Sociale

Shkon në 15 numri i të vdekurve. Me 20 raste të reja, tani ka 243 të infektuar

Dy pacientë të tjerë kanë ndërruar jetë këtë të martë në spitalin infektiv, të konfirmuar me COVID-19. Pacienti 77-vjeçar I. B., nga Kavaja, i konfirmuar me COVID-19 po trajtohej prej 2 javësh në spitalin infektiv, teksa ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkti i miokardit. 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje: Diabet mellitus, insuficience renale kronike dhe insuficiencë kardiake. Ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme edhe pacienti R. P 69-vjeç nga Hasi, i konfirmuar me COVID-19, i cili është trajtuar prej 8 ditësh në spitalin Infektiv ndërsa prej 3 ditësh gjendja e tij ishte rënduar dhe ishte në respiracion të drejtuar (i intubuar). Pacienti R. P ka qenë në gjendje të rëndë shëndesore gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetonte.
Ka shkuar kështu në 15 numri i qytetarëve që kanë humbur jetën me COVID-19 në Shqipëri.

Më herët gjatë ditës, një pacient 62-vjeçar nga Durrësi ndërroi jetë gjatë mëngjesit, ndërsa të hënën në mbrëmje një 82-vjeçare nga Tirana. Zëvendësministrja Mira Rakacolli, tha se të dy këta pacientë vuanin nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, ndërkohë që ka konfirmuar se është shtuar numri i të prekurve me 20 raste të reja.
“Deri në këto momente janë testuar 1671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste", tha Rakacolli.

Të martën paradite, në shërbimin infektiv kishte 77 të shtruar. Tetë 8 prej tyre në terapi intensive ndërsa 3 nga këta ishin të intubuar. Me vdekjen e dy prej pacientëve, në shtretërit e Infektivit tashme gjenden 75 të shtruar. "Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52,” u shpreh më herët gjatë ditës Rakacolli.
Më tej zëvendësministrja deklaroi se harta e të prekurve është zgjeruar në qytetet që tashmë janë të prekur dhe po kryhet hetimi epidemiologjik për të gjurmuar kontaktet e rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive vijon:

  • Tiranë 129 raste
  • Durrës 26 raste
  • Lushnjë 4 raste
  • Elbasan 5 raste
  • Fier 23 raste
  • Kavajë 4 raste
  • Rrogozhinë 2 raste
  • Korçë 15 raste
  • Vlorë 5 raste
  • Shkodër 8 raste
  • Lezhë 5 raste
  • Berat 1 rast
  • Has 2 raste
  • Krujë 5 raste
  • Tropojë 4 raste
  • Pukë 3 raste
  • Mirditë 2 raste

Rakacolli bëri me dije se është shumë e rëndësishme për qytetarët që respektojnë masat e distancimit social pasi vetëm kështu mund të përballohet kjo sfidë. Gjithashtu ajo tha se nëse kanë ndonjë shqetësim duhet të telefonojnë në numrin 127.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë