Politike

2017, 2019, maji i krizave

Ashtu si në 2017, muaji maj edhe këtë vit e ka gjetur Partinë Demokratike jashtë Parlamentit, por ndryshe nga protesta e 2 viteve më parë, këtë vit aksioni opozitar, që u përshkallëzua me djegien e mandateve në grup më 21 shkurt, iu bashkua edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që episodet e dhunës nuk kanë munguar.

Këto janë pikat kryesore që dallojnë protestën e këtyre ditëve të udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Lulzim Basha me protestën në çadrën e “Republikës së Re”. Duke përjashtuar këto dallime dhe ndonjë ndryshim të vogël emrash e protagonistësh të asaj dhe kësaj kohe, përmbajtja e aksionit opozitar duket thuajse i njëjti.

Dy vite më parë, Lulzim Basha deklaronte me bindje para 17 majit se zgjedhje me Edi Ramën nuk mund të ketë. Në atë kohë, termi i përdorur për një qeveri pa Edi Ramën Kryeministër ishte “qeveri teknike”, sot është “qeveri tranzitore”.

“Largimi i tij për t’i hapur rrugë qeverisë teknike mjafton si një garanci me mandatin popullor, sigurisht. Edi Rama refuzon të japë dorëheqjen. Mban peng një komb të tërë, një Shqipëri të tërë, kompromenton interesat kombëtare, të sigurisë dhe interesat e Europës”, deklaronte Basha më 3 maj të 2017 pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat dhe pas një komunikimi me video-konferencë me Komisionerin Johannes Hahn dhe kreun e Partive Popullore Europiane, Joseph Daul.

Sot, si mjet për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas opozitës, është vetëm Qeveria tranzitore. Në 2017, veç Qeverisë teknike ishte edhe votimi elektronik.

“Nëse ka propozime që ofrojnë të njëjtat garanci, që ne deri më sot nuk i kemi dëgjuar jemi të gatshëm dhe të hapur t’i diskutojmë, por një gjë nuk jemi të gatshëm të që të bëjmë, të tradhtojmë kauzën e shqiptarëve”, vijonte kreu i PD-së.

Mbeshtetes te PD, nen nje cader para godines se kryeministrise, gjate oreve te nates ne nje proteste te organizuar nga Partia Demokratike, maj 2017

Me këtë vendosmëri, Lulzim Basha deklaronte se ishte i gatshëm që të ulej përballë rivalit të tij politik, Edi Rama, në tryezën e thirrur nga Presidenti i Republikës, në atë kohë Bujar Nishani. Ramën e akuzonte se po vepronte me dy standarde, ku nga njëra anë përshëndeste Qeverinë teknike në Maqedoni që do të çonte vendin në zgjedhje dhe nga ana tjetër refuzonte një Qeveri teknike në Tiranë.

Në ditët e para të majit, Edi Rama nuk i ofronte gjë, por ecte me bindje dhe i vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve, atëherë të përgjithshme më 18 maj, datën e përcaktuar qysh në krye të herës. Në ditët e para të majit, nën presionin e afrimit të zgjedhjeve dhe vendimit të PD-së për t’i bojkotuar ato, pati kontakte të shpeshta mes palëve. Një takimi Rama-Basha u zhvillua në Presidencë me Bujar Nishanin më 3 maj 2017. Marrëveshje nuk pati, ndërsa Lulzim Basha zbardhte detaje të takimit që zgjati tre orë dhe i jepte një këshillë Edi Ramës.

“I përsëris thirrjen që t’i thërrasë mendjes. Të kuptojë se kriza shqiptare, e konfirmuar botërisht që ka për bazë drogën, krimin dhe shtetin e njësuar me pushtetin, nuk zgjidhet me gënjeshtra që hedh nga Brukseli në Uashington, apo me deklarata të paguara, sado kushtueshëm i paguan. Qeveria teknike me mandat për të larguar kriminelët nga politika, për të larguar drogën dhe për t’u dhënë shqiptarëve reformën zgjedhore, përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik, është rruga e ndershme për të kthyer Shqipërinë në binarët e normalitetit dhe për të siguruar bashkëjetesën demokratike”, deklaronte ai para mbështetësve në çadër një ditë më vonë.

Sot, dy vite më vonë ndryshimi i vetëm në artikulime dhe veprime është doza më e fortë e dhunës. Për këtë, Basha fajëson Edi Ramën. “Deri këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore dhe kjo është e vetmja mënyrë e Ramës për të mbajtur dhe marrë pushtetin. Ne nuk jemi këtu për pushtetin e mandatet, ato i dogjëm, se do jemi në krah të qytetarëve kundër dhunës. Ne jemi në këtë betejë për ta çliruar Shqipërinë nga krimi e korrupsioni, për zgjedhje të lira e të ndershme, Kushtetutë, ligj dhe shtetin e së drejtës”, deklante Basha në protestën e 13 majit 2019.

Kreu i PD këmbëngul se ka vetëm një rrugë që do mbarojë kjo betejë. “Ne duhet dhe do ta fitojmë betejën për zgjedhje të lira, për Parlamentin e qytetarët. E sotmja është një marshim proteste kundër qeverisë së bërë njësh me krimin, kundër zgjedhjeve false e të blera”, shtonte ai.

Qëndrimi i Edi Ramës nga ana tjetër nuk ka ndryshuar. Atëherë ai deklaronte se frika e vetme e Partisë Demokratike ishte humbja e zgjedhjeve. Edhe në artikulimet e këtyre muajve, Rama e ka përsëritur këtë argument, duke shtuar se sipas tij, PD dhe LSI jo vetëm që nuk i fitojnë zgjedhjet, por nuk ruajnë dot as gjysmën e bashkive që kanë aktualisht.

“Sigurisht që unë jam problemi, sepse nuk fitojnë dot përballë meje”, deklaronte ai në konferencën me gazetarët pasditen e së hënës. Në 2017 Rama vazhdonte përpara me dorëzimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të listave të kandidatëve për deputetë.

Sot Rama vazhdon me të njëjtën linjë duke prezantuar kandidatët për kryetarë në 61 bashkitë e vendit, ku ndryshimet e mëdha ndodhën në Elbasan e Durrës. Paralelisht me këtë proces, lë edhe një derë hapur për bisedime të minutës së fundit, por duke përjashtuar shtyrjen e zgjedhjeve.

“Gjermanët na kanë thënë se do të na ndihmojnë, shumë e mirëseardhur. Por negociata nuk ka. Për zgjedhjet e 30 qershorit negociata nuk ka”, thotë ai.

Një tjetër ngjashmëri është premtimi i Lulzim Bashës për të ndryshuar sistemin. Në 2017 ky premtim shqiptohej përmes sloganit “Republika e Re”, ndërsa sot me një propozim më konkret.

“Deklaroj që “Po”, do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik. Do të ketë një rikthim të vlerave europiane. Parlamenti nuk do të jetë kukull e qeverisë, prandaj na duhet që të burojë drejt për-drejt nga populli shqiptar. Për këtë kemi nisur një dialog ndërkombëtar. 100 deputet me një senat, me dy dhoma, apo sisteme të tjera, pse jo një President të zgjedhur nga populli, Referendumet popullore, qytetarët të pyeten për çdo vendim të rëndësishëm”, deklaronte ai më 8 maj 2019.

Ngjashmëri janë edhe kundërshtarët e Bashës brenda opozitës. Në 2017 ishte Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe të tjerët, ndërsa sot është Myslim Murrizi, Rudina Hajdari dhe emrat e tjerë që refuzuan vendimin e partisë për mosmarrjen e mandateve. Topalli është tërhequr, ndërsa Patozi ka dalë me partinë e vet që thotë se është kundër Ramës, por edhe kundër llojit të opozitarizmit të Bashës. Rudina Hajdari, edhe për shkak të prejardhjes familjare, është emri që po e qorton më fort brenda deputetëve linjën e Lulzim Bashës, qysh kur nuk dogji mandatin e saj.

Në 2017, ndërkombëtarët ia dolën mbanë që t’i japin një zgjidhje të përkohshme, zgjidhje që çoi në mbajtjen e zgjedhjeve dhe zgjedhje që sot cilësohen nga PD si burimi i krizës. Në horizont nuk ka sinjale për një zgjidhje të shpejtë, por Rama e sinjalizoi se politikisht, 30 qershori është shumë larg dhe se deri atëherë, sërish politikisht, mund të ketë shumë zhvillime. A do të jetë një zgjidhje e ngjashme si në 2017 njëri prej këtyre zhvillimeve?

 

Më Shumë