishte dhënë asnjë diplomë e mundshme.

Ajo e konsideron një sfidë të vërtetë atë udhëtim. 28 vjeç, vetëm, me një çantë në krahë drejt një kontinenti tjetër, e përballur me dy vjedhje. E dyta në Rio de Janeiro, me thikë, ku Briseida dorëzoi telefonin dhe kartën e kreditit.

Briseida mendon se çdokush mund ta bëjë një udhëtim të ngjashëm. “Ne harxhojmë kot. Jemi shoqëri që nuk kursejmë. Blejmë një iPhone 1000 euro. Telefoni nuk është investim. Ky udhëtim mund të bëhet edhe për 2 muaj edhe më i organizuar”, thotë Briseida, të cilës nëse nuk do t’i kishin ndodhur dy vjedhjet, do të kishte dashur ta zgjaste më tej udhëtimin deri në 1 vit.


“Unë e shoh si investim. Fiton një aftësi të të zgjidhurit të problemeve. Kur nuk përballesh vetëm, nuk mundesh ta mësosh dhe ta kuptosh veten përballë fenomeneve të ndryshme. Kam zhvilluar një qasje të re ndaj jetës; mënyrën se si i shoh gjërat, çdo problem është aty për tu zgjidhur, jo për të qarë mbi problemin. Mundohem të mos shoh probleme. I vetmi problem i konsiderueshëm është shëndeti”

“Unë e shoh si investim. Fiton një aftësi të të zgjidhurit të problemeve. Kur nuk përballesh vetëm, nuk mundesh ta mësosh dhe ta kuptosh veten përballë fenomeneve të ndryshme. Kam zhvilluar një qasje të re ndaj jetës; mënyrën se si i shoh gjërat, çdo problem është aty për t’u zgjidhur, jo për të qarë mbi problemin. Mundohem të mos shoh probleme. I vetmi problem i konsiderueshëm është shëndeti”, më thotë ajo duke vijuar të më sqarojë se ky udhëtim dhe të ngjashëm me të, janë tamam një kurs lidershipi në aksion. “Të duhet të marrësh vendime konstante. Ndodhesh në situata që nuk ke një mbështetje dhe konsultim për të marrë vendime. Ti je në mënyrë të vazhdueshme në proces vendimmarrjeje, analizon dhe merr vendime, arrin të dëgjosh, zhvillon aftësitë e të dëgjuarit. I kupton të tjerët shumë më mirë.”

“Kush je ti në mes të Amazonës, kush je ti përpara tigrit, peshkut? Cila është vlera jote? Ai udhëtim të mëson edhe vlerë. Çfarë qëllimi ke në jetë? Është investim, sepse më ka kthyer besimin tek vetja dhe natyra.”

“Me forcën e besimit, – thotë e bindur Briseida, – mund të bësh gjithçka; të zgjidhësh probleme, je më guximtar e merr përsipër pasojat”.

“Ti përballesh çdo ditë me veten tënde; si reagon ndaj një plaku, një të riu, ndaj kulturave të ndryshme, si ata reagojnë me njëri-tjetrin dhe ndaj teje. Hapja e mendjes është proces.”

Briseida aktualisht po punon në Shqipëri, siç ma shpjegon ajo, qe një rikthim në bazë. Por ndjehet e ligështuar me kulturën mbizotëruese; vrazhdësinë dhe mungesën e solidaritetit. Por edhe Shqipëria si çdo gjë tjetër për të është tranzitore. Ajo ndjehet udhëtare e botës dhe investimin e radhës mendon ta bëjë në Kamboxhia, Azinë Juglindore.

 

Më Shumë