Rend dhe Ligj

Antikorrupsioni, zbulohen emrat e 8 zyrtarëve që u kallëzuan penalisht

Tetë zyrtarë janë kallëzuar penalisht dhe 60 masa disiplinore janë dhënë nga Task Forca për Antikorrupsion, pasi rezultojnë se kanë abuzuar me detyrën. Pjesa më e madhe e të ndëshkuarve nga Task-Forca janë drejtues dhe punonjës të ALUIZNI-t.

Shifrat u publikuan nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një konferencë për shtyp, e cila bëri të ditur masat ndëshkimore dhe disiplinore ndaj zyrtarëve që abuzuar me ligjin, duke i dërguar për ndjekje penale në Prokurori.

Gjonaj, si drejtuese e Task-Forcës Antikorrupsion, bëri të ditur se bazuar në raportet e inspektimeve të janë rekomanduar gjithsej 60 masa disiplinore dhe 8 kallëzime penale  për drejtues, ish-drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore.

“Të gjitha institucionet përgjegjëse kanë zbatuar rekomandimet e Task Forcës Antikorrupsion duke marrë 60 masa disiplinore, nga të cilat 9 largime nga puna konkretisht për: 3 Përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Tirana Rurale; 2 Inspektorë të Pikës së Inspektimit Kufitar të AKU pranë Portit Durrës;   Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Durrës; Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Fier; Drejtorin e ALUIZNI Tirana Jug, si dhe përgjegjësin e sektorit të legalizimeve të po kësaj drejtorie.

Po ashtu është depozituar kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë për: Dy inspektorë të Pikës së Inspektimit Kufitar të AKU-së pranë Portit Durrës, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime që kanë cenuar respektimin e detyrimeve ligjore në fushën e sigurisë ushqimore.  Ish-Drejtorët e ALUIZNI Tirana Jug dhe Tirana Rurale si dhe 4 përgjegjës sektori të legalizimeve, të cilët dyshohen të kenë kryer, veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave dhe në shkelje të afateve për rastet e legalizimeve të objekteve të ndërtimit”, deklaroi ministrja në konferecën për shtyp.

Sipas burimeve të Gazetës SI emrat e zyrtarëve të dërguar për kallëzim penal në Prokurori janë për 2 për inspektorët e Pikës së Inspektimit Kufitar AKU Durrës, Vjollca Shahini dhe Ardian Gjera.

Por, largimet kanë prekur ALUIZNI-n institucioni  që është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Kështu largimet kanë prekur ish- Drejtorin e ALUIZNI Tirana Jug, Besa Spaho dhe ish – ZvDrejtorin, Daniel Naço.

Kallëzim penal është bërë edhe për Krenar Cenollarin, ish-drejtorin e ALUIZNIT për Tiranë Rurale, që mbulon pjesën e legalizimeve për fshatin, si dhe për përgjegjësit e sektorit të këtij institucioni Marsela Veizaj, Arben Troka dhe Ermira Mezini.

Qeveria shpalli nëpërmjet kryeministrit Edi Rama se çdo të mërkurë do të bëhen publike rastet e ndëshkimit të zyrtarëve, të cilëve iu është konstatuar abuzim me ligjin, apo kanë bërë korrupsion.

“Duke filluar nga sot dhe çdo të mërkurë, paralelisht me prezantimin e rasteve të zgjidhura, ne përmes ministres së Drejtësisë, që drejton Task-forcën antikorrupsion të qeverisë, do të bëjmë me dije edhe rastet e ndëshkimeve si rezultat i hetimeve administrative, kryesisht të çështjeve të Platformës së Bashkëqeverisjes, por edhe të inspektimeve të tjera të Task-Forcës”, tha Rama në fjalën e tij gjatë takimit javor në Sallën e Hartave në Kryeministri me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje të problemeve të tyre përmes platformës shqiperiaqeduam.al.

 

Më Shumë